Publicistika shqipe nga nisja e vet



Avni Dani, Tiranë – Prill 2016

 

Fundi i periudhës së Rilindjes Kombëtare deri në fillim të viteve 30 të shekullit të XX përkojnë me historinë e rizbulimit të veprës e njëkohësisht edhe të Pjetër Budit si autor. Kjo është edhe koha kur lind dhe zhvillohet me plot kuptimin e fjalës publicistika shqipe. Do të ishin gazetat e përkohshme dhe revistat e këtyre viteve, si edhe njerëzit më të ditur të kohës, që do të risillnin në mesin e figurave të mëdha të kombit edhe Pjetër Budin. Vepra e tij ndonëse në masën më të madhe të saj kishte karakter fetar, do të bëhej pikë reference për një shërbim tjetër të madh kombëtar: për gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj. 

 

Budi i sjellë për publikun në tërë madhështinë e tij, falë kontributit të padiskutueshëm të klerit katolik, pjesë e të cilit ai kishte qenë edhe vetë, në fakt është risjellë për herë të parë në publicistikën shqiptare nga një patriot i madh, nga një shqiptar i madh por që nuk i përkiste atij besimi: Faik Konica. Ka qenë një gjetje e tij në një bibliotekë të Parisit pikënisja e rizbulimit të Budit dhe veprës së tij, punë për të cilën në vitet më pas u angazhuan figura shumë të njohura të kombit siç janë Ndre Mjeda, Kol Mjeda, Filip Fishta, Ilo Mitkë Qafëzezi, Ernest Koliqi e deri tek Martin Camaj.

 

Por duke qenë se është një fakt tashmë i njohur historik, i padiskutueshëm në rizbulimin e Budit do të jetë edhe kontributi i profesorit francez Mario Roques (1875-1961). Ai paralelisht me përpjekjet e patriotëve shqiptarë do të hetonte në Vatikan të gjithë veprën e Budit që ne njohim sot.     

                                                         

***

 

Por para se të shohim rrugën që ndoqi rizbulimi i Budit nëpërmjet publicistikës, ja vlen të hedhim një vështrim mbi pejsazhin mediatik shqiptar nga nisja deri në fundin e viteve 30 të shekullit të kaluar.

 

Ka një mendim të përgjithshëm që publicistika shqiptare i ka fillesat e veta me gazetën e përmuajshme “Fiamuri i Arbërit” që Jeronim De Rada nisi ta botonte në Kalabri në vitet 1883-1887. Të këtyre viteve (1884-1885) janë edhe revistat mujore “Drita” e që më vonë u bë “Dituria”, të botuara në Stamboll nga Sami e Naim Frashëri. Me këto të përkohshme niste rrugën një publicistike e cila për vite me radhë do të kishte një rol të pa zëvendësueshëm për përhapjen e ideve kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar.

 

Në pak vite në vijim peisazhi i gazetave shqipe do të njihte një shtrirje të shpejtë në hapësirë, e në të njëtën kohë numri i titujve do të kishte një rritje të shpejtë. Dhjetëra patriotë të mëdhenj do të angazhonin potencialet e tyre intelektuale e financiare duke i shërbyer çështjes kombëtare edhe me penë. Edhe pse gazetat e revistat e kësaj kohe nuk botoheshin në Shqipëri, ato me rrugë e me mjete të ndryshme përhapeshin në atdhe, ku kalonin dorë më dorë e lexoheshin me etje të madhe.

 

Ndër titujt më të rëndësishëm të këtyre viteve janë: “Shqiptari” (Bukuresht, 1888-1903), nën drejtimin e Nikolla Naços; “Shqipëria” (Bukuresht, 1897-1898), nën drejtimin e Visar Dodanit dhe Jorgji Meksit, “Albania” (Bruksel e Londër, 1897-1909), nga Faik Konica ; “Kalendari kombiar” (Sofje, 1897-1915), nën drejtimin e Kristo Luarasit e Lumo Skëndos, “Drita” (Sofje, 1901-1908), nën drejtimin e Shahin Kolonjës, “Besa-Besë” (Kajro, 1900-1904), nga Milo Duçi, “Albania” (Beograd, 1902-1905), nga Jashar Erebara, “Shpnesa e Shqypnisë” (Raguzë, Trieste e Romë, 1905-1908), nën drejtimin e Nikollë Ivanajt ; “Kombi” (Boston, 1906-1908), nga Sotir Peci e shumë gazeta të tjera të botuara në SHBA, Itali, Kajro, Manastir, Selanik e qendra të tjera të mëdha të kohës.

 

Në pak vite organet e shtypit u bënë tribuna kryesore të mendimit politik e shoqëror shqiptar. Në to gjetën pasqyrim në radhë të parë lufta e popullit shqiptar për autonominë e vendit, që ishte kërkesa themelore e lëvizjes kombëtare të kohës. Pjesa më e përparuar e atdhetarëve, e sidomos intelektualët me ide radikale, shumë shpejt do kërkonin një Shqipëri të pavarur ose, siç shpreheshin ata, veçimin e ndarjen e plotë të saj nga Perandoria Osmane. Publicistika do të ishte tribuna e zjarrtë e idesë kombëtare, e cila do të gërmonte kudo në skutat e historisë për të zbuluar fakte e për të ngjallur nëpërmjet tyre ndërgjegjen kombëtare. Krahas heroizmit të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut në ndihmë të ngjalljes së idesë kombëtare do të “thirreshin” edhe shumë figura të tjera të shquara të periudhës pas skënderbejane.  

   

Pak vite para pavarësisë shtypi i shkruar do të niste botimet edhe brenda Shqipërisë. Në traditën e të përkohshmes thellësit fetare Elecija e Zemrës së Krishtit që kishte nisur të dilte që nga viti 1891 në Shkodër, vite më pas do të nisnin botimin gazetat e para me karakter kombëtar si “Tomorri” që nisi të dilte në Elbasan në vitin 1908, “Drita” në Gjirokastër më 1910 për të vijuar në vitet e para të Pavarësisë me gazetën “Përlindja e Shqypnis” që Dhimitër Berati e nxori në Vlorë si organ të qeverisë së Ismail Qemalit, “Posta e Shqypnies” gazeta në dy gjuhë që Gjergj Fishta nxori e drejtoi në Shkodër, për tu pasuar më pas me tituj të tjerë që dilnin në Shkodër, Elbasan, Vlorë e Korçë.

 

Në vitin 1920, vit kur Tirana do të shpallej kryeqytet i vendit, do të niste edhe këtu rruga e publicistikës. Gazeta “Zani i Ri” e Osman Myderizit në pak vjet do të pasohej nga tituj të tjerë të spikatur për kohën si “Xhoka” e “Dajti” gazeta që i nxori patrioti i madh i kohës Ibrahim Dalliu si edhe mjaft tituj të tjerë. Në dhjetë vitet në vijim, Tirana do të bëhej qendra e publicistikës shqiptare. Në harkun kohor të viteve 1920-1944 në Tiranë kanë dalë 131 tituj gazetash e revistash, ndërkohë që në 10 vite nga 1920 në 1930 këtu do të silleshin e viheshin në punë plot 21 shtypshkronja.

 

Këto botime do të mbulonin me artikujt e tyre të gjitha çështjet që kishin të bënin me jetën e shqiptarëve e të trojeve të tyre. Do të jenë të shumta shkrimet për gjuhën, shkrimin shqip, shkollën shqipe, fenë e besimet fetare, etnografinë, historinë, kulturën, traditën, mënyrën e jetesës dhe ekonominë.    

         

***

 

Në këtë kohë, në publicistikë, rizbulohet shkrimtari i hershëm shqiptar Pjetër Budi dhe vepra e tij. Në pamundësi për të kaluar nëpër duar të gjithë volumin e gazetave e revistave të këtyre viteve, e konsideroj me fat, falë dixhitalizimit të koleksioneve të botimeve më kryesore të kohës, mundësinë për të ndërtuar një panoramë sado e përgjithshme, të trajtimit të figurës dhe veprës së Budit në publicistikën e asaj kohe. “Albania” e Konicës, “LEKA” dhe “Hylli i Dritës”, botimet e klerit katolik në Shkodër, si edhe revista “Shejzat” e dalë shumë vite më vonë në Romë, sjellin fakte vërtet interesante.

 

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania