Abdurrahman Mati, ose fama dhe fuqia e Lal Krosit



Nga Avni Dani, Tiranë – 23 Shtator 2018

 

Si e përshkruajnë bashkëkohësit e tij, njeriun më të afërt të Mretit Zog dhe njëkohësisht deputetin e Matit, “që bënte ligjin” në Tiranën e viteve ’30. 

 

Abdurrahman Matin mund ta vlerësosh si mentorin e Mbretit Zog. Përcaktimi nuk do ishte i gabuar. Mund ta quash eminenca gri e Zogut. Përsëri përcaktimi qëndron. Mund ta quash njeriu në hije i Mbretit. Prapë përcaktim i saktë është. Mund të thuash për të se ishte një nga njerëzit e fuqishëm të kohës, njeriu që kishte ndikim jo vetëm tek publiku por edhe tek Lartmadhëria, njeriu që binte në sy me veshjet shik, por adhe kostum popullor, njeriu që ja kishin nevojën të gjithë etj etj. Por këto përcaktime bëhen gjëra të vogla përballë asaj “nofke” të pakrahasueshme që mjeshtri i fjalës shqipe Gjergj Fishta i vendosi atij me vetëm me dy vargje: Lal Kros, Lal Kros, vetë shkruan e vetë vulos!

 

Padyshim Abdurrahman Mati (apo Abdurrahman Krosi, Lal Krosi) ishte një figurë sa e pushtetshme aq edhe egzotike e politikës shqiptare të viteve 20-40 të shekullit të kaluar. Njeriu që e kishte shoqëruar Zogun në çdo hap të jetës së tij, e që do të bënte të njëtën gjë edhe kur ai kapi majat më të larta të pushtetit, sigurisht që do të ishte përveçse përfitues i pushtetit edhe i ekspozuar nga të gjithë anët. 

Por edhe pse i pashkolluar ai kishte ditur t’ja dilte mbanë, sigurisht duke copëtuar edhe karrierat e njerëzve më të shquar të kohës, thjeshtë për interes të tij. Një shembull që e ilustron plotësisht këtë janë kujtimet e Mehdi Bej Frashërit. Ja se çfarë shkruan ministri i asaj kohe:

 

“Kur çifligu Xhatzotaj po transforrnohej në një stacion zooteknik, u konstatua se komandanti mbrojtjes kombëtare, Xhemal Aranitasi, dhe deputeti i Matjes Salih Abdurrahman Krosi ishin mësuar të lëshonin kafshët e tyre të holla e të trasha në Xhafzotaj për t’i kullotur dhe kështu pengohej veprimi i institutit. Me të marrë vesh këtë gjë, u dhashë urdhra të rrepta nëpunësve të institutit që ti nxirrnin jashtë kafshët e përmendura dhe të mos i afronin tjetër herë.

 

Këta dy zotërinj filluan diçka të kritikojnë tërthorazi në gazetën e re dhe unë iu dhashë përgjigje drejtpëtdrejt duke u thënë të vërtetën. Këta dy zotërinj filluan të vepronin tinëz në parlament dhe në pallat kundër meje aq sa shkaktuan dorëheqjen e kabinetit”.*

 

Por ai nuk ishte vetëm një njeri i fuqishëm i kohës. Falë atributeve të pushtetit ai gradualisht ishte bërë deri edhe objekt marketingu!!! Ndonëse sot ngjan si e pabesueshme, por revista MINERVA që është botuar në gjysmën e parë të viteve ’30, kohë kur ai ishte deputet, veç të tjerave ka botuar edhe foto të tij në plazhin e Durrësit.

Foto nga gazeta Minerva
Foto nga gazeta Minerva
Foto nga gazeta Minerva
Foto nga gazeta Minerva

Duke qenë në qendër të vëmendjes si mik i të gjithë atyre që donin të kishin akses tek Mbreti Zog, ai nuk kishte se si ti shpëtonte edhe syrit të të huajve që shërbenin në atë kohë  në Tiranë. Njëri prej tyre, italiani Pietro Kuaroni ka bërë edhe “vizatimin” më interesant të figurës së “matjanit” që dukej se i dominonte si rrethet politike ashtu dhe kulisat e kryeqytetit. Në librin “Valixhja Diplomatike”, Lal Krosi zë vend të posaçëm në galerinë e personazheve që diplomati i karrierës ka përshkruar, ndërmjet njohjeve të tij të shumta.

 

Vlen ta lexojmë të plotë atë që Kuaroni ka shkruar dhe parë në figurën e atij që “vetë shkruante dhe vetë vuloste”.

 

“Abdurrahman Mati. Njeriu më piktoresk i familjes ishte një personazh mjaft i çuditshëm, që njihej me emrin Abdurrahman, dhe mbiemër të thënë zyrtarisht Mati, për shkak të vendlindjes së tij, kurse përgjithësisht Krosi, domethënë “i zgjebosuri”.

 

Titulli i tij zyrtar: kumbar i mbretit.

 

Përsa i përket asaj se ç'do të thotë kjo, këtë akoma nuk e di. Ishte fjala, dukej, për një lloj intendenti të shtëpisë Zogolli, që gjatë periudhës të vështirë të vejnisë kishte ndihmuar besnikërisht Nënën Mbretëreshë në administrimin e pasurisë së fisit.

 

Ai tregonte ndaj mbretit një besnikëri jashtë çdo prove: asnjë dyshim për këtë. Mjaftonte ta shihje si sillej përqark tij, sikur do ta “pinte me sy”, të mbushur tej e tej njëherësh me dashuri dhe admirim: ai kishte gjestet prekëse të një qeni të vjetër rënë në dashuri. Gjatë ceremonive zyrtare, duke treguar përbuzjen më të madhe ndaj rregullave të etiketës, ai manovronte në mënyrë të atillë sa të ndodhej përherë dy hapa nga mbreti i vet.

 

Veshja e tij, në tërësi — mjaft korrekte, kishte, megjithatë, tipare më shumë se të çuditshme: brezi i baskëve mezi e fshihte prezencën e të paktën dy pistoletave, kurse preferenca e tij shkonte, në mënyrë të padiskutueshme, te kalibrat më të fortë.

 

Trupmadh, masiv, kafkën si prej letër qelqi, një çehre të çuditshme prej tirlire si ajo e dheut të pjekur të fëminisë sonë, goja e gjerë me buzë mishtore mbi një nofull katrore, sytë të vegjël, të çelët, përherë pak si të mjegulluar, por që ndiznin kohë më kohë rrufenë e një dashakeqësie shumë të thellë.

 

Thoshin se dikur kishte qenë orientuar më shumë drejt Jugosllavisë, prandaj e konsideroj si një nga fitoret e mia diplomatike faktin që e lidha haptas me kampin italian. Ndjeja shumë simpati për të: personazh i tij më argëtonte. 

Përveç shqipes nuk dinte veçse dy fjalë turqisht, afërsisht sa ç'dija unë, vetëm se dhjetë fjalët e mia nuk ishin ato të tijat, prandaj kjo gjë nuk na ndihmonte fare dhe duhej të kërkonim vazhdimisht ndihmën e një përkthyesi.

 

Bisedat me të nuk ishin aspak të shpejta për t'u dhënë udhë punëve: si oriental i mirë, ai kishte zakon t'i zinte gjërat nga shumë larg dhe ta stoliste tërë bisedën me parabola dhe anekdota. Sidoqoftë, me t'i shteruar hyrjet paraprake, ne arrinim tek fakti dhe pastaj diskutimi zhvillohej mjaft shpejt.

 

Tani, pas ngjarjeve, kam frikë se fitorja ime diplomatike nuk ka qenë aq e madhe, sa ç'e kam besuar: në veçanti politika e jashtme, pak e interesonte Krosin. Ai kufizohej të përmbushte vullnetin e mbretit: por kjo nuk e pengonte të merrej shumë dhe fort mirë me punët e veta. Koncepti, i tij për organizimin e shtetit shqiptar ishte shumë i thjeshtë. Administrata, nga kryetari i Këshillit te sekretari fundit i prefekturës, duhej të përbëhej përjashtimisht nga njerëz të miqve të tij dhe çdo punë, e madhe apo e vogël, duhej të kalonte nëpër duart e tij, duke lëshuar në to, në kalim e sipër, disa pupla. Për të qenë më saktë, besoj që suksesi im relativ ka pasur këtë arsye të vetme që, duke e njohur praninë dhe ndikimin e tij, unë kisha menduar që e vlente më shumë ta bënim këtë njeri të na shërbente ne, sesa të ishim të detyruar ta përballonim frontalisht. Është e qartë, ai nuk kishte mundur ta organizonte Shqipërinë sipas dëshirave të veta, por megjithatë ishte përpjekur ta organizonte sa më mirë.

 

Ai kishte në qytet një zyrë të vogël, përherë plot e përplot me hallexhinj: ai bënte kujdes të mos nenvleftësonte edhe çështjet më të vogla. Kërkuesit dilnin prej aty të pajisur me një shuk shumë të vogël letre me disa fjalë të shkarravitura përsipër:

 

-          Bëj çfarë kërkon filani, është miku im.

 

Ka mundësi që pasuria që ai kishte grumbulluar të ishte shumë më e paktë në krahasim me çfarë i atribuonte thashethemnaja publike: por është fakt që atë e urrenin, të rinjtë sidomos, në veçanti ata që ishin edukuar në Evropë dhe që  ëndërronin si patriotë të mirë për një Shqipëri të organizuar pak më mirë, më të ndryshme. Të ndërgjegjshëm për këtë trafik influencash politike dhe ekonomike, ata e konsideronin Krosin, gjithë përmasat ruajtur, si një lloj Rasputini të Shqipërisë.

 

Për hir të së vërtetës, unë mendoj që, gjithë duke e adhuruar mbretin dhe duke pandehur se po shërbente atij besnikërisht sipas mënyrës së vet, ai ishte në numrin e atyre që i shkaktonin atij të keqen më madhe. Mbreti, a ishte ai në dijeni të këtyre aktiviteteve shumë pak të painteresa?

 

Di vetëm që një ditë, kur një nga të mbrojturit e kumbarës nguli këmbë me forcë në një çështje të vogël që ne na interesonte, për një çmim pak të tepruar duke përdorur një dozë mosbesimi jo më pak të tepruar, unë e humba durimin. Duke e biseduar këtë çështje me mbretin, nuk munda të përmbahesha dhe bëra njëfarë aluzioni për mbrojtjen mjaft të interesuar që fisniku Abdurrahman akordonte ministrit në fjalë. Mësova më vonë se Zogu, pasi e kishte thirrur kumbarën, e kishte qortuar rëndë: në atë shkallë sa Abdurrahman Mati më qëndroi me turinj për shumë kohë.

 

Zogu ishte shumë i izoluar; kishte pak njerëz të sigurtë mbi të cilët mund të shpresonte në një çast të vështirë. I bindur në besnikërinë jashtë çdo prove të Abdurrahmanit, ai me sa duket, e kishte çmuar që ia vlente më mirë të mbyllte një sy. Ndoshta i rrethuar siç ishte nga një mur i padepërtueshëm - mallkimi i njerëzve që janë në pushtet - shkonte me mendimin që këto praktika katandiseshin në pako gjë, kohë më kohë. Zanati i Mbretit të Shqipërisë nuk i ngjiste në asgjë rast një foleje pëllumbash”.**

 

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania

 

 

* Medi Frasheri – Kujtime 1913-1933, OMSCA 1, viti 2005 fq 231-232

** Pietro Kuaroni – Valixhja diplomatike.