Vjenë 1931, pasqyrimi i atentatit ndaj Mbretit Zog në gazetat austriake



Nga Avni Dani, Tiranë – 5 Mars 2017 

 

Ndaj Ahmet Zogut janë bërë të paktën më shumë se 7 atentate. Dy me bombë, dy me pistoleta dhe pjesa tjetër janë akte që shërbimi sekret i ka zbuluar teksa përgatiteshin kundër tij. Në këto komplote janë emra si Ceno bej Kryeziu, Eshref Frashëri etj. Bernd Fisher ka shkruar se “të ishe badigard i Zogut, është njëlloj si të jesh roje nate në një fabrikë baruti, rreth e rrotull së cilës shkreptijnë rrufe”.

 

Nga të gjitha atentatet, tre prej tyre janë më seriozet ndaj tij. I pari në sallën e parlamentit, nga Beqir Valteri, më 24 shkurt 1923, ku Zogu mbeti i plagosur. I dyti në Vjenë më 20 shkurt 1931, ku mbeti i vrarë adjutanti i tij, Llesh Topallaj dhe i plagosur ministri Myfit Libohova. I treti nuk e preku pasi ai ndërroi mendje për të bërë një shëtitje me anije bashkë me Geraldinën, e cila vetëm pak minuta më vonë shpërtheu.

 

 

Atentati i Vjenës

 

Më 14 janar 1931 mbreti Zog u nis për në Vjenë i shoqëruar nga ministri i Oborrit Ekrem Libohova, kryeadjutanti kolonel Zef Seregji, adjutant major Llesh Topallaj, 5 oficera të tjerë dhe Dr. Basho, mjeku personal i mbretit. Mbas katër ditësh Zogu me suitën e tij mbërrin në Vjenë, ku qëndroi në hotel Imperial. Vizita në kryeqytetin austriak bëhej për arsye shëndetësore. Zogu iu nënshtrua një vizite mjekësore të plotë nga profesorë e mjekë të thirrur për këtë qëllim.

 

Pas përmirësimit relativ dhe pasi mjekët i kishin thënë se nuk qe nevoja për operacion, Zogu nisi të ndjekë një jetë normale në Vjenë. Më 20 shkurt 1931 shkoi në opera i shoqëruar prej ministrit të Oborrit Ekrem Libohova, adjutantit Llesh Topallajt dhe Dr. Bashos. 

 

Kur doli nga opera, në shtyllë të saj kanë qenë të fshehur dy oficerë shqiptarë të ikur më 24 dhjetor 1924, Hazis Carni dhe Ndoc Gjeloshi. Teksa po hynte në automobil, mbreti e shoqëruesit e tij u qëlluan me revolver. U plagos ministri Ekrem Libohova dhe u vra major Llesh Topallaj. Ndok Gjeloshi, goditi me dy plumba, por Mbreti Zog iu përgjigj duke e qëlluar. Policia i arrestoi menjëherë atentatorët. Mbreti Zog shkoi menjëherë në hotel Imperial, ku banonte. Kryeministri me gjithë ministrat austriakë erdhën në hotel i kërkuan falje dhe i uruan shpëtimin.

 

Zogu më parë kishte qenë i informuar edhe nga qeveria shqiptare e Tiranës, por edhe nga shërbimet e Jugosllavisë se kundër tij ishte planifikuar një atentat, por Zogu nuk u dha rëndësi këtyre lajmeve. Disa vjet më vonë vetë Zogu do të lajmërojë Mbretin Aleksandër të Jugosllavisë për atentatin që po i përgatitej në Marsejë, nga i cili mbeti i vrarë bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme Franceze Barthou.

 

Lajmi i atentatit në tre mbas mesnate iu komunikua qeverisë shqiptare e cila të nesërmen njoftoi zyrtarisht publikun. Delegacione nga gjithë anët vijnë në Kryeqytet dhe i paraqesin Nënës Mbretëreshë urimet për shpëtimin e Mbretit Zog. Më 22 shkurt 1931 kolonel Hysen Selmani me oficerë niset për në Vjenë te Mbreti Zog, pas kërkesës së tij.

 

Brenda pak ditësh Mbreti Zog, largohet nga Vjena dhe niset në drejtim të Italisë, i shoqëruar edhe nga ambasadori italian në Vjenë që kishte marrë urdhër nga Roma të vihej në dispozicion të tij. Edhe pse ishte ftuar nga Mbreti i Italisë edhe nga qeveria italiane që të shkonte në Romë, mbreti i njoftonte ata se do të rezervonte një kohë tjetër për këtë dhe vendosi të kthehet sa më parë në Shqipëri. Më 19 mars 1931, në ora katër të pasdites, mbasi falënderoi dhe përshëndeti autoritetet dhe popullin e Venedikut, hypi në një kryqëzor italian, që ishte vënë në dispozicion dhe u nis për Durrës. Më 20 mars 1931 në mëngjes, Zogu mbërriti në portin e Durrësit, ku u prit me nderime nga ministra, deputetë, ambasadorë dhe nga populli.

 

Qeveria e Austrisë, e tronditur nga akti kriminal ndaj Sovranit të një vendi mik, kapi të gjithë shqiptarët që i gjeti të armatosur. Haziz Camin e Ndok Gjeloshin, i nxori para gjyqit. E gjithë ngarja ka gjetur një pasqyrim të gjerë në gazetat austriake të kohës, të cilat njoftojnë atentatin duke e ilustruar atë edhe me fotot përkatëse. Disa prej gazetave botojnë vizatime të personazheve dhe të vendit të ngjarjes. E njëjta gjë bëhet edhe për daljen para gjyqit të dy atentatorëve, Çami e Gjeloshi. 

 

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania