Avni Dani, Tiranë – 16 Qershor 2018
Zgjedhja e Rexhep Pashë Matit si ministër i luftës, në Stamboll është pritur me shumë entuziazëm. “Në kohën e mungesës së komandantëve me përvojë, përzgjedhja e Rexhep Pashës është një fat i madh dhe një mundësi shumë e mirë për të trajtuar plagët e Ushtrisë, që nga lënia pas dore e saj e deri tek padrejtësia dhe abuzimet, eliminimi i plotë i të cilave do ta bëjë përsëri ushrinë osmane, ndër ushtritë më të fuqishme në botë”, shkruante plot entuziazëm gazeta Kombi (Nation) e Stambollit.
“Bashkim dhe Përparim”
Partia “Bashkim dhe Përparim” ndikoi në emërimin e Rexhep Pashait, pasi e njihte atë shumë mirë dhe e cilësonte si hero të lirisë. Gjatë kohës që ishte në Tripoli ai i kishte trajtuar shumë mirë anëtarët e asaj partie të cilët ishin internuar në Libi. Kanë qenë të paktën 88 persona që për shkak të përplasjeve politike ishin internuar atje, por shumica e tyre, (përfshirë edhe Ismail bej Vlorën) mundën të iknin në vende të ndryshme të Evropës, falë ndihmës së Rexhep Pashait. Ndërkohë shumë prej atyre që mbetën në Libi, ai jo vetëm që nuk i burgosi, por i trajtoi shumë mirë dhe në disa raste i punësoi deri në rangje të larta të administratës. Madje falë ndihmës së Pashait “Bashkim dhe Përparim” mundi të ringrihet me të mërguarit e Tripolit.
Mbërritja në Stamboll
Mbërritja e Rexhep Pashës në Stamboll ka qenë, siç e përshkruajnë gazetat e kohës një festë e vërtetë. Për sa i përket ditës kur Rexhep Pasha mbërrin në Stamboll, shtypi turk thotë se ajo ka ndodhur më 14 gusht 1908. Pothuaj të gjithë gazetat e botuara më 15 gusht kanë shkruar se “Rexhep Pasha mbërriti dje, të premten më 14 gusht 1908 në Stamboll”. Ai mbërrin në kryeqytetin e Perandorisë me linjë detare nga Selaniku. Anija e tij është pritur që në Port nga qindra ushtarakë të lartë dhe zyrtarë civilë, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë mijëra njerëz. “Rexhep Pasha mori duartrokitje të mëdha kur zbriti në tokë dhe përgjatë minutave kur së bashku me të birin Ekrem Beu hipën në një makinë të hapur, më pas u ndaluan shpesh duke përshëndetur njerëzit”, shkruajnë gazetat turke të asaj dite. Ahmet Refik, autori i shkrimit në gazetën Populli (Milet) shkruante: “Askush nuk është pritur në këtë mënyrë, akush nuk ka patur kaq mirënjohje nga kombi”. Pas ceremonive madhështore të pritjes Rexhep Pasha shkoi tek veziri i madh Qamil Pasha e më pas pati një takim edhe me Sulltanin Abdulhamit, njoftonin gazetat. “Unë e njoh që të vogël Rexhep Pashën. Ai është shqiptar. Njeri me besnikëri, dhe me zemër të pastër”, citohet të ketë thënë Sulltani pas takimit me të, sipas sekretarit të tij Ali Xhevat.
Ministër i Luftës
Më 15 gusht 1908, ai merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Atë ditë, janë marrë vendime të rëndësishme dhe u bënë emërime të reja në nivelet e larta ushtarake. Pas takimit emocionues me Sulltanin dhe mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ai shkon në këmbë për në zyrën e tij, ku në sheshin e ministrisë e pret një turmë e madhe. Përshëndetet me njerëzit e më pas hyn në zyrë ku pranon urimet e të gjithë komandantëve ushtarakë. Punon në zyrë deri në orët e para të mëngjesit. Rexhep Pasha vazhdoi punën e tij në zyrë edhe të dielën më 16 gusht 1908, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë e ushtarakë të lartë, si sekretarin e ministrisë Pertef Pashën, komandantët Abdullah Pashën, Mahmut Muhtar Pashën, dhe takimin më të gjatë e ka patur me komandant Ferid Ismail Pashën më të cilin ishin miq të vjetër dhe kishin luftuar së bashku në shumë fronte. Ai e pyeti nëse do të pranonte emërimin e tij si komandant i përgjithshënm i ushtrisë. I tha të mendohej dhe pas një ore të kthehej në zyrën e tij për ti dhënë vendimin që do të merrte.
Vdekja e papritur
Gjatë kohës që bisedonte me njerëzit në zyrë Rexhep kishte ndjerë një dobësi që do ti shkaktonte vdekjen e papritur. Në pritje të takimit të dytë me Ferid Ismail Pashën kishte kërkuar pak ujë, dhe pasi ja sollën, ai e hodhi pak ujë në dorën e djathtë dhe me të lagu qafën. “Kurrë nuk më ka ndodhur kjo më parë” kishte thënë. Pastaj pjesën tjetër të ujit e kishte pirë. Pasi largon gotën, ndjen dhomën që po i lëkundej, mbyll sytë dhe nxjerr një shami. Mezi mundi të hapë sytë, frymëmarrja iu vështirësua dhe gjoksi i rrihte fort. I sollën përsëri ujë. Thirrën mjekët. Ata vijnë menjëherë. Gjendja e Rexhep Pashës rëndohet gjithnjë e më shumë. E kapin dridhje të rënda të trupit. Mjekët nxjerrin të gjithë njerëzit nga zyra dhe e shtrijnë pranë dritares. Por pavarësisht ndërhyrjes, rezultat nuk pati, Rexhep Pasha vdiq të dielën më 16 gusht 1908. Vdekja e Rexhep Pashanit u raportua tek Veziri i Madh, Qamil Pasha, i cili citohet të ketë thënë: “Subhanallah! Askush nuk do të mund ta zëvendësojë më atë” dhe ka urdhëruar ti dërgohet familjes një telegram ngushëllimi në emër të tij. Më pas lajmi i është njoftuar Sulltanit. Abdulhamiti thuhet se është shqetësuar jashtëzakonisht nga ajo vdekje.
Autopsia
Të nesërmen, më 17 gusht 1908, të hënën në mëngjes është kryer operacioni i autopsisë në prani të një komiteti shëndetësor në të cilin janë ftuar përfaqësues nga Ministria e Luftës, familja, avokati i familjes. Autopsia është kryer nën mbikëqyrjen e Mehmet Xhemil Pashës dhe ka zgjatur rreth një orë e gjysmë. Pas përfundimit të saj është përgatur një raport për Vezirin e Madh Qamil Pasha. Më pas po atë ditë Veziri i Madh Qamil Pasha bën një tjetër raport zyrtar për sqarimin e situatës. Përveç autopsisë edhe uji i pijshëm që Rexhep Pasha kishte konsumuar para se të vdiste është dërguar në Departamentin e Shëndetësisë për shqyrtim dhe analizë.
Një ceremoni e madhe varrimi
Pasi janë shpallur 40 ditë zi, përgatitjet për ceremoninë e varrimit kanë nisur që të dielën, më 17 gusht 1908. Është programuar një ceremoni ushtarake dhe urdhrat për funeralin janë dhënë nga njësitë përkatëse të Komandave Ushtarake, ku janë përcaktuar të gjithë detajet e zhvillimit të tij dhe qëndrimit të forcave ushtarake. Ndër to ishte paracaktuar që gjatë ecjes së trupit të vdekur në shtratin e topit ushtarët do ti mbanin pushkët me grykë poshtë në krahun e djathtë, ndërkohë që dy hapa në anë të tyre do ti kishte rrjeshta me kalorës. Ushtarët do të qëllonin me pushkët e tyre pasi të përfundonte varrimi. Në lutjet para varrimit (Falja e Xhenazes) kanë marrë pjesë veziri i Madh Qamil Pasha, Shehulislam Xhemaledin Efendi, ish veziri i Madh Ferit Pashë Vlora, zyrtarë dhe ushtarakë të tjerë të rangjeve më të larta. Në ceremoninë e varrimit kanë qenë të pranishëm të gjithë drejtuesit e ambasadave të huaja në Stamboll, patriarku ortodoks armen, patriarku ortodoks grek e shumë e shumë të tjerë përfaqësues nga vende të ndryshme të botës arabe e asaj perendimore. Njerëzit nga çdo anë e Stambollit ishin mbledhur në zonën midis Sheshit Bajazit dhe Tyrbes së Sulltan Mahmutit për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Rexhep Pashait. Numri i tyre i kalonte me qindra mijëra. Çdo cep ishte mbushur me mijë e mijëra burra, gra e fëmijë, të gjithë të veshur për të marrë pjesë në ceremoni. Lëvizja e trupit të Pashait gjatë funeralit, për shkak të mbingarkesës në shesh, ka patur një vështirësi të madhe dhe ka qenë jashtëzakonisht e ngadaltë. Një turmë kaq e madhe nuk është parë në që nga gjysma e shekullit të kaluar në asnjë vend të Europës, është shprehur një misionar katolik i pranishëm në ceremoninë e varrimit të Rexhep Pashës. Pas vdekjes së Rexhep Pashës u zbulua edhe një vlerë tjetër dhe anë e rëndësishme e karakterit: ndershmëria. Në çantën e tij u gjetën vetëm 56 grosh të cilat ju dorëzuan familjes, dhe pas kësaj krahas lëvdatave të mëdha u tha se Rexhep Pasha, guvernatori dhe komandanti, vdiq dhe nuk la pas asnjë pasuri por dhe asnjë padrejtësi. Ky nuk ishte një koment për dikë që vdiq, por një e vërtetë për një shtetar të madh, të ndershëm e njëkohësisht edhe të thjeshtë.
Mendime për vdekjen
Dr. Xhemil Topuzllu, që ishte i përfshirë në grupin që kreu autopsinë e Rexhep Pashës në kujtimet e tij shkruan se më erdhën në shtëpi dhe më thanë që Rexhep Pasha ishte plagosur gjatë kohës që punonte në zyrë, dhe më thanë të shkoj atje për ta vizituar. Kur mbërrita në Ministrinë e Luftës Rexhep Pasha kishte vdekur por trupi i tij ende nuk ishte ftohur, Nuk pashë asnjë plagë në trupin e tij por urdhërova që menjëherë të bëhej autopsia për të kuptuar shkakun e vdekjes së papritur. Ai shkruan se propozimi u pranua, dhe se shumë mjekë u mblodhën menjëherë, dhe me në krye mësuesin e tyre Yusuf Rahmi kryen operacionin. Ata panë që Pashait i kishte plasur zemra dhe se në gjoksin e tij ishin grumbulluar rreth 3 litra gjak. Xhemil Beu shkruan gjithashtu se kudo ishte përhapur lajmi se Rexhep Pasha ishte vrarë nga Sulltani, dhe për këtë kishin filluar demonstrimet. Një turmë e madhe ishte mbledhur para ministrisë dhe se ai mezi kishte mundur të kalonte nëpër turmë me vështirësi. Por ditën tjetër, kur raporti i autopsisë u botua në gazetë, ai shton se udhëheqësit e “Bashkim e Përparim” e besuan dhe kështu demonstratat përfunduan. Vdekja e papritur e Rexhep Pashait shkaktoi një trishtim të madh edhe në shtypin e Stambollit. Të gjithë gazetat njoftuan vdekjen e tij me trishtim të madh, dhe përshkrojnë me detaje jetën e vdekjen e tij. Por gazetat kanë qenë të ndara kur njoftonin shkaqet e vdekjes. Mjaft prej tyre thonë se vdekja erdhi për shkaqe natyrore, dhe citojnë edhe raportin e autopsisë. Ndryshe shkruan disa gazeta të tjera më pranë partisë “Bashkim e Përparim”. “Vëllezërit e mi janë duke ngrënë njëri-tjetrin. Po Rexhep Pasha është vrarë”, shkruante Ismail Haki në gazetën “Ikdam” të 17 gushtit 1908.
Kush ishte Rexhep Pashë Mati ?
Rexhep Pashë Mati (1842-1908) ishte një burrë shteti dhe një nga figurat më të mëdha ushtarake e diplomatike të Turqisë së Kohës së Sulltan Abdulhamitit. Ai tregoi aftësitë e tij si burrë shteti, ushtarak e administrator civil në një kohë kur Perandoria Osmane po i humbte territoret njëri pas tjetrit.
Rexhep Pashë Mati lindi në katundin Batër e Madhe të krahinës së Matit në vitin 1841. Ishte djali më i vogël i hoxhës Hasan Ruçi. Në vegjëli, Rexhepi sëmuret dhe i ati, ia dha me vete djalit të madh, Saliut, që punonte furrtar në Ederne (Adrianopojë) të Turqisë. I vëllai u pëkujdes për shëndetin dhe arsimimin e tij.
Pas përfundimit të arsimit fillor, Rexhep Pasha kryen Shkollën Ushtarake në Stamboll dhe bëhet oficer i këmbësorisë në vitin 1864. Nis shërbimin në këmbësori në 1865. Detyrën e parë e mori në Armatën e Gjashtë të përqendruar në Bagdad si toger. Tregon aftësi të jashtëzakonshme në betejën ruso-turke në vitet 1877-1878. Pas kësaj beteje, ai bëhet komandant legjioni në Yanya dhe Bolayir. Për një periudhë të shkurtër, bëhet kryetar i shtabit të Armatës së Gjashtë e më pas emërohet në Armatën e Tretë, si komandant legjioni në Serfixhe. Merr gradën general dhe caktohet komandant i përgjithshëm në Qarkun e Selanikut, dhe arrin sukses në vendosjen e paqes veçanërisht në vilajetin e Kosovës. Në këtë kohë merr titullin "Pasha" dhe prej atëherë njihet si Rexhep Pashë Mati.
Më 1889 u caktua komandant në Armatën e Pestë të përqendruar në Damask, ku shërben për rreth dy vjet. Pas trazirave në Bagdad dhe rrethinat e tij, emërohet komandant atje ku qëndron më shumë se shtatë vjet. Sigurisht, stacioni i tij më i rëndësishëm është Tripoli. Ai shërben aty si Komandanti i Legjioni për gjashtë vjet dhe në katër vitet në vijim si Guvernator i Libisë. Shquhet si mbrojtës i rajonit nga politikat pushtuese të Britanisë, Francës dhe veçanërisht të Italisë. Ai luftoi kundër zgjerimit italian në ekonomi dhe politikë, dhe ai u përpoq të parandalonte ndërhyrjet e Banco di Roma. Në 1908 u caktua si Ministër i Luftës ku 2 ditë pas qëndrimit në detyre vdiq në mënyrë të papritur.
Rexhep Pashë Mati ishte një patriot i madh. Ai vlerësohet të ketë qenë krahu ushtarak i Ismail Qemalit, në përpjekjet e tij për Pavarësinë e Shqipërisë. I njohur nga të gjithë rrethet patriotike shqiptare (ai kishte spikatur gjithmonë me ndihmën që u kishte dhënë të tjerëve, edhe Ismail Qemalit vetë), vlerën e tij për vendin do ta materializonte Andon Zako Çajupi, që në poezinë e tij “Besa-Besë” ku shkruan: “Ngrehu Rexhep Pashë, ngrehu, /Ngrehu se të thërret Atdheu,/Në ke sedër e namuz, /Mos rri në Tarabulluz” (Libi).
Rexhep Pashë Mati ishte dhe mbeti për gjithë jetën e tij një matjan i mirë. Ai kishte lidhje me Xhemal Pashë Zogun me të cilin ishin jo vetëm miq të mirë por edhe bashkëpunëtorë në përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë. Kur shërbente në Libi sekretar i tij ishte Fejzi Bej Alizoti, një personazh i njohur në politikën shqiptare. Por ndihmës të sekretarit të tij ai kishte një matjan: Hamit Lezin nga Gurra e Vogël. Në këtë kohë pranë tij shërben edhe i biri, Eqeremi, që kishte ndjekur rrugën e të atit, duke u bërë ushtarak.
Ismail Qemali, në kujtimet e tij shkruan: “Rexhep Pashë Mati ishte pikërisht njeriu më i aftë për një ndërmarrje të tillë (mbështetjen ushtarake për pavarësinë). Ai kishte një kurajë të denjë për një shqiptar dhe njihej për patriotizmin e tij të lartë”. Ndërsa në vitin 1941, Haki Stërmilli shkruan: “Unë besoj se ky njeri, me të vërtetë i madh, meriton të zërë një vend nderi në historinë e Rilindjes Kombëtare, përkrah atyre që na bëjnë t’u jemi mirënjohës”.
* Shënim: Për këtë shkrim janë përdorur të dhëna nga libri “Rexhep Pasha – karriera ushtarake e politike” e autorit turk Dr. Abdylnezir Jiner, Stamboll 2006.
© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania