Në emër të dashurisë – Historia e bizhuterive të Mbretëreshës Geraldinë (Foto)



Nga Avni Dani, Tiranë – 22 Tetor 2019

 

Përshkrimi i figurës së Mbretit Zog është ndoshta vizatimi me kontrastet më të thella. Kundërshtarët nuk kanë nguruar ta paraqesin deri edhe si një vrasës të pashpirt, hajdut e çfarë nuk kanë thënë për të. Krejt ndryshe nga ata që e kanë njohur. E mbi të gjithë, siç dhe është e natyrshme, përshkrimet e të afërmëve japin një figurë tejet të dashur. Mes atyre përshkrimeve që e paraqesin Zogun si një fisnik të vërtetë, nuk ngelet më pas, njeriu që e deshi aq shumë atë, Mbretëresha Geraldinë. Me po atë dashuri që Mbreti i bleu xhevahiret e dasmës për nusen e tij të re, Geraldina njëzet vite më pas, po në emër të një dashurie të madhe, bën të kundërtën: i shet ata. Vërtet diçka e rrallë. Në vitin 1959 bizhuteritë e Geraldinës qenë ekspozuar në Paris. Në fotot e bëra në atë kohë bie në sy luksi i tyre. Ishin vërtet diçka me shumë vlerë. Por fisnike siç ishte, në ditën kur Mbreti kishte aq shumë nevojë, asaj nuk iu dhimbsën aspak thesaret e veta të shtrenjta. Një histori që bën me nder Mbretëreshën që jo më kot e kanë quajtur “Trëndafili i Bardhë i Tiranës”, e bardhë ashtu si xhevahirët e saj.

 

U blenë në emër të dashurisë

          

Geraldina kujton: “Një mëngjes, kur unë me Mbretin mbaruam së biseduari, ai thirri një nga oficerët, i cili hyri me një tabaka të madhe plot me kuti. I hapëm një e nga një. Në fillim ishte një diademe që vezullonte nga diamantet, me një gur në qendër, ku ishte gdhendur përkrenarja e Skënderbeut. Midis gjerdanëve ishte një lidhëse me një diamant të madh. Unë mbeta pa frymë nga ngazëllimi, kur Mbreti zgjodhi një byzylyk me diamante dhe ma vuri në dorë. Pastaj zgjodhi vathë me një diamant që të kombinoheshin me diademën. Pashë një kuti që kishte një zinxhir prej floriri të bardhë me një kryq me diamante. E kisha të vështirë t’ia ndaja sytë.” Biografja e Geraldinës, vijon rrëfimin e saj: “Pjesa më e madhe e plaçkave u soll nga Parisi prej vetë Mbretit, i cili kishte shije të hollë dhe i pëlqente shumë të zgjidhte veshjet për Geraldinën. Ai kishte porositur një rrobaqepës të vinte nga Franca për të marrë masat e Geraldinës, ndërsa dy shtëpitë e modës Channel dhe Worth, të zgjedhura nga Mbreti, bënë një kallëp me përmasat e saj.” Në mbrëmjen e dasmës ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga Worth, posaçërisht për të. Gishti i unazës vezullonte nga një diamant i mahnitshëm katërmbëdhjetë karatësh ngjyrë bojeqielli të lehtë. Për herë të parë dhe të vetme edhe Mbreti mbante një unazë fejese nga Hungaria, prej floriri, rubini dhe safiri, e cila kishte qenë e gjyshit të Geraldinës, kontit Giula Aponi.

 

Pas dasmës, një lajm i trishtë

 

Të shtunën pas dasmës Mbreti vendosi t’i kthente bizhuteritë që nuk i bleu, me vlerë 1.052.000 dollarë, me një avion. Avioni u përfshi nga furtuna dhe u përplas në malin Maranola të Apenineve. Barinjtë gjetën trupat e 19 pasagjerëve, por pak gjurmë të bizhuterive. Diamantet dhe gurët e tjerë të çmuar u dogjën, platini dhe floriri u shkrinë. (Kthimi ishte i siguruar). Midis pasagjerëve ishin ministri shqiptar në Romë, gazetarë, që përshkruan martesën dhe amerikania, zonja Helen Lindhein e New-Yorkut.  Geraldina kujton se rrëzimi i avionit ku ishin dhe disa prej dasmorëve, ishte si një shenjë e keqe që ajo nuk e harroi asnjëherë. Ngjante si paralajmërim për lumturinë e tyre të shkurtër në Shqipëri. Shtypi italian raportonte deri në mes të viteve ‘70 se banorët e zonës vijonin të kërkonin në zonën ku u rrëzua avioni për gurët e çmuar të firmës ”Cartier” që po udhëtonin me një valixhe special, por pa sukses.

 

U shitën në emër të dashurisë

 

Janar të vitit 1961. Familja Mbretërore me gjithë Mbretin Zog, sipas librit të autores britanike Guen Robyns, nga Kana me tren shkon në Paris. Mbreti Zog ishte shumë i sëmurë. U shtrua në spitalin “Foch” ku gjendej laboratori më i mirë kërkimor në Paris. Geraldina qe e para që mësoi se Mbreti vuante nga kanceri në stomak. Sëmundja kërkonte trajtim special dhe ata kishin fare pak para mënjanë. Atëherë ajo mori një prej vendimeve më të rënda të jetës së saj. Vendosi të shesë stolitë e hershme, përfshi unazën e fejesës, e prodhuar nga firma Cartier me një diamant blu, 14 karatësh. “Kur e morëm vesh përtej çdo dyshimi se ai kishte kancer, i telefonova zotit Ostier, në Nju-Jork, ku kisha lënë pjesën e fundit të stolive të mia, dhe i kërkova të dërgonte ne emrin e Lekës 10 mijë dollarë. Kishim bërë një kontratë në Nju-Jork që stolitë nuk do të shiteshin poshtë një shume të caktuar, por për fat të keq nuk u shitën shumë sipër saj. Sot ato stoli do të vlenin shumë më tepër.” Më 1999, në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, Geraldina deklaronte: “Për këdo që i ka blerë, ato përbëjnë një stoli të bukur dhe me vlerë. Per mua ishin më shumë se kaq, ishin fejesa, dashuria dhe jetesa ime me burrin që doja”. 12 vjet pasi Mbretëresha Geraldinë ndërroi jetë, në 2014, unaza e saj u shit në një ankand në Zvicër. Blerësi mbeti anonim ashtu si shuma që ai pagoi, sipas shtypit: disa milion dollarë!

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim e tij (Nga Avni Dani, Tiranë) dhe të vendosë linkun e burimit në fund : https://www.darsiani.com/krahina-e-matit/avni-dani/ne-emer-te-dashurise-historia-e-bizhuterive-te-mbretereshes-geraldine-foto/. Në rast të kundërt mos e publiko.