27 prill 1938 / Dasma e Mbretit Zog, media botërore “pushtohet” me lajmin nga Shqipëria



Avni Dani, Tiranë – 27 Prill 2019

 

Dasma nisi më 23 prill, me një pritje që Mbreti dhe Mbretëresha e ardhshme dhanë për trupin diplomatik dhe për gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë.

Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj. Regjenti, Horti, i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj Lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronxi.

 

Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga kancelari i Gjermanisë, Hitler, një Mercedez sportiv kabriole të kuq. Makina ishte e kuqe, me veshjen e brendshme bezhë, me stemën mbretërore të stampuar në të dyja dyert.

 

Siç ndodh rëndom në këto raste, shtypi botëror dhe diplomatët e huaj i kushtuan mjaft vend dhuratave. Time shkruan: “Kur mbërritën dhuratat, u bë e qartë se komplikimet ndërkombëtare nuk patën kaluar pa u vënë re. Adolf Hitleri i dërgoi një Mercedes-Benz sportiv. Musolini i dërgoi katër vazo bronzi, që dikur i përkisnin Napoleonit, një statujë dragoi erdhi nga Mbreti Vittorio Emanuele, tapete orientale nga diktatori Metaxas i Greqisë dhe një skrivani e përpunuar e shekullit XVII nga Generalissimo Franco i Spanjës”.

 

Dita e dasmës ishte më 27 prill. Geraldina kujton se ajo u zgjua në orën gjashtë, pavarësisht faktit që kishte rënë të flinte shumë vonë. Veshja e dasmës ishte zgjedhur sërish nga Mbreti. Ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga Uorth, posaçërisht për të. Në orën 11.00 nusja hyri në sallën e nderit të pallatit.

Shtypi amerikan i kushtoi reportazhe të gjata dasmës si dhe atmosferës së saj, si ky i “The Neë-York Sun” i datës 27 prill 1938, i titulluar: “Shqipëria bëhet me Mbretëreshë”. Tiranë, Shqipëri 27 prill, (A.P.) Në një ceremoni qytetare e dalluar për thjeshtësinë malësore, Kontesha Geraldina Appony, nëna e së cilës është amerikane, u bë Mbretëresha e parë e shqiptarëve, kur u pranua në martesë nga Mbreti Ahmet Zogu. Një breshëri prej 101 të shtënash, jehonat e këmbanave të Kishave dhe thirrjet e muezinëve muhamedanë, që luteshin nga minaretë, sinjalizuan martesën. Ceremonia u mbajt në një atmosferë gjysmë perëndimore e gjysmë orientale. Ata u deklaruan burrë e grua nga Hiqmet Delvina, nënkryetar i parlamentit, pasi ai kishte lexuar kërkesat e Kodit Civil për martesën para 200 të ftuarve dhe anëtarëve të Familjes Mbretërore. Pra, Mbretëresha Geraldina iu bashkëngjit Mbretëreshës Farida të Egjyptit, si Mbretëreshat më të reja të Botës. Mbretëresha Geraldina është 22 vjeç dhe Mbretëresha Farida është 17 vjeç. Mbretëresha Geraldina është e vetmja Mbretëreshë që përmban gjak amerikan. Ceremonia u zhvillua në një aneks të Pallatit Mbretëror. Muret qenë mbushur me armë antike shqiptare. Nusja, pak më e gjatë se Mbreti, shkëlqente në një fustan nusërie prej sateni të bardhë, Chanel, thurur me perla dhe fije argjendi në formë lulesh. Bishti i fustanit të saj mbretëror ishte i gjatë. Nga një vello prej tyli të bardhë varej një diademë me lule portokalli. Mbreti veshi një uniformë parade, mbushur me dekorata, si Kryekomandant i Ushtrisë. Mijëra malësorë të veshur në mënyrë piktoreske – gegë nga veriu dhe toskë nga jugu – përshëndesnin Mbretin, që nga një kryetar fisi u bë Monark dhe me një Mbretëreshë. 50 mijë nxënës, të veshur me kostume kombëtare, binin në sy me xhandarët dhe përfaqësuesit zyrtarë nga çdo cep i Shqipërisë. …Pasi morën urimet nga Konti Ciano dhe të ftuarit e tjerë të rëndësishëm, Mbretëresha kapi për krahu Mbretin dhe së bashku dolën përpara turmave të entuziamuara që qëndronin para Pallatit Mbretëror.

 

Dy javë më pas, më 9 maj, revista më e madhe amerikane, “Neës ëeek”, i kushtoi një reportazh po kaq interesant dasmës: “Abdikimi i Eduartit V në dhjetor 1936 e la Mbretin Zog I i Shqiptarëve si beqarin e vetëm në Europë. Shqipëria festoi javën e shkuar, me festime 3-ditore, martesën e Mbretit mysliman dhe Konteshës katolike romane Geraldinë Appony…Dhurata e Zogut për Mbretëreshën e tij – një kurorë diamantesh, vendosur mbi kurorën shqiptare, një byzylyk, një varëse – u zgjodhën nga bizhuteritë e dërguara në Tiranë nga firmat e Parisit dhe të Vjenës.

Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një Mercedes të hapur. Mijëra vetë kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21 vjeçare. Geraldina kujton se ata u ulën në verandë për një kafe, përpara se Mbreti t’i tregonte dhomën e madhe të pritjes të mobiluar sipas stilit klasik, dhomën e ngrënies sipas stilit perandorak të Napoleonit dhe dhomën e gjumit në stilin e Maria Terezës. Pallati veror sapo ishte restauruar me rastin e martesës dhe Mbreti Zog mburrej për tavanin e gdhendur, larë në ar.

 

Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në Prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në Tetor 2002. Në fund të jetës, i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Marrë nga libri “Presidenti që u bë Mbret” i gazetarit Blendi Fevziu.

 

© Avni Dani

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania