Censi 2023 : Mati i përgjysmuar, popullsia aq sa në kohën e Zogut


Adi Darsi
Adi Darsi

Nga Adi Darsi – Tiranë, 29 qershor 2024

 

Mes befasive të shumta që sollën shifrat zyrtare të Censit 2023, është edhe reduktimi i popullsisë së krahinës së Matit me më shumë se gjysmën e banorëve krahasuar me 23 vjet më parë. Në Censin e vitit 2001 popullsia e regjistruar si banuese në Mat zyrtarisht ka qenë 68.187 banorë. Në Censin 2023 të dy Bashkitë e krahinës, që përputhen saktësisht me kufinjtë territorialë të 2001, kanë së bashku vetëm 29.577 banorë. Rezulton që në periudhën 2001-2023 popullsia e krahinës ka rënë me më shumë se 50 %. Mati është përgjysmuar.

 

Kthim në kohën e Zogut

 

Pas një zhvillimi të sforcuar demografik në periudhën e komunizmit duket se shifrat e popullsisë po shkojnë drejt trendit të tyre natyral. Në këtë kuptim ai krahasimi ‘i të pakrahasueshmes’, aq në modë në komunizëm me vitin 1938, në rastin e popullsisë mund të përbëjë diçka të logjikshme. Në rastin e Shqipërisë, popullsia e të cilës në vitin 2023 rezultoi të jetë 2.4 milion banorë, kjo nuk mund të thuhet ende. Jemi shumë më tepër se sa shqiptarë kishte në vitin e fundit të Mbretërisë. Për Matin shifrat flasin ndryshe. Popullsia e regjistruar si banuese në krahinë ka rënë aq frikshëm sa është barazuar me vitin  1938, ku sipas regjistrimeve zyrtare popullsia ka qenë 29.100 banorë.

 

A jemi në kuotat natyrore ?

 

Pyetja që shtrohet është : A po shkojmë në nivelet e zhvillimit normal dhe natyror të popullsisë. Ka një të dhënë që thotë jo. Situata është edhe shumë më keq. Treguesi që e paralajmëron këtë është specifikimi i shifrës së popullsisë sipas grupmoshës. Në Bashkinë e Matit nga 17.405 banorë të regjistruar gjithsej, të mitur nga 0-14 vjec janë 2.670 ndërsa të moshuar mbi 65 vjeç 3.657, plot 1.000 mijë më shumë. Në vijim në Bashkinë e Klosit nga 12.172 banorë gjithsej të moshës 0-14 vjeç janë 2.051 ndërsa mbi 65 vjeç janë 2045. Çfarë do të thotë kjo? Të miturit janë 1000 më pak se të moshuarit. Pas 50 vitesh, edhe sikur të mos vdesë askush në moshë të re, dhe askush të mos largohet nga Mati, (gjë që nuk ndodh kurrë) popullsia do të jetë e pakta 1000 njerëz më pak.

 

Paralajmërimi

 

Nëse shifrat e popullsisë janë një kambanë alarmi për të gjithë Shqipërinë, po për Matin çfarë janë ? Nuk kërkon mend për të dhënë përgjigjen. Janë më shumë se alarm. Por të alarmohesh është krejt e kotë. Ajo që duhet bërë është të mendosh rreth shifrave dhe mbi bazën e tyre të bësh planifikime. Për të mos u lodhur kot me numrat, mjafton vetëm të thuash se 4600 fëmijë nga 0-14 vjeç nuk duan më shumë se 10-12 shkolla të madhësisë mesatare. (Fëmijët nga 0-6 vjeç nuk llogariten si nxënës). Në Mat janë shumë e shumë më tepër shkolla. Cila do të jetë e ardhjma e tyre? A duhet të vazhdojnë investimet në to ? Apo…

 

Një histori me shifra       

 

Regjistrimin e parë të rregullt të popullsisë në Shqipëri e kanë bërë austriakët në vitin 1918. Shifrat janë publikuar pas vitit 1921 me këmbënguljen dhe financimin që dha Ahmet Zogu, kur ishte ministër i brendshëm. Në atë kohë sipas regjistrimit fshat për fshat në Mat, rezultoi të kishte 23.643 banorë. Statistika është e detajuar edhe për banesat dhe për popullsinë sipas besimit fetar.  Deri në vitin e fundit të Mbretërisë Shqiptare trendi i popullsisë në të gjithë vendin ka qenë në rritje. Kjo ka ndodhur edhe në Mat. Në vitin 1938 krahina zyrtarisht ka qenë e banuar nga 29.100 njerëz. Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore deri në 1990 bumi i popullsisë në Shqipëri qe i pamendueshëm, aq sa demografët e quajnë edhe të panatyrshëm. Shkaqet dihen. Gjithsesi duke u kthyer tek shifrat, të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 1961, popullsia e regjistruar e Matit ka qenë 39.400 banorë. Paralajmërimin për të ardhmen e jep një shifër tjetër e detajuar e atij viti. Në 1961 në Mat kanë lindur 1772 fëmijë dhe kanë vdekur 459 persona. Shtesa e popullsisë ishte e lartë. Të lindur katër herë më shumë se vdekje! Në këtë mënyrë në 1991 popullsia e regjistruar e Matit rezulton të ketë qenë 78.754 banorë. Kurrë më shumë në histori nuk kishte pasur më shumë matjanë! Dhjetë vjet më vonë në vitin 2000 sipas regjistrave të gjendjes civile në Mat banonin 68.623 banorë. Rënia kishte filluar. Por regjistrat nuk e pasqyronin më realitetin. Një vit më vonë regjistrimi në terren me Censin 2001 tregoi se në Mat banonin jo 68 mijë banorë por 61.187, largimet dhe rënia ishin pra shumë më të mëdha se në regjistra. Për të ardhur në 2023 kur popullsia e Matit është më shumë se përgjysmuar!

 

E kemi një ngushëllim : Kemi diasporat tona të forta, sidomos në Angli, Greqi dhe Itali!

 

 

POPULLSIA E MATIT NË NJË SHEKULL

 

NR

VITI

POPULLSIA

1

1921

23.643

2

1938

29.100

3

1961

39.400 

4

1991

78.754

5

2001

61.187

6

2023

29.577          

 

 

© Adi Darsi 

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania