Shënimet e një udhëtimi me vlera të jashtëzakonshme historike për Matin. Rrëfimi në vetë të parë nga Johan G. Von Hahn, babai i albanologjisë, i tre ditëve të kaluara në fshatrat e Matit në kërkim të gjurmëve të Skënderbeut.
Nga Avni Dani, Tiranë – 24 Korrik 2017
Për Johan G. Von Hahn ka një mirëkuptim të plotë ndër studiuesit shqiptarë e të huaj, ai është babai i albanologjisë. Dy vëllimet e tij të “Studime Shqiptare”, me thellësinë dhe seriozitetin e trajtimit të të gjithë aspekteve të jetës shqiptare e konfirmojnë plotësisht këtë. Por kjo vetëm në nivelin e studiuesve. Kur vjen puna për publikun, për lexuesin e zakonshëm e kurioz, Hahn për fat të keq, është vetëm një emër të cilin të gjithë e përmendim dhe pak dimë për të.
Nuk ka se si të shpëtojë nga ky “rregull” edhe lexuesi matjan. E thonë të gjithë se Hahn ka qenë në Mat, por pak vetë dinë se si dhe çfarë ka shkruar ai për Matin. Në këtë kuptim, publikimi i kësaj pune studimore për publikun është njëlloj si zbulimi i një thesari. Sepse për Matin, duke marrë në konsideratë kohën por edhe mundësitë që ajo të jepte, shënimet e Hahn janë vërtet perla historike, kanë vlerë të jashtëzakonshme.
…Gusht 1863. Ditë me furtunë. Në Mat jo më kot thonë “gusht e gunë”. Tre apo katër njerëz nisen nga Tirana për në “botën e pazbuluar” të Matit. Ndër to është një vendali që i shoqëron dy të huajt. Ai nuk është aspak i vetëdijshëm se me atë udhëtim, që vetë e ka bërë kushedi sa herë, po bën një shërbim të jashtëzakonshëm për vendlindjen. Ai banor i Gurrës, që ka zgjedhur të punojë në Tiranë, ashtu pa e ditur po krijon mundësinë për të përcjellë informacion për brezat që do vijnë qindra vjet më vonë, një punë që vetë kursesi nuk mund ta bënte…
Ky përshkrim nuk është i trilluar. Atë pamje e krijojmë pasi kemi lexuar shënimet e udhëtimit të Hahn në Mat, të cilat për fat të mirë janë të botuara edhe në shqip, nën përkthimin mjeshtëror të Pjetër Rodiqit nën titullin “Nëpër viset e Drinit”.
Hahn ka qëndruar tre ditë nëpër Mat. Nga 22 deri më 25 gusht 1863. Siç e shkruan vetë, ka zbritur më 12 gusht në Durrës me synimin që të bëjë një udhëtim studimor nëpër luginën e Drinit. Por duke qenë se shokët e tij me të cilët do të takohej në Shkodër, nuk kishin mbërritur ende, ai shfrytëzon kohën për të hedhur një sy në luginën e Matit. Vizita e tij ka një objektiv; të vihet në kërkim të gjurmëve të Skënderbeut.
“Më mbetej vetëm të vizitoja krahinën e panjohur të Matit dhe, duke patur parasysh se ajo gëzonte te të gjithë fqinjët një nam të keq, iu drejtova për këto çështje mudirit. Ai më këshilloi të mjaftohesha me shoqërimin e një matjani që ndodhej në shërbimin e tij, i cili gëzonte influencë në viset ku unë do të kaloja. Po të udhëtoja me të unë do të isha më i sigurtë, se sa po të shoqërohesha nga një shpurë e tërë njerëzish të panjohur. Ky propozim m'u duk i arsyeshëm.
Unë prisja që shoqëruesi im të ishte një njeri i fuqishëm, por në vend të tij, përpara syve të mi, doli një njeri i imët, i veshur me rroba leshi të pangjyrosura, i cili i ngjante më tepër një fshatari, se sa një kalorësi. Megjithatë unë isha i sigurtë se ky ishte pikërisht njeriu që më duhej”.
Me vete do të ketë birin e konsullit austriak në Durrës, Gjergj Tedeskini. Për fat të keq ende nuk ka mbërritur Josef Szekerly, fotografi që siç dihet tashmë e ka shoqëruar në këtë udhëtim historik. Me të ai do të takohet pas një jave në Shkodër. Niset më 21 gusht drejt një zone për të cilën kishte informacione, madje shumë të thelluara.
“…Çava përpara drejt kësaj bote të re, për të arritur që andej nëpërmjet përshkrimit të një harku të tërë rruge që të shpie nga Tirana për në Shkodër, duke udhëtuar teposhtë lumit të Matit, prej të cilit merr emrin kjo krahinë dhe banorët e saj. Këta të fundit quhen matjanë dhe ngjashmëria e këtij emri me atë të matjanëve të Herodotit, me nxiti që të krahasoj nomenklaturën e Persisë dhe të Armenisë me atë të Shqipërisë e të fqinjëve të saj dhe rezultatet e nxjerra nga ky krahasim i përmblodha në "Studime shqiptare". Çdo shqiptar do të çuditet, kur të lexojë që te Kserksi zoti Dotos ka qenë udhëheqësi i matjanëve, pasi Dote ose Dode (me siguri: Doda) është, një nga emrat e rëndomtë shqiptarë. Kështu quhet psh. shefi i sotëm i mirditorëve Bib Doda, për shkak se emri i të atit të tij ka qenë Dodë. ("Studime shqiptare", Pjesa e parë, f. 304. Idem, f. 329, shënimi 26)...”
Siç e thotë edhe vetë fillimisht ai ka ndaluar në Gurrë, një ditë më vonë në Lis, për tu rikthyer në Pazarin e Urës në Klos dhe në fshatin Bejnë e për të vijuar ditën e tretë për në kullën e Zogollit e më tej në Bushkash. Një udhëtim i vështirë dhe shumë interesant. Po aq interesant është edhe përshkrimi që vetë Hahn u bën atyre tre apo katër ditëve.
Për ta bërë sa më lehtësisht të lexueshëm materialin e përzgjedhur nga shënimet e Hahn për Matin, po e sjellim të ndarë në katër pjesë në darsiani.com. Shpresojmë që secila prej tyre do të lexohet dhe shpërndahet sa më shumë që të jetë e mundur nga lexuesi ynë matjan.
Nga Tirana drejt fshatrave të Matit (Pjesa e parë)
…Për të shkuar nga Tirana në Mat ne zgjodhëm rrugën më të përshtatshme që kalonte në drejtimin lindor. Kjo rrugë kalon nëpër plasën më jugore të të pesë plasave të tokës së maleve të Krujës dhe quhet, sipas fshatit që ndodhet në hyrjen e saj perëndimore tre orë në lindje të Tiranës, shkalla e Tujas. Rruga pjesërisht e shtruar me kalldrëm dhe që aty këtu ngrihej mbi një bazament kalon në qoshen jugore të plasës, që në shumicën e rasteve ka skarpate shumë të pjerrëta dhe ngrihet herë pas here me siguri rreth dyqind këmbë mbi përroin, i cili megjithë mungesën ekzistuese të ujit, kur derdhet mbi faqet shkëmbore që mbushin tabanin e ngushtë të plasës, e mbush grykën me shungullima që i shëmbëllejnë bubullimave. Të dy faqet, megjithë skarpatet e tyre të pjerrta, janë mbushur deri sipër me drurë me gjethe të trasha. Këtu rriten herë pas here edhe pemë të mëdha, pamja e të cilave krijon përherë te vrojtuesi nordik shqetësime përsa i përket dëmtimeve që pësojnë këto pemë nga bagëtitë dhe barinjtë e tyre. Në shumicën e rasteve, kur këto pemë janë ende të njoma, kurora e tyre hahet nga dhitë dhe atëhere kur ato nuk mund të arrihen më prej tyre, mbi to ngjiten barinjtë, që me kacoret e gjera i presin degët e tyre, për t'ua hedhur bagëtive që kullosin aty poshtë ose për t'i stivuar në grumbuj të lartë, duke siguruar në këtë mënyrë ushqimin e dimrit. Më sipër, në malësitë, ne patëm rastin të shohim pyje të gjëra dushku dhe ahu, të cilat nëpërmjet këtij trajtimi kishin marrë një pamje të mjeruar. Gjatësia e Shkallës vlerësohet me një orë turke. Thuhet që matjani, i cili kthehet nga një inkursion në fushat e Tiranës ose të Durrësit, e konsideron të siguruar plaçkën e tij, vetëm pasi t'i ketë kthyer kurrizin Shkallës së Tujas...
…Ditën tjetër udhërrëfyesi ynë iu shmang rrugës kryesore, e cila duke kaluar nëpër Qafën e Murrizes mbërrin te Guri i Bardhë. Kjo gjë nuk u vu re nga asnjëri prej nesh, duke qenë se edhe shoqëruesit e mi e bënin këtë rrugë për herë të parë. Duke kaluar malin në një qafë që ndodhej më në veri, ai na shpuri në shtëpinë e tij që ndodhej në rrëzën lindore të këtij mali. Arsyen e këtij devijimi ai na e shpjegoi gjatë kohës që po hanim mëngjesin, duke theksuar se atij nuk i lejohej të mos e shfrytëzonte këtë rast për të na gostitur në shtëpinë e tij, duke vënë në dukje gjithashtu se, për të shkuar nga shtëpia e tij në qëndrën e mudirit duheshin vetëm tre orë e gjysëm dhe se po aq e gjatë ishte distanca ndërmjet kësaj të fundit dhe Vendshës. Unë nuk pata asnjë kundërshtim. E vetmja gjë që do të kisha dëshiruar, ishte që mikpritësi ynë i ardhshëm të ishte diçka më i aftë për t'iu përgjigjur pyetjeve tona korografike, duke qenë se vullneti i mirë nuk i mungonte. Mirëpo, për fat të keq, natyra nuk e kishte caktuar për të qenë një korograf dhe nuk e kishte pajisur me një parafytyrim të saktë për sa i përket masës së kohës. Sa herë që filloja t'i drejtoja pyetje të tilla, po aq herë lodhesha shpejt prej tij, mbasi vija re që po e torturoja me pyetje të pafrytshme…
…Kur më së fundi mbërritëm në kreshtën e këtij vargu, pamë në drejtim të lindjes një luginë, gjerësia më e madhe e së cilës (nga kreshta në kreshtë) duhet të jetë me siguri shtatë orë dhe gjatësinë e së cilës unë e vlerësoj me rreth deri nëntë orë. Boshti i kësaj lugine, i cili në vija të përgjithshme përkon me vijën e lumit të Matit, kalon, me sa mund të shohim, nga juglindja në drejtim të veriperëndimit paralelisht me vargun perëndimor, të kapërcyer prej nesh. Vargu lindor nuk formon një mur kaq koherent. Për më tepër, ne nuk patëm mundësi ta vrojtojmë, për shkak se mbi të ishin shpalosur masa të dendura resh, që paralajmëronin rrezikun e shiut.
Megjithatë, ne arritëm të dallonim të çarat e dy luginave transversale, nëpër të cilat kalojnë përrenjtë që derdhen në Mat. Drejtimi i kreshtës së tyre kryesore është, siç konstatuam më vonë në anën lindore të vargut, nga jugu në veri, por në këtë anë degëzohen dy degë anësore të shkurtra që zbresin në lugore, prej të cilave njëra, pak më e ulët se vargu kryesor, ndan nga veriu pellgun e Matit nga krahina e Fanit të vogël. Ky vargmal, i parë nga pellgu, të krijon përshtypjen sikur përbën mbylljen e tij veriore dhe shkakton ndërrimin e drejtimit të Matit, gjatë rrjedhës së tij të poshtme, nga lindja në perëndim.
Ne u çuditëm mjaft kur morëm vesh që vendburimi kryesor i Matit është ende i panjohur. Në të vërtetë, ky lumë buron nga një zonë malore e quajtur Martanesh, e cila shtrihet në një luginë me gjatësi prej një ore dhe ndodhet shtatë deri në tetë orë në veri të Elbasanit. Gjatësia e lumit, që nga burimi e deri në derdhjen e tij, vlerësohet me njëzet orë. Për ta vendosur atë në vendin e duhur në hartën e Kipertit, ne qemë të detyruar ta zhvendosim zonën nga ku buron Erzeni pothuajse katër orë në perëndim, sipas informatave të mbledhura në këtë drejtim. Njëri nga banorët vendas, i lindur në Martanesh, na tregoi se ky vend në kohët e kaluara ka qënë vendbanimi i familjes Bogadan, e cila që këndej ka zotëruar të gjithë Matin. Këtu banorët merren më tepër me rritjen e kafshëve, se sa me punimin e tokës dhe shumica e tyre janë shumë të varfër. …
…Duke u nisur që këndej mund të thuhet që vargmalet kryesore që rrethojnë luginën jugore të Matit janë të shkëputura në distanca të konsiderueshme nga njera tjetra. Megjithatë, nuk mund të arrijmë në përfundimin se kjo luginë ngushtohet nga paramale të ulta.
Si fund jugor të kësaj lugoreje unë do të konsideroj pazarin e Matit (Bejnin), që është gjashtë orë larg selisë së mudirit. Duke filluar që këndej, vargu i Matit pëson një prirje nga juglindja në veriperëndim, por afërsisht ndërmjet Dardës (Darsit) dhe Tolajt (Gurrës) ai merr përsëri një drejtim më verior. Në shumicën e rasteve shpati lindor i malësive ishte shumë i pjerrët dhe në gjysmat e tij të sipërme gjendeshin pyje të dëndura ahu dhe lisi...
…Në fund të zonës së pyllit, udhërrëfyesi ynë u ndal dhe na tregoi një shkëmb të vogël. Para dy vjetëve, na tha ai, unë i zura pritë këtu shefit të një fisi fqinjë, te i cili kishim për të marrë gjak; unë e lashë atë të më afrohej gjashtë hapa, mandej, fap! Dhe me këtë rast ai bëri me të dy duart gjestin e të mbaruarit. Gjashtë javë më vonë, po në këtë vend, edhe i ati i tij pësoi të njejtin fat — fap! Dhe ai e përfundoi frazën duke ripërsëritur të njejtën pantomimë. Duke na treguar këtë, tiparet e këtij burri të imët morën një shprehje, e cila tregonte se ai kurrësesi nuk ishte kaq i parëndësishëm, sa tregonte paraqitja e tij e jashtme. Pikërisht për këtë arsye, ne nuk na çuditi aspak respekti, me të cilin ai pritej nga bashkatdhetarët e tij. Edhe shtëpia e tij ishte më komode nga sa kishim parashikuar dhe ai bëri të gjitha përpjekjet e mundshme për të na gostitur sa më mirë.
Ai kishte sjellë me vete kafe nga Tirana dhe kishte caktuar një njeri nga farefisi i tij që të na gostiste. Ky i fundit u vendos fare pranë zjarrit të madh dhe piqte pa ndërprerje kafen, për të gostitur vizitorët e shumtë që erdhën atë mbrëmje. Ndërmjet tyre, ndodhej edhe imami i ri i fshatit, një burrë shumë i hijshëm, i cili na tregoi se ishte kthyer para pak javësh nga Stambolli, ku kishte shërbyer për pesë vjet me radhë si nënoficer i artilerisë dhe ku kishte mësuar, jo vetëm shkrim e këndim, por edhe bazat fillestare të matematikës. Ne shprehëm keqardhjen për faktin që ai ishte larguar nga ushtria, ku me siguri do të kishte bërë karierë. Ai na u përgjigj se vetëm me përpjekje shumë të mëdha kishte mundur të siguronte largimin e tij, të cilin nuk kishin dashur t'ia miratonin. Madje i kishin premtuar që, në rast se do të qëndronte, do ta gradonin oficer. Ky shembull vërteton edhe një herë se kryerja e shërbimit ushtarak në kuadrin e rekrutimit aq shumë të urryer, përbën një shkollë shumë të vyer për formimin e elementit muhamedan.
Personat që kanë kryer shërbimin ushtarak përbëjnë në të njejtën kohë elementin e vetëm, nëpërmjet të cilit reformat mund të depërtojnë në shtresat e ulta të popullit. Duhet theksuar gjithashtu se të gjithë personat që kishin kryer shërbimin ushtarak, me të cilët unë pata rastin të bie në kontakt, ishin shumë krenarë për periudhën e kaluar në ushtri.
Gjatë natës erdhi ai çast, të cilit i ishim trembur prej kohësh. Pikë të mëdha shiu filluan të bien mbi tjegullat e çatisë. Doli se ajo i përgjigjej plotësisht qëllimit për të cilin ishte ngritur, duke na siguruar në këtë mënyrë një mbrojtje të plotë, gjë që në këtë vend përbën përjashtim të rrallë. Në mëngjesin e ditës së nesërme qielli ishte krejtësisht i veshur. Shiu filloi të bjerë para se të niseshim dhe nuk na u nda gjatë pjesës më të madhe të rrugës për të mbërritur në selinë e mudirit. Vendin, ku ndodhej selia e mudirit, na e kishin treguar një ditë më parë gjatë kohës që po perëndonte dielli. Ajo shëmbëllente si një pikë e vogël e bardhë që ndodhej tre orë e gjysëm në verilindje të Tolajt, që po të shihej me dylbi shndërrohej në një konglomerat shtëpish.
Ky vend, në të cilin ndonëse nuk ekziston as gjurma më e vogël e ndonjë kulle ose fortifikimi tjetër, quhet përgjithësisht Kulla e Matit. Ajo është ndërtuar mbi fundin perëndimor të një vargu kodrinor të ngushtë e të zhveshur, cili del mjaft përpara nga vargu lindor në drejtim të pellgut, një orë e gjysëm në lindje të lumit të Matit. Pozicioni i lirë dhe i lartë i kullës krijon mundësinë që prej andej të shihet i gjithë pellgu. Këtu e ka qendrën e tij Seit Beu nga shtëpia Sokoli (Zogolli). Ky fis, qysh prej kohësh shumë të lashta qëndron në krye të fisit të parë të të katër fiseve kryesore të Matit e rrjedhimisht të të gjithë kësaj krahine, e cila megjithëse nuk e konsideron këtë shtëpi si padronin e saj, e mban të paktën si kreun e krahinës.
Udhërrëfyesi ynë i bëri të gjitha përpjekjet e mundshme për të na mbajtur në shtëpinë e tij, por koha nuk premtonte dhe ne kishim dëshirë të kalonim Matin, para se të fryheshin ujrat e tij. Kur po u hipnim kuajve, mbërriti një shpurë prej dymbëdhjetë njerëzish të armatosur nga familja e udhërrëfyesit. Fillimisht unë desha të kundërshtoja, por më thanë se kjo shpurë ishte dërguar jo vetëm për të na nderuar ne, por edhe për të siguruar udhërrëfyesin tonë. Rruga e drejtë për të shkuar te mudiri, kalonte para lagjes së fshatit ku banonte familja të cilës ai i kishte borxh dy burra që kishte vrarë para dy vjetësh dhe, në fakt, kjo shpurë u largua pothuajse menjëherë pasi kishim kaluar pranë pikës së rrezikshme, e cila ndodhej të shumtën një gjysëm ore larg vendit ku kishim bujtur. Këtë rrugë, për fat të keq, mund ta përshkruaj vetëm duke iu referuar kujtesës, pasi shiu që binte i kishte bërë krejtësisht të palexueshme shënimet e mbajtura gjatë udhëtimit.
Ne ndoqëm rrjedhën e përroit të Ljusës deri pak para derdhjes së tij në Mat dhe lumin e kaluam pikërisht këtu, pasi ai po fryhej me shpejtësi të madhe dhe i mbërrinte udhërrëfyesit tonë pothuajse deri brez. Ky i fundit u detyrua të bënte me këtë rast një banjë të mirë, pasi pikërisht në mes të lumit i rrëshqiti këmba dhe për një çast u zhduk në ujë. Megjithatë ai u ngrit me shpejtësi dhe mundi të nxjerrë në breg vetëm pushkën e tij, por edhe revolverët, të cilët së bashku me kacoren, mashën dhe bishtin e Ilullës, i kishte vendosur në rripin prej lëkure përreth mesit. Në ujë i humbi vetëm koka e Ilullës dhe pasi e zhdëmtuam për këtë humbje me njerën nga Ilullat tona, ai filloi të qeshë për këtë incident.
Këtu ne u ndeshëm me komandantin (kolonelin), i cili po kthehej nga Sokoli, (Zogolli) ku kishte kryesuar tërheqjen e rekruteve që duhej të siguroheshin e të dërgoheshin këtë vit nga ky vend. Ky veprim, për kryerjen e të cilit në Mat para trembëdhjetë vjetësh as që mund të mendohej, ishte përmbushur, si këtu ashtu dhe në Dibër, me qetësinë dhe rregullin më të plotë. (Fakti që në këto krahina lufta e reformës kundër gjendjes së trashëguar nga e kaluara nuk ka marrë ende fund, vërtetohet që kryengritja ka shpërthyer pikërisht aty).
Seit Beu na priti me shumë përzemërsi dhe vuri në dispozicionin tonë selamllekun e tij, duke qenë se salla e mbledhjeve ishte ende e zënë prej krerëve, të cilët për shkak të shiut nuk kishin mundur të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Megjithatë asnjëri prej tyre nuk u takua me ne...
© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania