Nga Avni Dani, Tiranë – 23 Maj 2019
Për Batrën mund të jetë shkruar shumë. Por nga kohët e lulëzimit të saj si një qendër e rëndësishme e nxerrjes së kromit, e deri më sot ka mbetur shumë pak. Në vitet 70, në revistën “Shqipëria e Re”, një botim cilësor dhe me ngjyra, i natyrës propagandistike, kur kryeredaktor ishte një matjan, gazetari Ymer Minxhozi, shpesh gjejmë shkrime edhe për Matin. (Vlen të thuhet se me ata shkrime ai i ka bërë një shërbim me vlerë vendlindjes, pasi për arsye të kufizimeve të ndryshme, janë shumë të pakta dëshmitë e asaj kohe nga jeta në rrethin e Matit). Natyrisht Batra ka qenë në atë kohë në fokus të propogandës, si një nga burimet e reja të kromit dhe që ishte zbuluar pak vite më parë. Një fotoreportazh për minierën e re, gjendet në një numër të revistës të vitit 1973. Atë po e sjellim më poshtë, duke i bashkëngjitur edhe një foto të minatorit Isuf Neli, që revista e kishte patur si kopertinë një numër më parë.
Ata ishin shumë të preokupuar. Vështrimi dhe tërë qenia e tyre ishte përqëndruar mbi atë fletë të gjerë të mbushur me viza. Drejtori i Minierës së Batrës, Hamit Milloshi, kalonte majën e lapsit nëpër kryqëzimet e vijave, pastaj ndalej dhe hidhte shikimin në sytë e shokëve: kërkonte mendimin, ndihmën e tyre.
Batra ka probleme. Ajo është një nga nyjat kryesore të kromit shqiptar. Nuk ka shumë kohë që i ka bërë vetes vend në hartën e Atdheut tonë. Emrin e saj tani e mësojnë edhe nxënësit e vegjël.
Në këtë qendër minatorësh shkojnë shpesh herë gazetarët. Atë nuk e harrojnë edhe kamerat e kinostudios apo telekamerat. Por pavarësisht nga numri i faqeve që mund të kenë reportazhet e përshkrimet, apo metrazhi i filmave, nuk mund të jepet kuadri i plotë i Batrës së re.
Batra është një pikë në krahinën malore të Martaneshit, në rrethin e Matit. E kaluara dhe e tanishmja e Martaneshit ndeshen si dy tehe shpatash në Batër. Sepse kontrasti, antagonizmi dhe lufta e tyre dalin në pah pikërisht këtu. Martaneshasit kanë jetuar në shekuj mbi këto male. Krahina e tyre mes këtyre shkrepave, ishte simboli i prapambetjes. Brezat trashëgonin nga brezat vetëm një gjë : varfërinë. Dhe ajo, si një maratonë ecte zhveshur dhe këmbë zbathur mbi këto male të pasur me minerale. Ecte ngadalë sepse pesha e skamjes gjithnjë është e rëndë. Por agoi një ditë dhe nuk u ngjau ditëve të tjera, në Martanesh krisi pushka partizane. Bijtë e kësaj krahine, si e gjithë Shqipëria, u ngritën në çeta e brigada luftëtarësh për liri. I drejtuan pushkën zaptuesit. Kështu u shënua një epope e re heroike në biografinë e Martaneshit.
Në shtigjet dhe monopatet ku patën kaluar partizanët, koha solli gjeologët. Ishin djem të lindur e të rritur nëpër këto shtëpi të varfëra. Pleqtë nuk e mësonin dot emrin e këtij profesioni, sepse s’e kapnin me mendje as misionin që kishte : si ishte e mundur që këta djelmosha të zgjonin këto male ? Ku e gjetën këtë guxim, ku e morën këtë force ? Në malet e Martaneshit erdhën sondat e shpimit të thellësive. Kampionët e parë që u nxorën nga zemra e maleve ishin një sihariq për të gjithë atdheun : edhe Martaneshi do i dhuronte vendit një pasuri të madhe : kromin. Kështu gjeologët i shkulën banesat e tyre për t’i ngulur në pika të tjera. Vendin ua lanë minatorëve. Këta e kishin fjalën. Dhe këta e morën stafetën.
Në fund të vitit 1966 u ngritën godinat e para të qytetit të minatorëve të Batrës. Më 1967 nga galeritë e para dolën vagonat e parë me mineralin e murmë. Batra hyri në skuadrën e minierave tona me hap më të shtrirë, më të sigurtë. Brenda 5-6 vjetëve ajo arriti shifra të tilla në nxjerrjen e mineralit që Bulqizës (minierë tjetër kromi, më e madhja në rrethin e Dibrës) i janë dashur 20 vjet. Çdo vit prodhimi është rritur 30-40 përqind. Më 1973 ai do të jetë 39 përqind më shumë se gjatë vitit që kaloi dhe 12 herë më i madh se në vitin 1967. Atë që prodhonte Batra, gjashtë vjet më parë në një muaj, sot e jep në një ditë e gjysëm. Brenda këtij pesëvjeçari, deri në vitin 1975, Batra do të ketë një rritje prodhimi prej 250 përqind. Nëse në mbi njëzet shtete që prodhojnë kromin, Shqipëria zë vendin e katërt në prodhimin absolut dhe një vend akoma më të mirë në prodhimin për frymë të popëllsisë, këtu është edhe djersa e Batrës.
Sot në Martanesh veprojnë dy ekspedita gjeologjike për të gjetur vendburime dhe rezerva të reja. Ekspedita të tjera veprojnë edhe gjetkë. Prodhimi i këtij minerali të çmueshëm është herë një degë e rëndësishme në zhvillimin aktual të vendit. Kërkesat për eksportimin e kromit janë të vazhdueshme. Dhe ai zë një vend të rëndësishëm në eksportet tona.
Qendra e re e minatorëve të kromit, ka marrë pamjen e qytetit. Ka klub kulture, kinema, spital dhe të gjitha institucionet e tjera social-kulturale. Mbi pullazet e shtëpive të tipit alpin vezullojnë antenat televizive. Qysh më 1968 u ngrit, në këtë qendër minerale, edhe shkolla e mesme industriale e minierave pa shkëputje nga puna ku përgatiten gjeologë dhe teknikë miniere. Këto dy vitet e fundit janë diplomuar këtu me shumë teknikë të mesëm nga sa kishte i gjithë rrethi i Matit para çlirimit.
Karvanët e kamionëve të ngarkuar me krom dhe autobuzët interurbanë e nisin rrugën nga Batra. MineraIi duke përshkuar ciklin e tij dërgohet sa në stacionet e vijave hekurudhore, aq edhe në Portin e Durrësit dhe në fabrikën e pasurimit të kromit në Bulqizë. Gjatë këtij pesëvjeçari do të ndërtohet edhe një fabrikë tjetër për pasurimin e kromeve të varfëra. Për vlerësimin e mëtejshëm të kromit, brenda këtij pesëvjeçari do të ngrihet edhe një uzinë ferro-kromi. Kjo degë me rëndësi e ekonomisë sonë do të forcohet akoma më shumë në pesëvjecarët e ardhshëm.
© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania