Shënimet e një udhëtimi me vlera të jashtëzakonshme historike për Matin. Rrëfimi në vetë të parë nga Johan G. Von Hahn, babai i albanologjisë, i tre ditëve të kaluara në fshatrat e Matit në kërkim të gjurmëve të Skënderbeut.
Nga Avni Dani, Tiranë – 14 Gusht 2017
Ne u larguam nga mudiri në orën dy dhe shpresuam që do të mbërrinim në Bishkas para perëndimit të diellit, sepse na kishin thënë se ndodhej vetëm tre orë larg Zogollit. Mirëpo, siç thuhet tek ne, këto orë i kishte matur dhelpra me bisht, pasi nata na zuri rrugës dhe, duke qenë se humbëm rrugën midis arave të mbjella me misër, unë u detyrova të shtija disa herë me pushkë, për të tërhequr vëmendjen e njerëzve të famullisë, të cilët duhej të na prisnin që prej disa ditësh. Në fakt, aty për aty filluan të bien këmbanat e një kishe që ndodhej në afërsi dhe të dëgjohen të shtëna pushkësh, të cilave iu përgjigjeshin të tjera nga distanca gjithnjë e më të largëta. Megjithëse ne tashmë e dinim nga përvoja, që në manastiret greke miqtë e shquar priteshin duke u rënë këmbanave, prapë se prapë ky demonstrim i furishëm në një komunitet katolik na bënte një përshtypje të papëlqyeshme. Kjo vazhdoi deri atëhere, kur na thanë që ne ishim gabuar duke i interpretuar të rënat e këmbanave si shenja mikpritjetje. Kishte ndodhur pikërisht e kundërta. Në të vërtetë ne i kishim shtirë frikën gjithë krahinës, e cila që nga koha e shkëputjes së saj nga Mati, tregohej vazhdimisht vigjilente ndaj çdo gjëje që vinte prej tij.
Karvani me njerëz të armatosur që po afrohej nga Zogolli në kohën e muzgut, kishte qenë më se i mjaftueshëm për të ngjallur mosbesim. Kur kishte rënë nata dhe nga karvani filluan të dëgjohen të shtëna pushkësh, atëherë të gjithë u bindën që matjanët kishin ndërmend të bënin një sulm armiqësor dhe menjëherë filluan të gjëmojnë sinjalet e alarmit.
Po duhet thënë që "quid pro quo" e dytë qe shumë më e rrezikshme. Banorët që jetonin përreth kishës së famullisë e kishin kuptuar drejt domethënien e të shtënave tona dhe filluan të zbresin nga malet e tyre, duke mbajtur nëpër duar pisha të ndezura. Mirëpo kalimi nëpër shtratin e përroit të mbushur me vegjetacion të dendur, paraqiste vështirësi të mëdha dhe ne qemë të detyruar të përkuleshirn përpara për të mos u rrëzuar nga degët që na zinin rrugën. Për fat, unë munda ta kaloj përroin pa ndonjë incident, por kur hodha vështrimin nga mbrapa, pashë zotin Tedeskini që ishte varur në anën e djathtë të kalit të tij të shqetësuar, për shkak se samari kishte lëvizur nga vendi. Unë iu afrova nga e majta dhe e kapa për krahu. Mirëpo kjo ndërhyrje pati për pasojë që edhe kali im të shqetësohej, kështu që unë u detyrova ta lëshoj atë dhe në këtë mënyrë ai rrëshqiti plotësisht në të djathën e tij. Në po atë çast m'u errësua pamja nga dy të shtëna pushkësh që kaluan ngjitur me sytë e mi, dhe kali im bëri një kërcim anësor duke më hedhur përtokë. I zemëruar për këtë plumb të papritur mirseardhjeje, unë u ngrita nga toka dhe duke bërtitur fillova të shtrij gjymtyrët, për të parë nëse i kisha akoma në rregull. Në fakt, në gjymtyrë nuk kisha shqetësime, por fillova të ndjej një dhimbje të fuqishme në sy dhe kur zgjata dorën drejt tij shoh që nga mënga ime e djathtë po dilte tym. Mbasi shuajta zjarrin me dorën e majtë, ndjeva që dora ishte e lagur. Por, duke qënë se nuk mund të bëja lëvizje, mendimet e mia u përqëndruan vetëm tek syri që më lotonte vazhdimisht si dhe te kjo përshëndetje kaq e pakujdesshme. Në këtë mënyrë vazhdova të vjell zemërimin tim, derisa më thanë që të shtënat kishin dalë nga pushka e Tedeskinit, dy grykët e së cilës ishin zbrazur në, të njëjtën kohë. Për fat të mirë, shtëpia e famullitarit ndodhej afër dhe aty pata mundësi të bindem që në sy nuk më kishte hyrë ndonjë kokërr baruti. Duke qënë se gjatë rrëzimit nuk isha përplasur gjëkundi, mendoj që të enjturit e syrit ishte shkaktuar vetëm nga presioni i ajrit. Vura menjëherë kompresa me ujë të ftohtë dhe me kalimin e kohës dhimbjet u pakësuan në një masë të atillë sa që fillova të ndjej që isha i uritur. Një nxirje e lehtë përreth kapakut të syrit, e cila u zhduk shpejt, përbënte të vetmen gjurmë të këtij incidenti. Në këtë mënyrë, mund të them pa shtuar asnjë gjë, se u largova nga Mati me një sy të nxirë. Në krah unë kisha marrë vetëm një gërvishtje të lehtë, megjithëse plumbi kishte hapur dy vrima në mëngë. Plaga qe e rrumbullakët, si vetë plumbi, por shumë më e madhe. Duke qenë se prej saj rridhte vetëm gjak, unë preferova të mos ta lidh. Filloi të krijohej një kore e trashë, e cila ra mbas tre javësh.
Famullitari, një françeskan i ri nga Napoli dhe shumë inteligjent, kishte ditur të fitonte një autoritet të madh te banorët e egër vendas. Famullia, një ndërtesë njëkatëshe, përbëhej prej tre dhomash e një guzhine. Në të, po ashtu si në kishën e re, spikaste një pastërti shembullore. Për t'i dhënë lexuesit një provë të re të nomenklaturës gjeografike të Matit, dëshiroj t'i bëj të ditur që famullia e Brinjës nuk quhet Bishkas dhe në përgjithësi nuk ka ndonjë fshat me emrin Bishkas, por ky është emri i përgjithshëm i territorit të katër fshatrave, të cilat krijojnë së bashku një famulli. Ky emër përdoret vetëm nga fqinjët, mbasi vendasit e quajnë atë Shehër, gjë që, siç dihet, në turqisht është fjala më e zakonshme që përdoret për të cilësuar qytetin. Mbeturinat e një qyteti të tillë ndodhen me të vërtetë një orë e gjysëm në veri të Brinjës, në bregun e majtë të Matit, ku thuhet se duken ende muret e themeleve të një kishe të madhe që mbante emrin e Shën Pjetrit.
Për këtë arsye, misionari ishte i mendimit se qyteti, me siguri në kohët e lashta, duhet të jetë quajtur Bishkas. Veç kësaj, ai theksoi që kishte pyetur shpesh herë banorët e moshuar të këtyre viseve lidhur me këtë qytet, mirëpo asnjëri prej tyre nuk kishte qenë në gjendje t'i jepte qoftë edhe sqarimin më të vogël. Përsa i takon besimtarëve të tij, ai na tha se një pjesë e tyre e siguronte jetesën nëpërmjet grabitjeve, ndërsa pjesa tjetër në këtë drejtim paraqitej në rolin e diletantit. Të krishterët dhe muhamedanët bashkoheshin me njëri tjetrin dhe formonin herë pas here banda prej dhjetë deri dyzet frymësh, të cilat ndërmerrnin grabitje, duke zbritur thellë në fushën bregdetare deri në fushën e Durrësit. Në këto raste, vëmendjen kryesore ata ia kushtojnë bagëtive, por nuk mungojnë gjithashtu të marrin me vete edhe çdo gjë tjetër që u del përpara. Besimtarët e këtyre dy feve, prej të cilave muhamedanët përbëjnë një pakicë të vogël, jetojnë këtu pranë njëri tjetrit me të drejta plotësisht të barabarta dhe shkojnë mjaft mirë midis tyre. Fakti që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë akoma të bëhen martesa midis njerëzve të të dy këtyre besimeve fetare, ndonëse nuk u pranua nga ana e misionarit, do të rezultojë si e qenë gjatë vazhdimit të mëtejshëm të raportit tim. Përsa i takon famullisë fqinjë katolike të Pedanës, thuhet se aty, në kohët e kaluara janë bërë martesa të tilla të përziera, se mishi i derrit dhe ai i deles janë gatuar në të njejtën kusi dhe se mandej, burri i krishterë ka ngrënë mishin e deles, ndërsa muhamedani atë të derrit.
Zakoni i hakmarrjes ka edhe në këto krahina një përhapje kaq të gjerë, sa që misionarët nuk janë në gjendje të luftojnë kundër tij. Përsa i takon Matit, famullitari na tha se aty javët e vitit gjatë të cilave këtij zakoni i bëhet theror më tepër se një viktirnë, shumë të shpeshta, se sa ato pa gjakderdhje. Ai më tha gjithashtu se do të më shoqëronte deri te kryepeshkopi, pasi pa ndihmën e tij do të ishte shumë e vështirë që të mbërrija deri aty shëndoshë e mirë. Llogaritej që prej Brinjës deri në Kurbin, ku ka qenë selia e mëparshme e kryepeshkopit, do të duheshin pesë orë dhe që këndej deri në Delbinisht, ku ndodhet selia e tij e sotme, tre orë, të tjera. Duke patur parasysh se ky shteg, që kalohej me vështirësi edhe nga vetë këmbësorët, nuk përshkohej dot me kuaj dhe se rruga më e afërt, nëpër të cilën mund të kalonin kalorësit, formonte një hark shumë të gjerë në drejtim të veriut, ne do të ishim të detyruar që, megjithë ditën e gjatë, të niseshim herët në mëngjes e mos ndalonim asgjëkundi rrugës, në rast se do të dëshironim të mbërrinim në Delbinisht para se të ishte bërë natë. Për këtë arsye, mëngjesin e ditës së nesërrne, unë hodha vetëm kalimthi një vështrim të shpejtë mbi kishën, fshatin dhe viset përreth tij, vështrim ky që nuk qe shumë i frytshëm, për arsye se pleqtë e fshatit që më shoqëronin nuk kishin as edhe më të voglën ide përsa i takon masës së kohës (orëve). Së fundi, në orën shtatë i hipa kalit dhe ndonëse rrugës pushuam vetëm dy herë nga një gjysërn ore, mbërritëm në Delbinisht në orën tetë e gjysëm të darkës.
Në fillim kaluam fushën, sa të frytshme, aq edhe të pashëndetshme të Shtoit, e cila ishte e mbjellë e tëra me misër të kultivuar me shumë kujdes, duke qenë se këndej sigurohet pothuajse e gjithë buka për viset që ndodheshin përreth.
Ne pamë këtu vetëm figura njerëzish të zbehtë e të pllakosur nga ethet, të cilët, nga kasollet hidhnin drejt nesh vështrimet e tyre të lodhura. Me sa duket, vatrat e infeksionit që shkaktojnë këto ethe, janë në moçalet e Ljeketit, të cilët ndodhen afërsisht një orë në jug të Shtoit, ndërmjet Brinjës dhe derdhjes së Urakës. Thuhet se ky liqen, me një gjatësi prej afro një gjysëm ore dhe një gjerësi po aq të madhe, ka në mesin e tij një vorbull, e cila tërheq në fund çdo gjë që i afrohet qendrës së saj.
Një gjysëm ore në veri të Shtoit kaluam lumin e Matit, i cili këtu është futur thellë në tokën pjellore. Fusha vazhdon edhe më tutje, por kjo pjesë nuk është e ujitshme e për këtë arsye, nuk kultivohet. Mandej vazhdon një terren kodrinor i pyllëzuar dhe pas një ore e gjysëm, pasi kishim kaluar lumin e Matit, ne mbërritëm pranë rrëzës së një vargmali të lartë të pyllëzuar gjithashtu me dru me gjethe të gjera, për të cilin na thanë se quhej mali i Smenjës e i cili me siguri do të ketë edhe emra të tjerë, sipas vendeve që ndodhen më lart e më poshtë. Mungesa e emrave të maleve përbën vështirësinë më të madhe gjeografike që paraqesin këto vende.
© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania
PJESA E PARË : UDHËTIMI NGA TIRANA DREJT FSHATRAVE TË MATIT
PJESA E DYTË : UDHËTIMI NË BEJN DHE PAZARIN E URËS
PJESA E TRETË : NË KULLËN E ZOGOLLIT