Margaret Hasluck, britanikja që fotografoi Matin e viteve ‘30



Avni Dani, Tiranë – 12 Nëntor 2016

 

Shumica e informacionit që sot kemi për të kaluarën e vendit tonë ka si burim të huajt. Udhëtarë e studiues të shumtë që kaluan gjatë shekujve nëpër Shqipëri  kanë shkruar dhe dokumentuar të dhëna interesante. Marin Bizi, Han, Holger Pedersen, Edith Durham,  Antonio Baldacci e Georg Shtadmueller janë vetëm disa nga emrat e shquar.

 

Imagjinoni se cfarë do të ishte albanologjia sot nëse nuk do të kishim shkrimet dhe librat e tyre dhe shumë të tjerëve si ata. Nga ky rregull nuk bën përjashtim as rrethi i Matit. Por duhet theksuar se si për shkaqe historike ashtu edhe gjeografike, informacioni për të kaluarën e Matit është më i kufizuar se sa për krahina të tjera të vendit.

 

Edith Durham e mirënjohur për librat dhe vizatimet e saj që kanë në qendër tematikën shqiptare nuk ka qenë e vetmja britanike që ka dokumentuar një pjesë të historisë shqiptare të pjesës së parë të shekullit 20. Një tjetër britanike por edhe mike e Durhamit e quajtur Margaret Hasluck ka një kontribut të jashtëzakonshëm për dokumentimin e historisë së po kësaj periudhe, packa se për fat të keq ajo është më pak e njohur.

 

Hasluck që pjesën më të mirë të jetës së saj do ja kushtonte Shqipërisë dhe çështjeve shqiptare ka udhëtuar edhe në Mat. Por ndryshe nga bashkëpunëtorja e saj Durham që vec shkrimeve në dorë kishte edhe lapsin e vizatimit, Hasluck me vete kishte aparatin fotografik.

 

Në më shumë se 500 foto të saj, tashmë të dixhitalizuara në arkivat britanike, të shkrepura në Greqi, Maqedoni, Kosovë e Shqipëri ka mjaft prej tyre të shkrepura edhe në Mat.   

 

Fotografitë e Hasluck :

 

Sic del nga studiuesit britanikë të biografisë së Hasluck, ajo kishte arritur që të merrte tre të drejta dhe financime studimi nga Universitetet e vendit të saj. Sic e tregon edhe arkivi i fotove dy udhëtimet e saj të para ku edhe janë shkrepur qindra foto i takojnë viteve 1923-1925. Të kësaj kohe janë shumë foto të shkrepura në shumë krahina të Shqipërisë, por jo në Mat.

 

Vendlindjen e Mbretit Zog ajo do ta përshkruajë në udhëtimin e ndërmarrë në vitin 1934, një udhëtim që nëse ndjekim fotot ka nisur nga Elbasani, në Librazhd, Dibër, Martanesh e Bulqizë, për të vijuar më pas në Klos, Lis, Burrel, Burgajet, Urakë. Duket se gjatë rrugës ajo ka fotografuar vec të tjerave edhe shtëpitë ku ka qëndruar. Në Orenjë shtëpinë e Beg Ballës, në Dibër shtëpinë e Murat Kaloshit dhe në Mat shtëpitë e Xhelal Zogut si edhe sarajet e Burgajetit. 

 

Por Hasluck ishte një etnologe. Interesi i saj për të fotografuar nuk janë vetëm banesat por edhe njerëzit, mënyra e jetesës, zakonet e deri edhe lojrat popullore. Madje këtë të fundit e dokumenton për mrekulli me djemtë e konviktit të një shkolle të asaj kohe në Burrel, me lojrat e të cilëve realizon 9 foto.

 

Ka fotografuar banorë në pazarin e Klosit e të Lisit, ka fotografuar një bujk që hedh grurë në lëmë, fotoja është shkrepur në Klos, dy foto tjera bujqërish që mbjellin tokën të shkrepura në Burrel. Pjesë e udhëtimit të saj sic tregojnë dixhiturat e fotove ka qenë edhe kalaja e Skenderbeut, që ka shumë të ngjarë të jenë rrënojat e Stelushit. 

Pasi ka lënë Matin, Hasluck kalon në krahinën e Mirditës, Kukës, Shalë, Shkodër, Lezhë, Kurbin, Krujë e Tiranë. E gjitha edhe kjo pjesë e udhëtimit është e gjitha e dokumentuar me foto të shkrepura prej saj dhe që kanë një rëndësi të madhe historike. 

 

Hasluck studiuese e koleksioniste :

 

Folkloriste, gjeografe, gjuhëtare, etnografe e arkeologe, Margaret Masson Hardie kishte studiuar në Cambridge ndonëse nuk mori diplomë aty. (kjo nuk ka qenë e lejuar për femrat deri më 1948). Shkollimi i saj nën drejtimin e profesorit Jane Ellen Harrison, një autoritet në arkeologjinë, antropologjinë dhe etnologjinë e kohës, shënjuan të ardhmen e saj. Më 1911 ajo shkon në Athinë dhe ndjek Shkollën Britanike. Një vit më vonë martohet me Frederick William Hasluck, në atëkohë asistent drejtor (1911-1915) dhe drejtues i bibliotekës (1906-1915) së Shkollës Britanike në Athinë, edhe ai i diplomuar në Kembrixh.

 

Së bashku çifti do të udhëtojë në Konia (Ikoniumi i lashtë) në Turqi dhe pranverën e vitit 1913 e kalojnë atje së bashku. Hasluck-ët gjatë katër viteve të ardhshme do ta kishin bazën në Athinë, ku patën edhe mundësinë e udhëtimeve të shumta të përbashkëta nëpër Ballkanin Jugperëndimor, udhëtime nga të cilat lindi interesi, pasioni dhe dashuria e tyre për Ballkanin.

 

Pas vdekjes së të shoqit kthehet në Angli dhe fillon detyrën e vështirë e të përpiktë të redaktimit të tre librave të papërfunduara që la i shoqi: Athosi dhe Manastiret e Tij, botuar më 1924; Shkrime për Fenë e Folklorin, botuar më 1926; dhe Kristianizmi dhe Islami në Kohën e Sulltanëve botuar më 1929. Në Angli, në vitin 1924 ajo u bë anëtare e Geographical Society, dhe më vonë shkruan për revistën e tyre, duke i nënshkruar artikujt me mbiemrin e burrit të saj, si Margaret Hasluck.

 

Dy vëllimet “Kristianizmi dhe Islami” të lindura që në muajt e mjaltit në Konia, u bënë pjesë e interesave të saj shkencore dhe morën katër vjet kohë për tu përfunduar. Në dy dekadat e ardhshme të jetës së saj, ajo u bë një folkloriste, gjuhëtare dhe etnografe duke studiuar veçanërisht jetën e banorëve të Shqipërisë.

 

Përveç artikujve në revistat shkencore, Hasluck shkroi edhe për publikun e gjerë. Shkrimet e saj janë botuar në revista të njohura si British Weekly, Discovery, Nature dhe Everywoman. Shumë artikuj të tjerë ajo i botoi në The Times, Illustrated London News, dhe Manchester Guardian.

 

Nga viti 1932 deri më 1936 ajo ishte korrespondente për Shqipërinë  në periodikun Britania e Madhe dhe Lindja.

 

Ajo ka qenë një koleksioniste e mirë e tekstileve dhe materialeve folklorike. Koleksionimet e saj u realizuan aty nga mesi i vitit 1921 dhe vazhduan deri në fillim të vitit 1940. Këto koleksione përbëhen nga rreth njëqind objekte.

 

 

Elbasani i përzgjedhuri i saj :

 

Hasluck më 1926 vendos përfundimisht të jetojë në Shqipëri. Vendbanimi i saj i përzgjedhur është Elbasani. Atmosfera mesjetare dhe orientale e këtij qyteti, rrugët e tij të ngushta me kalldrëm dhe selvitë e gjata e kishin tërhequr përfundimisht.

 

Ndërton një shtëpi aty ku edhe do të jetojë për 13 vjet. Do të ishin vite të bukura e të frytshme. Punimet e saj gjetën shumë shpejt vend në botimet profesionale. Kërkimet patën rezultate të shkëlqyera. Ndër të tjera ata përfshinë : syrin e keq; magjinë; bestytnitë shqiptare; ndikimi i fesë së krishterë; praktikat e fesë islame në Shqipëri; jevgjit, vllehët, sektet dervishe në Maqedoni, Shqipëri e Serbi; mitet e lashta greke në shoqërinë shqiptare (psh blerja e nuses dhe miti Edipit); ligji fisnor shqiptar, Kanuni i Lekë Dukagjinit, etj.

 

Në mes të një stuhie të tillë e produktiviteti ajo arrin të mbledhë qindra tregime folklorike, bëhet autorja e gramatikës së parë anglisht-shqip (Këndime Anglisht- Shqip, 1932) e cila përfshin edhe 16 përralla popullore shqiptare në anglisht dhe shqip së bashku me fjalorin.

 

Por qëndrimi i saj në Elbasan e kishte pasur edhe një tjetër shkak të fortë. Në gjithë këtë punë ajo është ndihmuar nga dijetari dhe patrioti i shquar shqiptar Lef Nosi, i cili gjithashtu banonte në Elbasan. “Hasluck pati një miqësi të veçantë të ngushtë me të”, shkruan Dejvid Smaili.  Por për këtë miqësi ajo ka shkruar vetë. “Nëse do kishim qenë më të rinj kur u njohëm dhe të kishim pasur ca të holla - shkruan Margaret - ne do të ishim martuar. Ajo që ne kishim pa martesën ishte dicka e mrekullueshme, gati gati një lidhje perfekte intelektuale dhe ide të përbashkëta si dhe punën që kishim planifikuar të bënim”.

 

Por Lufta e Dytë Botërore do ti prishte të gjithë planet.  

 

 


Kush ishte Margaret Hasluck ?

 

Margaret Hasluck ka lindur më 1885 në Skoci dhe ka vdekur më 1948 në Dublin, Irlandë. Përfundon shkollimin në Kembrixh më 1911. Po këtë vit gjatë një udhëtimi në Greqi njihet me Frederick William Hasluck, me të cilin martohet një vit më pas. Për katër vjet me radhë jetojnë së bashku në Athinë, e njëkohësisht ndërmarrin shumë udhëtime studimore në Ballkan e Turqi. Por në vitin 1916 Frederiku u sëmur rëndë nga turbekulozi. Margaret e shoqëron atë në Zvicër, ku shtrohet në një sanatorium ku dhe ndërron jetë 1920.

 

Më 1926 pas 6 vjet qëndrimi në Londër dhe udhëtimesh të shumta vendoset përfundimisht në Elbasan.  Qeveria shqiptare këmbëngul që ti vendosë një ushtar si truprojë personale. Hasluck në mënyrë të përsëritur kundërshton, por më në fund e pranon rojen që e pati njëkohësisht edhe shërbëtor. Do të qëndrojë këtu deri më 1939. Për shkak të punës së saj në shërbimet inteligjente britanike, (italianët e njihnin mirë) largohet sapo pushtohet Shqipëria vetëm pak ditë pasi edhe Mbreti Zog kishtë lënë vendin.  

 

Nga 1939 deri më 1941 punon në ambasadën britanike në Athinë. Shërben në Seksionin D si këshilltare për "zyrën shqiptare". Në verë 1941, transferohet në Stamboll dhe më pas në Kajro, ku shërben si eksperte e Operacioneve Ekzekutive Speciale për Shqipërinë (1942-45). Ajo është autore e fletëpalosjeve që hidheshin nga britanikët në Shqipëri dhe u ka mësuar gjuhën shqipe shumë prej oficerëve britanikë që shërbyen në vendin tonë gjatë dhe pas luftës.

 

Në prill 1944 largohet nga Kajro dhe vendoset në Bari. Më 1945 pasi u diagnostikua me leuçemi largohet në Qipro për një klimë më të favorshme. Atje mëson lajmin e vdekjes së mikut të saj të ngushtë, Lef Nosi, ekzekutuar nga regjimi i Enver Hoxhës në shkurt të 1945. Sipas oficerit britanik Dejvid Smaili “Hasluck nuk e mori më veten pas zhgënjimit të madh që pësoi nga humbja e mikut të saj të ngushtë”.

 

Më 1947 kur e pa qartë se gjendja e saj shëndetësore nuk përmirësohej më, dhe nga Qipro u kthye në Dublin, ku, me kurajo të madhe dhe këmbëngulje, u përpoq të përfundojë librin e saj, që synonte ta kishte historinë e parë të Shqipërisë në gjuhën angleze. E rraskapitur më në fund iu dorëzua leucemisë më 18 tetor 1948, në një kohë kur i kishte mbaruar katër nga njëzet kapitujt si edhe skicën e detajuar të librit të saj që u botua pas vdekjes në vitin 1954, me titullin “Ligji i Pashkruar në Shqipëri”.

 

Shtëpia që ajo ndërtoi në Elbasan, është tashmë një jetimore. Më 18 qershor 2010, për 125-vjetorin e lindjes së saj, Margaret u nderua me titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit” dhe një pllakë përkujtimore është vendosur në shtëpinë e saj të dikurshme.

 

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Shkrimi i mëposhtëm i Margaret Hasluck është botuar së pari në Revistën Antropollogjike Britanike dhe më pas është përkthyer e botuar në shqip në gazetën Minerva nr 12-13, korrik-gusht 1933. Botuesi Nebil Çika thotë se këtë artikull profesori J. L. Myros, ish president i Shoqërisë Mbretëore Antropologjike të Britanisë së Madhe e quan “tepër interesant”. Madje profesori në fjalë i ka dërguar një letër zonjës Hasluck,bnjë pjesë të së cilës Çika e boton para shkrimit. Ja cfarë thuhet në atë letër:

 

“Ashtë një dallim i posaçëm i popullit shqiptarë qi ai të zhvillojë sot nji mënyrë aq racionale këto probleme imemoriale. Ç'do fakt qi ndihmon me ilustrue parimet mbi të cilat bazohen sistemet e mëdha të jurisprudencës, si për shembull Ligja Romane, me kombinacionin e gjanave t'arsyeshme në lidhje me besime të trashigueme, ka një vleftë dhe interesë botnore. Na shkojmë në Shqipni për të studjue lindjen dhe fëminin e Ligjës, ashtu sikur shkojmë në Kretë apo në Egjipt për lindjen dhe fëminin e artit dhe zanatit, n' Itali për pikturë, Gjermani dhe n' Austri për muzikë.

 

Neve anglezve na intereson kjo gja veçanërisht mbasi na duket se në historin tonë kemi kalue po nëpër ato periudha t’ashpra; dhe i shtrëngojmë dorën e ligjvënësve dhe të ligjbasëve shqiptarë (si Zonja X dhe Kapitan Markagjoni) si kopje të njerëzve të ligjit dhe të gyqtarëve t'onë në kohë të kalueme. Gjithashtu presim me dëshirë atë kohë kur Shqipnija do ketë Institulin e saj Antropologjik, për me hetue informata të tilla nga ana e vet, si një pjesë e historisë së rritjes, të jetës dhe të ndërgjegjes së saj kombëtare.”

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------

 

ATESIJA FIZIOLOGJIKE DHE LINDJA E VONUEME 

 

Nga MARGARET HASLUCK

 

Kallzimet shqiptare që rreshtohen këtu poshtë mund t'interesojnë ata që studjojnë se në ç'mënyrë popujt e mbetun mbrapa e përdorin dijtunin e tyne mbi atësin fiziologjike.

 

Burimi i kallzimit të parë asht Zonja X., nji grue katolike  e Shkodrës e cila ka mësue profesionin mamis n'Austri. Nji ditë, kur edhe e pamartueme ushtronte profesionin e saj në Shkodër, e vizituen nji grup malsorësh katolik të cillët kishin nji hall të madh: Dy vjet ma parë, kishte vdekur nji burrë në nji katund, tue lanun pas nji vejushë të re pa ndonji fëmi. Disa javë ma vonë u duk e sigurtë se nuk do të mbetëte me barrë dhe si mbas zakonit shqiptar këtheu në shtëpin e babes së saj, i cili gjindej në nji katund tjetër.

 

Pak muej ma vonë i ati e fejoj në nji katund tjetër me nji njeri të cilin ajo nuk e kishte pamun kurr, dhe martesa ishte lanun shi për at kohë kur malsorët kishin ardhun me vizituem Zonjën X., dmth dy vjet mbas vdekjes së burrit. Por në kët mes u paraqit nji pengim. U zbulue se vejusha-nuse do të kishte fëmi.

 

Tashti, shqiptarët kanë vue rë se mbas lindjes, nji fëmi mund të rritet i dobët dhe i smun tue mbetun prapa në të rritun dhe në fuqi nga moshatarët e tij; mundet, për shembull, të jetë shumë i dobët për me ecun në kohën e duhun. Prej këtij fakti kanë nxjerrun se nji fëmi i palindun mund të rritet i smundë në bark tue mos pasun fuqi me u lindun në kohën e caktueme, e prandej mbetet dhe për nji periudhë dy vjetësh në bark. Nji fëmi të tillë e quejnë (barrë e vrame). Ata shpjegojnë se asht e vështirë me hetuem raste të tilla ndër gra të martueme, të cilat e gabojnë kohën e barrësimit, por janë mjaft të kjarta ndër grat e veja.

 

Kështu t’afërmit e vejushës-nuse të kallzimit të Zonjës X. tue dijtun se gjana të tilla ndodhin nga nji herë, nuk u shqetësuen aspak nga lindja e afërme e fëmis; gjithashtu nuk u shqetsuen as t'afërmit e të fejuemit të saj.

 

Por e ama e burrit të vdekun kishte ndigjuem lajmin, dhe kishte shkaktue ngatrresë, tue ndaluem celebrimin e martesës në kohën e caktueme. “Marr vesht — tha ajo, tue shkuem në katundin e grues "së vejë se e reja e ime asht me barrë të vrame. Asht fëmija e djalit t'em të vdekun dhe lypset t'a marr unë për t’a rritun. Grueja e djalit nuk duhet të martohet përpara se të lindi fëmija”.

 

Normalisht të gjithë do t'ishin dakord me te tue i njoftun të drejtën e shtymjes së martesës. Por po afrohej koha e korrjes dhe njerzit e të fejuemit kishin nevojë për ndihmën e nuses në fushat e korrjes, prandej insistojshin që martesa të bahej në kohën e caktueme. Por e vjehrra kërkonte të drejtën e vet, deri njerzit e saj gati u ngatrruen me njerzit e grues së ve dhe me ata të të fejuemit.

 

Ma në fund e çuen punën te prifti, dhe ai, tue iu shmangun çashtjes, dërgoi të gjithë për me u këshiIlue me Zonjen X. Pikëspari ajo duel me gruen e vejë në nji anë dhe e shtërngoi të rrefente emnin e dashnorit: ishte nji njeri tjetër, nji bari të cilin ajo e kishte takuem në mal. Mandej Zonja X. mendoi se në qoftë se kallzonte të vërtetën, malsorët do vrisnin gruen e ve bashkë me dashnorin e saj tue i vorruem jashtë tokës së shejtë, dhe mandej do të niseshin vrasjet ndërmjet tyne dhe familjes së dashnorit. Prandej u këthye te grupi që pritëte vendimin e saj dhe zgjodh rrugën ma të lehtë për me dalun nga vështirësija. Tue iu thanë se kishte kuptue se fëmija gjindej tashti mjaft i fortë e se do të lindte për tre muej, deklaroi qe duhet të mbajnë zakonin e vjetër tue shtymun martesën deri sa të lindte fëmija e t'i dorëzohej shtëpisë së vet.

 

Natyrisht nuk u ba çashtje detyrimi i grues së ve me dorëzuem fëmin e saj kur të martohej përsri. Malsoret i kishin premtue priftit se do t'i rrijshin vendimit të Zonjës X. e kështu u këthyen qetësisht ndër shtëpijat e tyne.

 

Ma vonë, i ati i grues së ve vizitoi përsëri Zonjën X. dhe e lajmoi se mbasi kishin kaluem tre muejt, vjehra kishte ardhun në katund dhe pritëte lindjen e fëmis. Ma në fund lindi nji djal, dhe tue e rrëmbyem përpara se të mund t'a ushqente e ama, plaka u nis rne të për në katundin e saj. Po t'a kishte lejue t'amën me e ushqyem fëmin qoftë dhe për nji herë, do t'ishte bamë pronë e saj deri sa t'i ndahej gjiu në moshën tre vjeçare. Por tue pasë mbyllun shtegun e nji ngjarjeje të tillë, plaka po rritëte fëmin si djal të ligjëshëm të birit të saj që kishte vdekun ma se dy vjet përpara se fëmija të lindte. Gjithashtu dhe grueja e vejë ishte martuem me gzim me të fejuemin e saj mbrenda 6 javësh mbas lindjes së fëmis.

 

Tue pasë mësuem kët kallzim, u ktheva n'Angli plot me admirim për ligjëvuesin e panjoftun shqiptar të kohës së kalueme, i cili kishte njoftun dobësin e natyrës së njeriut dhe, tue i ardhun keq për gjakun e derdhun ndër vrasje sa herë që nji burrë e nji grue ziheshin në faj, kishte shtimun në mendjen e bashkatdhetarëve të tij të thjeshtë theorinë e lindjes së vonueme.

 

N'Angli zbulova se kallzimi ishte edhe ma tepër interesant. Ishte dhe nji shembull tjetër i ruejtjes nga ana e shqiptarëve të nji besimi qi mbahej dikur n'Angli por qi tash ishte harrue. Mikesha e ime Dr. Ada Madison e lidhi kallzimin shqiptar me kallzimin e Dukeshës mediovale të Gloucester, e cila tue mbetun vejushë e re pa ndonji fëmi, pau se fuqija dhe pronët e burrit të saj do t'i mbeteshin kushrinit të tij. Për me ndaluem ose të paktën për me vonuem kët katastrofë, ajo bani të njoftun me nji herë se ishte me barrë, por se fëmija ishte i dobët e do të lindte vonë. Kaluen dy vjet përpara se të lindte — mund të përftyrohet se ç'mjete dukesha përdori për me ia arrijtun qëllimit — dhe as kushrini nuk duket se ka dyshue ligjnin e fëmis.

 

Mbasi u këtheva në Shqipni e hetova kallzimin dhe ma hollsisht dhe gjeta se ishte i panjoftun në Jugë, ndërsa besohej shumë si prej muhamedanve ashtu prej katolikve tue fillue nga Tirana e deri në veri. Në fakt, qysh prej vitit 1920, dy kso rastesh janë zhvillue ndër muhamedan në Tiranë; në njanën rasë fëmija ishte lindun dy vjet mbas vdekjes s'atit dhe në tjetrën dhetë vjet mbrapa.

 

Në fisin e madh katolik të Mirditës dy rasa u paraqitnë përpara këshillit të pleqve qi u mbajt në verën e vitit 1927 nën kryesin e Kapidan Gjon Markagjonit, kryetar trashigues i fisit të Mirditës. Njani fëmi ishte lindun tre vjet e tjetri dy vjet mbas vdekjes së babës. T'afërmit qi interesoheshin kishin dyshue legjitimitetin dhe kishin kërkue qi të vendoste Kapidan Gjoni mbi çashtjen. Vendimi i kushtoi mjaft vështirësina. “Sikur e shef”, më shpjegoi mue, “jam në moshë mesatare dhe babë i 12 fëmijve, por si mund të dij unë mbi punët e grave? M'erdh turp me pyetun gruen e aq ma shumë nanën, kështu thirra dy gra fort plaka qi kishin pasë shumë fëmijë dhe i pyeta.

 

Si përfundim i informatave të tyne, bana nji dekret qi kto dy fëmij, për mos me shkaktue gjakderdhje, do të pranoheshin si të ligjshëm, por se në t'ardhmen asnji fëmi nuk do të pranohej si i tillë po të mos jetë lindun mbrenda 12 muejve mbas vdekjes s'atit.

 

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania

 

Një pjesë e shkrimit është publikuar në print në Revistën prestigjoze matjane "Emathia"