ARTAN KURTI (KOLA) u lind në Burrel, më 19 maj 1966 në një familje autoktone, ku kreu dhe shkollën 8-vjeçare. Më tej ka kryer studimet për skulpturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” Tiranë, më 1985 dhe Institutin e Lartë të Arteve Tiranë (sot Universiteti i Arteve), më 1989. Pas mbarimit të studimeve ka punuar mësues në shkollën 8-vjeçare Zenisht (Mat) dhe në Teatrin e Kukullave Burrel.
Më 1992 emigron në Greqi (Athinë), ku deri më 1996 merret me restaurimin e vlerave antikuare, krijimin dhe riprodhimin e veprave skulpturale e dekorative. Pas kthimit nga Greqia punon në Tiranë, Burrel etj, në fushën e dekorimeve të mjediseve sociale dhe familjare, si dhe realizimin e disa porosive në skulpturë, sidomos në gjininë e relievit.
Më 1998, me largimin nga jeta të të atit (studiuesit Dilaver Kurti), u mor me sistemimin dhe publikimin e punës së tij, e cila u bë shtysë dhe motivim për të gjurmuar dhe mbledhur të dhëna etnografike dhe fiksuar foto dokumentare e artistike nga pothuajse të gjithë fshatrat e Matit.
Më 2007 vihet në krye të grupit botues të revistës historike-kulturore-letrare “Emathia”, ku mban një peshë të rëndësishme me formulimin grafik dhe shkrime informative kulturore, gjurmime etnografike e tradita, si dhe rreth figurave që kanë lënë gjurmë në fushën e trashëgimisë historike, kulturore, artistike etj.
Është bashkautor i librit “Klosi, vështrim gjeohistorik”, ku përfshihen tradita, histori dhe kontribute të ndryshme të zonës së Klosit në Mat. Është angazhuar në shumë biseda në kanale televizive lokale e më gjerë për çështje të trashëgimisë kulturore, historike dhe folklorit, si dhe disa dokumentarë, që pasqyrojnë vlera historike e kulturore të trevës së Matit.
Duke u përkushtuar në punën e gjurmimit dhe studimit të traditave kulturore të trevës së Matit u regjistrua dhe është në përfundim të studimeve në shkollën doktorale “Master Shkencor” në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit pranë Qendrës së Studimeve Albanologjikë Tiranë.
Që nga viti 2011 kryen detyrën e drejtorit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Mat, ku krahas aktiviteteve të shumta të programuara në planet vjetore, ka iniciuar veprimtari që kanë lidhje me vazhdimësinë e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore te fëmijët nëpërmjet valleve, kostumeve e lojrave popullore.