Avni Dani, Tiranë - Prill 2016
Revista Albania, të cilën Faik Konica e themeloi në nëntor të vitit 1896, filloi të botohej në mars të vitit 1897. Nën kujdesin e tij “Albania” doli në shqip, frëngjisht dhe turqisht deri në shkurt të vitit 1909. Fillmishta ajo është botuar në Bruksel e më pas në Londër. Eshtë revista që e kanë cilësuar si shkolla e gazetarisë shqiptare.
Faik Konica me “Albania”-an e tij vijon rrugën e Rilindjes Kombëtare duke e vënë atë revistë në funksion të luftës për përparimin kulturor të popullit shqiptar, për ngritjen e ndërgjegjes së tij kombëtare, duke pasur si synim ta përgatiste atë në të ardhmen për t’u çliruar nga robëria osmane. Revista “Albania” ruajti karakterin atdhetar, mbeti një nga organet kryesore të shtypit shqiptar të Rilindjes dhe me botimet e saj letrare, publicistike e enciklopedike dha një ndihmesë të çmuar në pasurimin e kulturës shqiptare në tërësi dhe veçanërisht në lëvrimin e gjuhës letrare shqipe, në njësimin e shkrimit të saj.
Koleksioni 12 vjeçar i revistës Albania, me 126 numrat që u botuan gjatë viteve 1897-1909, përbën kontributin me vlera të mëdha që la pas Faik Konica. Rubrikat e shumta publicistike, letrare, historike, etnologjike, sociologjike, gjuhësore, etj, të shkruara kryesisht prej penës brilante të vetë botuesit, janë vepër monumentale e Faik Konicës. Por jo vetëm. Faqet e “Albania”-s bëhen një tribunë e hapur për të gjithë patriotët e kohës. Aty shkruhet në të dy dialektet e shqipes, nga Mit’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Fan Noli, Gjergj Fishta, Filip Shiroka, Mihal Grameno, Hil Mosi, etj, të cilët në vitet më pas nxorën organet e tyre të shtypit, duke pasur për model pikërisht shkrimet e revistës “Albania”.
Pikërisht në këtë tribunë të mendimit të lirë do të përmendej edhe Pjetër Budi. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me ndonjë një shkrim që i kushtohet eskluzivisht Budit, por në një artikull ku Konica debaton për unifikimin e shkrimit të shqipes do të gjejmë për herë të parë edhe të dhëna të rëndësishme për Budin.
Jemi në vitin 1906, dy vjet para mbajtjes së Kongresit të Manastirit, i cili vendosi përfundimisht fatin e shqipes së shkruar. Duket se deri në vendimin e marrë në Manastir ka patur një debat, pjesë e qenësishme e të cilit, nuk kishte sit ë mos ish edhe “Albania” së bashku me botuesin e saj Faik Konicën. Në vitin 1906, në numrin 6 të “Albania”-s, Konica “thërret” në ndihmë të debatit pikërisht Pjetër Budin. Në një nga sqarimet e tij ai jep informacionin i cili vite më vonë do të bëhej pikënisja e të gjitha kërkimeve rreth Budit e veprës së tij. Ja se cfarë shkruan Konica:
I ndyeri Gustav Meyer besonte, dhe kam besuar vete shume kohe, ce me i vjeteri liber shcip i shtypur eshte fjalori i Frano Bardhit (1635). Po kater-mbe-dhjete vjët me pare, ipeshkevi shcipetar Pjeter Budi kish shtypur te parin liber shcip, si shoh ne tsa nota ce kisha mare me pare se te nis ALBANIEN dhe te tsilat i kisha fare harruar; i gheta perseri tani shpejt. Titulli i librit eshte : Specutunt Confessionis in Epiroticam linguam a Petro Budi, Episcopo Sapatense et Sar-danense translatum. In-12, Rome, 1621. 408 face. Besoj se i vetemi exemplar i mbetur esht ay ce pashe une ne Paris, ne Bibliotheque Mazarine (No 21582).
Mbi këtë gjetje të tij Konica do të ndërtonte të gjithë argumentin për shkrimin e shqipes, duke e parë atë si një traditë dhe kronologjit të shekujve të mëparshëm që kishte si pikënisje librat e Budit.
Si e dime te ghithe, ghuha shcipe nisi te shkruhet, a me vertet te shtypet, ne shekull te shtate-mbe-dhjette, ketu e gn'a 285 vjet me pare. Libri Speculum Confessionis, i Pjeter Budit, dolli me 1621. Budi i ndodhur perpara gne ghuhe te pa-shtypur, munt te xente tri udhe: munt te perdore a letrat romane, a letrat greke, a gne abee me shegna krejt te vechanta. Xghodhi, me gn'a dy shtime nevojshmë, letrat latine.
Me aq sa dihej dhe ishte zbuluar në atë kohë, Konica këmbëngul se rrënjët e shqipes së shkruar nisin në Shkodër me veprat e Budit dhe se e gjithë tradita e shkruar më pas, sic janë veprat e Pjetër Bogdanit dhe Frang Bardhit nuk ishin asgjë tjetër vecse vazhdimi i asaj tradite. Koha do të vërtetonte më pas se edhe Budi kishte pasur para ardhësit e vet, megjithatë qëndrojmë tek argumentet që Konica sjell në Albanian e tij:
Sa per kombin shcipetar, i vetemi vent ku ghuha jone shkruhej ahere ish Shkodra, dhe Shkodra kish gher die, me gn'a dy Ietra te ndryshuara, abeen Budit, abeen e vitit 1621.
Pese-dhjete vjet me tutje, me 1685, kryeipeshkevi Bogdan botonte vepren e madhe te tija, Cuneus Prophetarum. Dhe Bogdani prape, si Frano Bardhi i kish rene pas pare-ardhesit te tij Budit, mori ghurmet e shenuara prej te dy pare-ardhesve te tija. Ne shekull te XVII-te u-shtypne miaft libra ne ghuhe shcipe…
E gjithë kjo traditë e shkruar do të ishte e mjaftueshme që Konica rreth dy vjet më parë të jepte një pëlqim e vendim të tij për shkrimin e shqipes. Shumë shpejt koha do të vërtetonte drejtësinë e asaj që ai mendoi, komisioni me në krye patriotin e madh Gjergj Fishta edhe për hir të rregullës së vazhdimsisë si e thotë Konica, vendosi ashtu si ai mendonte. Ai vendim ishte një akt logjik si edhe Konica e parashtron në shkrimin e vet:
Me i perhapur, më i pelcyer dhe me praktik se ch'do tjater, alfabeti i BASHKIMIT na shtrengon t'a mbajme ne mos per tjater aresye po per ate kanun te ghurmimit loi de continuite, ate kanun te mohuar e te thyer prej shtaxave te hucumetit, po te tsilin duhet t'a kuptojne dhe t'a mprojne te ghithe mict' e perparimit. Alfabeti i Budit i rene, nga gne cint te tjere gne arrin te gnihet: — Si pra te vemi tani, kur detyra jone eshte t'i biem ketij pas, te chkulim te vetemin alfabet me regne per te ghetur gne tjater, i tsili, sa-do i mire te jete, nuke munt te mbledhe as ghysmet e anetareve te BASHKIMIT! A besoni se gne guverne e madhe ka kohe te loxe, dhe, si prishi te holla per te blere libra ne gne abee, do t'a leje kete per te mare gne abe te re te bere prej tsa djemve te pa-puneshm?...
Konica pra me këtë artikull do të ishte i pari autor që do të përqëndronte argumentet e veta tek një figurë e madhe sic edhe ishte Pjetër Budi. Por kjo do të kishte për bazë atë zbulim të veprës së tij në Bibliotekën e Parisit nga Konica. Do të shohim në vijim se duke kërkuar për Budin një tjetër patriot e shkrimtar i madh, Ndre Mjeda do të ecte pikërisht në këto gjurmë. I gjithë kërkimi i tij do të kishte në bazë të dhënën e Konicës për librin e Budit në Bibliotekën Mazarine të Parisit. Ajo duhej gjetur e sjellë në Shqipëri. Mjeda do ta bënte këtë objektiv qëllim të jetës së tij. Se si do vijonte historia do të sillej në faqet e titujve të tjerë të publicistikës shqiptare që tashmë botoheshin pikërisht atje ku Konica kishte parë qendrën e parë të të shkruarit shqip: në Shkodër.
© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania