Nga Avni Dani, Tiranë – 11 Korrik 2020
Një vend që me kalimin e viteve shkonte drejt rrënimit. Kjo ka qenë Shqipëria e gjysmës së dytë të shekullit 20! Janë të shumta përshkrimet që kanë bërë gazetarët e diplomatët e huaj që e kanë vizituar vendin tonë në atë kohë. Librat dhe shkrimet e tyre në gazeta e revista janë me qindra. Mes tyre është edhe gazetari nga Libani Melhem Mobarak. Me frekuenca prej pak më shumë se 10 vitesh, ai e shikon atë që ndodhte në Shqipërinë e kohës së komunizmit tre herë. (Ai e vizitoi vendin tonë edhe në shtator 1991, por vizita e tij e katërt bëhet në kohën kur komunizmi kishte marrë fund si sistem). Përshtypjet nga tre vizitat e para ai i ka përmbledhur në një shkrim të botuar në Buletini Katolik Shqiptar, një revistë që dilte në SHBA. Në vizitën e tretë, atë të vitit 1990, autori do të ketë mundësinë të shikojë më shumë nga Shqipëria, që tashmë kishte nisur të zgjohej. Në atë kohë, siç shkruan Naum Prifti, Mobarak ka zbuluar edhe varrin e motrës së Ali Pashë Tepelenës, që u konsiderua një ngjarje me rëndësi dhe që dëshmonte se shumë thesare historike kishin mbetur të panjohura. “Mobaraku zbuloi në Libohovë, gurin e varrit të Shanishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës, pasi vizitoi varrezat dhe zbuloi stelën e shkruar arabisht”. Në atë kohë stela e varrit u dërgua në Muzeun e Gjirokastrës.
Vite më vonë Mobarak boton në frëngjisht edhe librin e tij për këto vizita, titulluar “Kujtimet e një Albanosauri”, (përkthyer në shqip nga shtëpia botuese Onufri), ku ndër të tjera shkruan edhe se mes shumë personaliteteve shqiptare të emigracionit, ai ishte takuar në Liban, edhe me Leka Zogun, me të cilin kishte folur për Mbretin Zog.
Në vijim po sjellim të përkthyer prej vëllimit 12 të Buletinit Katolik Shqiptar, shkrimin e botuar më 1991. A.D.
Melhem M. Mobarak
Kam patur privilegjin ta vizitoj Shqipërinë tre herë, përkatësisht në vitet 1967, 1978 dhe 1990. Në secilën vizitë, atje pashë të ndodhin ngjarje të rëndësishme që e formësonin në mënyrë drastike strukturën sociale dhe kulturore të këtij vendi të bukur të Ballkanit.
Në vitin 1967 Revolucioni Kulturor ishte në vërshim e sipër. Duke imituar homologun e tij kinez, por me qëllime të ndryshme, Enver Hoxha kishte vendosur t’i jepte goditjen e fundit fesë në vendin e tij. Pashë xhamitë dhe kishat shekullore duke u rrënuar, minaret e hijshme dhe të pakta të Elbasanit që prisheshin, kreshtat e tyre të këndshme që zëvendësoheshin nga ylli i kuq.
Kam fotografuar manastiret dhe kishat e bukura të Gjirokastrës pa kryqet e tyre, që ngjanin si një trup pa kokë.
Në veri, vizitova Bogën dhe Thethin: vetëm dhitë bredhnin nëpër kapelat dhe kishat e vogla të mjeruara, të rrethuara me shkurre dhe nga varreza të shkatërruara. Ajo pamje e dhimbshme kontrastonte ashpër me natytën e bukur plot me ngjyra vjeshte. Shkodra, qendra e katolicizmit kombëtar, ishte duke i shndërruar katedralet e saj në një muze ateist dhe një gjimnaz. Vitet kaluan ... ndërkohë që bota mbeti pa zë.
Viti 1978. Unë qeshë përfshirë në përpjekjet për kthimin e eshtrave të Vaso Pashës nga Libani në Shqipëri me rastin e njëqindvjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Fati është i çuditshëm: nga një varr katolik në kodrat libaneze, eshtrat e tij erdhën të varroseshin në një varr pa kryq në Shkodër.
Gjatë kësaj vizite të dytë në Shqipëri, mua mu shtruan tapetet e kuqe nga autoritetet zyrtare. Sidoqoftë, kur kërkova të vizitoja Oroshin, kërkesa ime u mohua diplomatikisht. Sa për dëshirën time për t'u takuar me disa priftërinj, hoxhallarë ose ndonjë baba, përgjigjja ishte se "nuk ka më relike të tilla të së kaluarës", se të gjithë ata ishin "konvertuar" në ideologjinë komuniste dhe po jetonin tani si çdo qyetar tjetër". Sidoqoftë, qeshë me fat që isha një nga të paktët të huaj që nga Lufta e Dytë Botërore, që vizitova Mirditën. Çfarë vendi i bukur! Por në këtë djep të katolicizmit shqiptar, të gjitha shenjat e dukshme të adhurimit fetar ishin zhdukur. Vetëm fytyrat e plakura dhe serioze tani mund të tregonin historinë e njëmbëdhjetë viteve të kaluara.
Në vende të tjera, varrezat e bektashinjve po shkatërroheshin gjithnjë e më shumë, veçanërisht në Krujë dhe Berat. Në jug, vargu i bukur i fshatrave Derviçan, Goranz, Sofratikë dhe Goricë të ngjallnin një ndjenjë ankthi. Është e çuditshme se si mund të tërhiqen paralele midis kësaj periudhe dhe asaj të Ali Pashë Tepelenës. Gëlqerorët gri dhe malet e zhveshur përzihen në mënyrë misterioze me fytyrat e njerëzve që duket sikur tregojnë për historinë shumë të trishtuar të kësaj pjese të vendit. "Shoqëruesi " im gjatë gjithë vizitës së dytë në Shqipëri ishte vetë shoku Misto Treska, ish-sekretari i shtypit i Enver Hoxhës, ish-kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me vendet e tjera, që po përgatitej të bëhej ambasadori shqiptar në Paris. Ai është padyshim një nga personalitetet më të këndshme, inteligjente dhe të hapur të Shqipërisë. Rrugët dredha-dredha në fshatrat shqiptare të nxisin për biseda rastësore.
Shoku Misto më thotë me krenari se ai, si Prokuror i Përgjithshëm, urdhëroi ekzekutimin e At Anton Harapit në 1946. Ai është mjaft i zgjuar për të pranuar që feja nuk është zhdukur plotësisht në vend. “Një punë e duruar dhe e përpiktë duhet të bëhet vazhdimisht”. Ai më tha se si nëna e tij, që ishte një ortodokse shumë e zellshme e kundërshtoi fushatën antifetare të vitit 1967 me fjalë dhe vepra. Ndërmjet dëshirës për t'u përballur me linjën zyrtare të Partisë së djalit të saj dhe besimit të vet, ajo vazhdoi të mbante të dytin. Misto Treska i tha asaj që të vazhdonte me bindjen e saj nëse këtë e dëshironte. Kështu ajo vazhdoi të nderojë me vite ikonat e Krishtit dhe të Virgjëreshës Mari. Vetëm disa muaj para vdekjes së saj, ajo më në fund pranoi se "përkushtimi fetar ishte një farsë e madhe", dhe se, "Partia kishte patur të drejtë që e hoqi". Duhet të pranoj se kjo histori, megjithatë, më la një shije të hidhur.
1990 ishte shumë më ndryshe. Meqenëse isha ftuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare, unë kërkova leje për t'u takuar me Peshkopin Mëhill Troshani që përpara mbërritjes time, me një letër drejtuar Jorgo Melicës, Presidenti i Komitetit për Marrëdhëniet Kulturore dhe Miqësore të Shqipërisë me vendet e tjera. Peshkopi Troshani është peshkopi i fundit katolik shqiptar që mbijeton. Ai ishte liruar nga burgu një vit më parë dhe tani po jetonte me të afërmit në Lezhë.
Sidoqoftë, kur e takova zotin Melica ai më tha si i zënë në faj, se ai nuk mund ta pranonte kërkesën time "sepse nuk i përshtatet një mysafiri si ju që të përzihet me një kategori të tillë personash."
Kur u takova me Ismail Kadarenë disa ditë më vonë dhe i thashë se çfarë më kishte ndodhur, ai tundi kokën dhe tha: "Ata e kanë gabim. Duhet të të kishin lejuar që të takoheshe me të." Përkundër kësaj ngjarje të parë, unë pashë ndryshime dramatike në sjelljen dhe mentalitetin e njerëzve. Ata flisnin pak a shumë të lirshëm nëpër rrugë. Një kamerier më tha se është katolik dhe se lutej në shtëpi çdo ditë me familjen e tij. Në aeroportin e Rinasit, një grua refuzoi butësisht disa ëmbëlsira që unë i ofrova asaj duke më thënë me buzëqeshje, "Unë jam duke agjëruar për Ramazan". Edhe disa zyrtarë shqiptarë ma pranuan se prindërit e tyre ende i përmbaheshin besimit në të cilin kishin lindur.
Këtë mentalitet e konfirmon profesori Milliez, ish-mjeku privat francez i Enver Hoxhës. Në kujtimet e tij të botuara së fundmi (Paul Milliez : Ce que j'espere. Botimet Odile Jacob, Paris, 1989) ai thotë se "disa udhëheqës [shqiptarë], marksistë të vendosur, ende po i pagëzojnë fëmijët e tyre fshehurazi me ndihmën e priftërinjve ortodoksë".
Në një libër tjetër të sapo botuar në Paris (Elizabeth et Jean-Paul Champseix: 57 bulevard Staline. Chroniques albanaises. La Decouverte. Paris, 1990. Autorët ishin mësues të frëngjishtes në Universitetin e Tiranës nga 1982 deri 1988) mund të lexohet : "Qendra kulturore franceze u dërgon rregullisht libra autoriteteve shqiptare. Në 1984, urdhri na befasoi. Na kërkuam të dërgonim “Penses of Paschal”, një libër për Shën Françeskun e Asizit, shkruar për Nënë Terezën. Ne e dinim se lexuesi i parë i atyre teksteve nuk do të ishte askush tjetër përveç vetë Enver Hoxhës që e dinim se ishte shumë i sëmurë". Kur të gjithë e shohin gjithashtu se Nexhmije Hoxha mban rroba të zeza që nga vdekja e burrit të saj, është e kuptueshme që feja është pjesë në mendjen e çdo shqiptari, pavarësisht nga përkatësia e tij politike apo shoqërore.
Mbërrita në Shqipëri në prag të ditës së Pashkëve. Më duhet të them se mungesa e manifestimeve fetare të jashtme dhe heshtja e kambanave të Kishës gjatë natës së Pashkëve më bëri të ndihesha i shqetësuar. Sidoqoftë, të dielën në mëngjes, një diell i mrekullueshëm ngrohte rrugët të mbushura me njerëz. Më tërhoqën veshjet e bukura të stolisura e të zbukuruara që gratë dhe fëmijët kishin veshur atë ditë. Burrat gjithashtu dukeshin shumë ceremonialë me kostumet e tyre të errëta, me këpucë të llustruara dhe këmisha të bardha. Dukeshin të gjithë sikur po shkonin për në kishë. Pashka ishte padyshim në mendjet e njerëzve. Shumë njerëz në rrugë më mirëprisnin, megjithëse të matur, pëshpërisnin "Gëzuar Pashkën!" Në mbrëmje, po ndiqja një kanal televiziv italian në hollin e hotelit Dajti që transmetonte "Pasioni i Krishtit". Gjërat në Shqipëri vërtetë po ndryshonin.
Isha në Shkodër, ku shkova për të vënë një tufë lule në varrin pa kryq të Vaso Pashës. Në këtë qytet të Veriut, më lejohej të vizitoja dhe fotografoja praktikisht gjithçka: Kisha e vjetër françeskane e Shën Ndout tashmë ishte kthyer në "Klub të Rinisë", ndërkohë që më parë quhej “Kinema Republika”. Sa i përket Muzeut Ateist, Midhat Dibra, kurator i muzeve të Shkodrës më tha se, "Të huajt e kanë kritikuar shumë këtë muze. Ndaj së shpejti ne do të paraqesim faktet e ateizmit në një mënyrë më shkencore dhe më pak provokuese".
Nga Shkodra, në Pukë dhe më pas në Kukës, nëpër kodra shikon varreza të rrënuara. Duke u kthyer përsëri nëpër Mirditë, pashë Oroshin nga larg. Tashmë ai është e lidhur me një rrugë automobilistike me Rrëshenin. Sidoqoftë, në të mund të kalojnë vetëm kamionët, xhipat ose automjetet me shasi të larta. Meqë binte shumë shi vendosa me pikëllim të thellë të mos e vizitoja Oroshin.
Kthehem në Tiranë. Shkova e vendosa lule mbi varret pa kryq të Rozës dhe Age Bojaxhi, përkatësisht nëna dhe motra e Nënë Terezës. Falënderoj për këtë gjithë zyrtarët shqiptarë që e bënë të mundur këtë "shtegtim". Në varrezat e Tiranës, shumica e varreve mbajtur me kujdes. Asnjë simbol fetar, as kryq as gjysmëhënë nuk shihet gjëkundi. Megjithatë unë e vërejta një kryq të gdhendur në pllakën e varrit të një ushtari të vrarë në një aksident rrugor. Kur doja të bëja një foto, kujdestari i varrezave, duke i hamendur qëllimet e mia, ndërhyri. Sulejman Tomçini, shoqëruesi im në këtë vizitë dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Lindjen e Mesme e qetësoi atë me fjalët " S'ka problem. Është për përdorim kulturor!" Duke parë qark në varreza shquhen njerëzit që luteshin në heshtje përpara varreve të të dashurve të tyre. Një grua e veshur me të zeza përshpërit disa vargje të Kuranit. Një tjetër ndez një qiri dhe e vendos pranë një varri.
Në Korçë, muzeu i Artit Mesjetar përmban dhjetëra ikona të bukura të pikturuara nga mjeshtra të famshëm si Onufri, Selenicasi dhe Shpataraku. Ekziston edhe një ikonostas shumë mbresëlënës i krijuar nga Mjeshtër Dhimitri. Ky muze me pamje të zymtë është ish kisha "Burimi Jetëdhënës". Ditën e pazarit, të Dielën pas Pashkëve, në mesin e karvaneve me gomerë, dele, dhi, mushka dhe derra, e lëmë Korçën për në Voskopojë. Rruga është me baltë dhe plot gropa. Ngjyrat okër, të gjelbërta të kodrave përreth, dhe e kaltërta e qiellit ja shtojnë bukurinë e peizazhit. Pas një ore, në arrijmë në destinacion. Fshati ka qenë shkatërruar plotësisht gjatë luftës dhe që nga atëherë është rindërtuar plotësisht përsëri. Nga qindra kisha dhe manastire vetëm disa kanë mundur të mbijetojnë. Vizitova rrënojat e kishave të Shën Kollit dhe Shën Marisë. Afresket e tyre polikromike (shumëngjyrëshe) janë vërtetë të bukura. Autoritetet shqiptare tani janë në proces të rikthimit në funksion të të gjitha kishave dhe xhamive, duke u përpjekur sa të jetë e mundur të riparojnë pasojat e dëmshme të Revolucionit Kulturor të 1967.
Ky restaurim tani ka arritur deri në nivelin intelektual. Ismail Kadare kohët e fundit ka dënuar politikën letrare zyrtare të ndjekur nga regjimi aktual. Ai ka vlerësuar Gjergj Fishtën dhe Ernest Koliqin, të dy shkrimtarë të shquar katolikë. Librat e tyre së shpejti do të ribotohen në Shqipëri. Kur e pyeta Kadarenë nëse edhe veprat e Terenc Tocit do të ndiqnin të njëtin drejtim, ai me humor tha: "Jam i sigurt që edhe Toci do të jetë aty midis Fishtës dhe Koliqit!"
Në prag të largimit, Jorgo Melica shtroi një darkë lamtumire për mua. Pak para ngrënies, ai më dha disa foto me ngjyra të Nexhmije Hoxhës duke mirëpritur Nënë Terezën në Tiranë. E veja e Enver Hoxhës u tregua e sjellshme duke mi dërguar ato. Ajo gjithashtu i kishte dhënë Milicës një letër për mua, shkruar në një frëngjishte të përsosur, me të cilën më përshëndeste mua për vizitën në Shqipëri dhe kërkonte falje që nuk pati kohë të më takonte gjatë qëndrimit tim atje, për shkak të orareve të ngjeshura të punës në përgatitjen e Plenumit të Dhjetë (të Partisë). Rastësisht, kjo letër e datës 21 Prill i paraprinte asaj që ajo do t’i shkruante Nënë Terezës katër ditë më vonë. Letra për Nënë Terezën, në të cilën ajo i uronte asaj "Pleqëri të bardhë", u botua më pas në numrin e majit të revistës "Shqipëria e re". Qoftë ky një urim edhe për të gjithë drejtuesit shqiptarë, në mënyrë që mençuria të mbizotërojë gjithmonë.
© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania