100-vjetori i shkollës shqipe të Bejnit (Klos – Mat)


1916 - 2016



Intervistë e Zotit Aqif Ymeri për Mat – Tv

 

A mund të na tregoni, se në ç’rrethana u rrit lëvizja për çeljen dhe masivizimin e shkollave shqipe në vendin tonë ?

 

Shkolla shqipe, pra edhe shkrimi i gjuhës sonë, si pjesë përbërëse të çështjes dhe lëvizjes kombëtare shqiptare, kanë historinë e tyre. Ata kanë ecur nëpër një udhë të gjatë e të vështirë, por  të lavdishme; kanë përshkuar  shtigje të rrezikshme; kanë kapërcyer kurthe e pengesa të panumërta dhe përherë kanë dalë fitimtare. Lëvizja për abecenë dhe shkrimin shqip është histori e një lufte të ashpër në shumë drejtime. Përballë saj janë përqëndruar vazhdimisht fuqi të huaja; janë shfaqur rryma nga më të mprehtat, shumë prirje e pikëpamje e mjaft dukuri politike të kundërta; mbi të janë vërsulur përherë forca të errta. Por, në atë lëvizje kanë shdërritur ngaherë gjallërisht interesat kombëtare, ka dalë në pah aftësia jetike dhe ka shkëlqyer puna vetëmohuese e luftëtarëve tanë të penës e të pushkës.

 

Gjatë gjithë kohës së sundimit turk, siç vërtetohet plotësisht në dokumente, shqiptarët përbënin kombin më të shtypur e më të çveshur nga çdo e drejtë kombëtare. Sundimtarët osmanë vërsuleshin si të tërbuar kundër çdo shqiptari që shfaqte qoftë edhe shenjën më të vogël të ndjenjës kombëtare, kundër të gjithë atyre që kërkonin të ndiznin shkëndijën e atdhedashurisë.

 

Nën peshën e rëndë të këtij sundimi të egër, duhet theksuar se, lufta për abecenë dhe shkrimin shqip u shqua për ashpërsinë e saj, sidomos gjatë Rilindjes sonë kombëtare dhe pas saj. 7 marsi i shkollës shqipe trokiti për herë të parë në vitin 1887

 

7 marsi i këtij viti  trokiti  në kujtesën tonë për të 129-tën herë. Jo se shqiptarët nuk kishin shkolla më parë se viti 1887, por sepse në atë vit u hap për të parën herë “Mësonjtorja e Parë Kombëtare Shqipe”, ku gjuhë mësimi ishte gjuha amtare e shqiptarëve, ku përvetësohej mësimi i gjuhës shqipe, ku mësohej historia e Shqipërisë, ku merreshin njohuritë se ku fillon e mbaron vendlindja, ku këndoheshin këngët që tingëllonin shqip: “…sa e ëmbël, sa e dlirë…”

 

Pra, trungu kryesor i kurrikulës së kësaj shkolle, që drejtohej nga dekani i pedagogëve shqiptarë, Pandeli Sotiri, ishte grupi i lëndëve që mëkonte çlirimin kombëtar, që edukonte etjen për dituri, që ushqente dashurinë për njëri tjetrin nëpërmjet forcës që gjeneron bashkimi.

 

Mësonjtorja e parë shqipe e vitit 1887, krijoi modelin e shkollës shqipe me tekstet e Naimit, Vretos e Samiut, duke ngritur kështu të parin institucion arsimor kombëtar e duke legalizuar krenarinë e të arsimuarit në shkollën shqiptare.

 

Që nga kjo kohë lëvizja për arsimin kombëtar mori përmasa të reja me drejtim politik. Veçanërisht që nga dalja në dritë e abetareve të Naum Bredhit, lëvizja për abecenë dhe shkrimin shqip u mësy përherë e më rreptë nga Oborri Osman dhe athino-fanaritët, jo më thjesht si dukuri gjuhësore, por si një veprimtari politike. Në fund të shekullit të XIX, mundën të çelen me shumë përpjekje vetëm pak shkolla, por ata s’mund të kishin jetë të gjatë nga sulmet e tërbuara të propagandës greke dhe të qeveritarëve turq.

 

U duk sikur me kushtetutën e vitit 1908, “Turqit e Rinj”, siç u quajtën në atë kohë, do të lejonin “liri shkolle e mendimi” për popujt e perandorisë, por kjo vetëm sa u dha shkas nacionalistëve tanë për të përfituar nga rasti që të themelonin klube politike me qëllim që të përhapnin ide patriotike, të vepronin si çerdhe mësimi të gjuhës amtare dhe të kujdeseshin për çeljen e shkollave të posaçme shqipe. Këto përpjekje çuan në hapjen e shkollës së parë të mesme në Elbasan, që u quajt më pas “Normalja e Elbasanit”. Kjo shkollë pati rëndësi jo vetëm pse qe instituti i parë i mesëm shqip, por sepse u krijua me vendimin e një kongresi  në të cilin morën pjesë 20 e ca klube shqiptare të mbarë Shqipërisë, pra qe një akt që doli nga vullneti i lirë i mbarë shqiptarëve nacionalistë dhe me synimin e qartë për të formuar edukatorët e Shqipërisë në pragun e indipendencës (pavarësisë). Dëshmi e kësaj pune sistematike të nacionalistëve është edhe fakti se, në këtë kongres, u vendos të themelohej një shoqëri qëndrore në Korçë e emërtuar “Përparimi”, e cila do të ishte si arka e përgjithshme ku do të mblidheshin të hollat që do të dërgonin klubet e shoqëritë me të cilat do të mbahej normalja dhe do të shtypeshin libra shkollore. Kështu, me nismën e klubeve u çelën aty këtu nëpër Shqipëri edhe shkolla fillore dhe për më tepër edhe në disa shkolla të mesme e fillore turke u arrit të depërtonte edhe mësimi i shqipes. Por si normalja, ashtu edhe shkollat fillore shqipe, nuk mundën t’i  rezistonin tërbimit e furisë së egër të Turqve të Rinj që shpërtheu në vitin 1910. Kështu, u paralizua edhe kjo veprimtari e ethshme arsimore deri më shpalljen e pavarësisë.

 

Me shpalljen e pavarësisë, në qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit, u krijua edhe Ministria e Arsimit dhe u çel një shkollë fillore në Vlorë dhe ndonjë shkollë në trevat e afërta, si në Kaninë, Dukat, Kudhës, Smokthinë etj. Një organizim më i gjërë në dikasterin e Ministrisë së Arsimit u bë në vitin shkollor 1913-1914, ku u krijuan 4 zona arsimore në zonat e liruara, të emërtuara “Drejtori Arsimore” që kishin për qendra qytetet Vlorë, Berat, Elbasan dhe Durrës. Gjithsesi u çelën disa shkolla në Berat, Elbasan, Durrës, në Shkodër, ndonëse ajo prefekturë gjendej nën sundimin ndërkombëtar, mundën të funksionojnë 2 shkolla mashkullore, 2 foshnjore, një qytetëse e 16 shkolla katundesh. Në viset e tjera vetëm në Pogradec mundën të çelin një shkollë mashkullore në qytet sepse pjesa tjetër ishte nën sundimin serb ose grek.

 

Në botimin Shqipnija më 1937, fq.158-159 lexojmë :

 

“Shkollat në këtë vjet (është fjala për vitin mësimor 1913-1914) nuk kishin nprogram të caktuem dhe as element mësimuer të pregatitun përgjithësisht. Si tekst këndimi përdoreshin : libri i Lumo Skendos , disa këndime t’autorit D.H. dhe ma vonë u shtrinë ato të Lakos. Përdorej edhe libri “Dituritë” i Sami Frashërit.

 

Qeveria e përkohëshme për të zgjedhë problemin e personelit mësimuer çeli kurse normalen periodike n’Elbasan, e pak ma vonë në Berat. Nxansit e ktyne normaleve rekrutoheshin prej djelmoshash që kishin ndjekë qytetse e gjimnaze të kohës së Turqisë, merreshin me bursë, por në mungesë të lokaleve banonin jashtë në qytet.

 

Për herë të parë nxansit e normaleve merrnin edhe mësime pedagogjike rudimentale. Kështu të pregatitun këta kursistë emnoheshin mësues nëpër shkolla fillore që po çeleshin dita ditës. Prej tyne gjinden edhe sot (është fjala për vitin 1937) n’arsimin kombtar.

 

Me ardhjen e princ Vidit u formue Qeveria e re shqiptare në Durrës. Aktiviteti arsimuer i ksaj Qeverije u paralizue qysh në fillim prej plasjes së rebelizmës dhe ky i pakët  organizim që ish nisë në arsimin kombtar u shkatrrue krejt.

 

Në vjetin shkolluer 1914-1915 pothuejse shkolla shqipe nuk ekzistuën fare në të gjithë viset e Shqipnis për arsye të sundimit të rebelëve dhe t’okupacioneve të hueja.

 

Vetëm nga fundi i këtij vjeti shkolluer me formimin e nji farë qeverije që krijoi Esati në Durrës u formue nji Këshill arsimuer pranë Drejtoris së P. Të Mbrendëshme, i cili u interesue për nji lloj organizimi të shkollave në Prefekturat Durrës, Elbasan e Berat për vjetin 1915-16, por numri i këtyne shkollave që fare i kufizuëm. Disa shkolla në këtë kohë ishin vetëm për mësim feje.

 

Këshilli arsimuër i Durrësit përpiloi nji program sintetik, i pari program shkolluer në shqip, për shkolla fillore tri klasësh dhe pesë klasëshe dhe në kët kohë u botue nji abetare prej Hafëz Ali Korçës.

 

Qeveria e Esatit mori fund me ardhjen e ushtrive austro-ungare më 1915, por ky organizim i ngushtë shkolluer vazhdoi deri në fund të vjetit shkolluer 1915-16.

 

Në vjetin e ri 1916-17 për arsimin shqiptar hapet nji fazë e re me rastin që Shqipnia ra plotësisht nën okupacjonin e ushtrive austro-ungare, italjane dhe frënge.

 

Mund të themi se këto ushtri i dhanë nji shkas të madh organizimit t’Arsimit dhe çeljes së shkollave.

 

Nën austriakët u krijue në Shkodër nji Drejtori e Përgjithëshme e Arsimit me personel shqiptar dhe në viset e pushtueme u krijuen Drejtori Arsimi me inspektora  arsimi.

 

Këto Drejtori gjindeshin: në Shkodër dhe përmblidhte qarkun e Shkodrës, të Dibrës, të Kosovës dhe të Krujës; në Tiranë, dhe përmblidhte Prefekturën e Tiranës, të Durrësit, të Elbasanit dhe Matin, në Berat  dhe përmblidhte gjithë qarkun.

 

Këto shkolla funksiononin në gjuhë shqipe dhe me mësues shqiptarë; gjermanishtja duhej të mësohej si gjuhë e dytë në kl. IV dhe V me gjithë se nji gja e tillë nuk u vu në zbatim kudo.

 

Shkollat fillore ishin pesë klasëshe nëpër qytete dhe tri  klasëshe nëpër katunde. Ish nji program analitik i shtypun në gjuhë shqipe. Si sistem shkolluer si program ishin ato t’ Austris t’ adaptueme”.

 

Pikërisht, këtij viti (shtator 1916) i përket edhe hapja e shkollës së Bejnit me mësues Hasan Zogollin.

 

Ne e dimë se në kujtesën e komunitetit shkolla e Bejnit është hapur në vitin 1916, por a mund të na tregoni dokumente që e dëshmojnë këtë fakt dhe se mësuesi i parë i saj ka qenë intelektuali patriot Hasan Zogolli ?

 

Materiali i mësipërm, i shkëputur nga “Shqipenija me 1937”, pjesë e botimeve të Komisionit të Kremtimeve të 25 vjetorit të vet-qeverimit (1912-1937), përfshin dokumente të arkivuara të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Teki Selenica, të Sekretarit të Ministrisë së Arsimit, Hasan Zogolli, njëherësh edhe” Kryetar i Komisionit të Kremtimeve të 25-Vjetorit të Vet-Qeverimit” , si i tillë, ky material, është i saktë. Pra jep saktësisht gjëndjen arsimore të periudhës 1912-1937.

 

Për hapjen e shkollës së Bejnit në shtator të vitit 1916, përveç dëshmive të të moshuarve të faktuara nga ne si studiues, ka edhe dokumente të AQSH-së dhe të Arkivit të Matit. Psh, në vendimin nr. 26 të datës  03.05. 1946 të Komitetit Ekzekutiv të N/Prefekturës Klos, veç të tjerave theksohet njohja e shërbimit të Z.Hasan Zogolli, i cili “prej datës 15/IX/1916 e deri me datë 10/XII/1918 ashtë kenë mësues në katundin Bejnë të kësaj N/Prefekture”. Pra është dokumenti shtetëror që i përcillet Ministrisë së Financave në bazë të qarkores me nr.4592, dt. 6/X/1945, ku këtij Komiteti Ekzekutiv i kërkon vërtetim për shërbimet e kryera nga Z. Hasan Zogolli në Krahinën e Klosit. Pra që shkolla e Bejnit, ka funksionuar nga data 15.09.1916 dhe se mësues në këtë shkollë ka qenë intelektuali Hasan Zogolli dëshmojnë dokumentet shtetërore. Është kjo arsyeja që ne shkrimin me titull “Fisi Zogolli në 100-vjetorin e shkollës shqipe të Kryematit” jua kemi përcjellë disa organeve të medias dhe na vjen mirë që e kanë mirëpritur. Edhe Zyra Arsimore Mat, me rastin e 7 marsit shprehu mirënjohjen e saj për mësuesin Hasan Zogolli, i cili para 100 vitesh hapi shkollën shqipe në fshatin Bejnë dhe për mësuesin Hysen Zogolli, i cili nga viti 1921 deri në vitin 1946 ka punuar si mësues në shkollat e Bejnit, Patinit, Xibrit e Klosit. Në arkivin e Matit, për mësuesin Hysen Zogolli, figurojnë 25 vite punë në arsim nga data 15. 02. 1921 deri me datë 15.06. 1946.

 

Shkolla e Bejnit, me 15 shtator të vitit 1916, u hap në shtëpinë e Staf Llanit, e cila është e shuar,  më pas ka vazhduar në shtëpinë e Hysen Ndreut dhe më vonë në shtëpinë e madhe të Kadiajve. Për familjen e Kadiajve, të moshuarit tregojnë se kjo shtëpi tradicionalisht në shekuj ka kultivuar dije e kulturë. Nga kjo familje mbahen mend me arsim të lartë islam në breza shumë djem si teologë, ushtarakë, juristë, madje edhe të fushës së astronomisë, të arsimuar këto deri në Egjipt. Dëshmi e qartë  për këtë është edhe ora diellore e përdorur prej shumë kohësh nga kjo familje, me të cilën për gjithë zonën merrej sinjali për çeljen e iftarit. Këtë orë Kadiu e kishte marrë në Egjipt. Pikërisht kjo familje, përkrah Hasan Zogollit, qe me nismëtaret e para të çeljes së shkollës së parë shqipe në këtë krahinë. Hasan Zogolli, si intelektual patriot, ishte i vendosur për të hapur shkollat shqipe në këtë zonë dhe zgjodhi në fillim fshatin Bejnë, për dashamirësinë dhe mirënjohjen ndaj këtij fshati, i cili ishte i paharruar për të edhe për  mikpritjen e pakursyer e mirërritjen e vëllezërve të tij. Ky fshat ka qenë shumë arsimdashës dhe ky fakt qe faktori kryesor që ndikoi në hapjen e shkollës së parë shqipe në këtë trevë. Por duhet theksuar edhe vendosmëria e ndihmesa e disa familjeve të tjera krahas Kadiajve, si e Shahinajve, e Hoxhajve, e Shinjatarëve, Dedollajve, pa bashkëpunimin e të cilave nuk mund të realizohej hapja e shkollës. Në këtë shkollë qenë regjistruar që në fillim 34 nxënës nga Bejni e fshatrat për rreth. Duke patur vijueshmëri të rregullt në ato vite, në vitin 1922, në atë shkollë figurojnë të regjistruar  40 nxënës, 36 prej të cilëve frekuentonin rregullisht shkollën (AQSH, dosja nr.14, fondi 233, viti 1922). Për kushtet e kohës, në vitet e mëvonshme, shkolla edhe mbyllej e rihapej. Kështu, pas Hasan Zogollit, në Bejnë ka dhënë mësim edhe vëllai i tij, Hysen Zogolli. Në dosjen me nr.109 të AQSH-së, dosje pa vit, në vitin 1931, figuron mësues në shkollën e Bejnit, Xhaferr Ballhysa. Me Zogollajt, në Bejnë kanë mësuar shkrim e këndim shumë bij të këtij fshati-thoshte Feta Hoxha, si Zeqir Kadiu, Hamit Shahini, Çup Feta, Hysen Ndreu, Isuf Peci, Mexhit Shahini, Hasan Rroshi, Haxhi Sela, Rexhep Hoxha etj. etj. Por meqenëse, rrethanat e kohës  në vazhdimësi, ishin të tilla që shkolla në Bejnë hapej, mbyllej e rihapej, në kohë të ndryshme bijtë e këtij fshati detyroheshin ta vazhdonin shkollën në Klos, ose në Cerujë te Koburja, sipas rastit dhe largësisë. Kështu, vijonte tregimin Feta Hoxha: “Kam mësuar edhe unë me Hysen Halitin, te xhamia e madhe në Klos, po ashtu, në vitin 1941, kam mësuar te Pazari i Vjetër, ku mësues ishte Ibrahim Gani nga Vlora. Ai kishte mbaruar Normalen e Elbasanit...”   Pra fëmijët kur mbyllej shkolla në Bejnë, nuk i ndërprisnin mësimet, por i vazhdonin ato në shkolla të tjera  duke i përzgjedhur sipas largësisë, sepse pas vitit 1916, nga viti 1920 e më pas vazhdoi hapja e shkollave edhe në fshatra të tjerë të kësaj treve.

 

Hasan Zogolli në Kryemat, u bë personaliteti më i vlerësuar me hapjen e së parës shkollë shqipe në këtë trevë, në fshatin Bejnë. Ai hyri në historinë e arsimit të kësaj treve si mësuesi i parë vendës i mësimit në gjuhën shqipe. Në këtë vit Jubilar të 100-vjetorit të shkollës së parë shqipe të Kryematit, populli i kësaj treve kujton e respekton me nderimet më të mëdha këtë pinjoll të denjë të fisit të madh Zogolli.

 

Përveç hapjes së shkollës së parë shqipe në trevën e Stragjut (Klosit), a ka veprimtari të tjera ky intelektual patriot në Klos dhe në Mat në tërësi ?

 

Së pari, Hasan Zogolli, duke punuar si kryesekretar në Ministrinë e Arsimit për një periudhë të gjatë kohore, ndikoi shumë në hapjen e shkollave të tjera e masivizimin e arsimit në Mat. Por po tregoj edhe funksione të tjera të tij.

 

Hasan Zogolli ka punuar në Krahinarinë  Klos dhe në Mat edhe në këto detyra:

“- Si Zv.Krahinar i Krahinës Klos prej datës  11/XII/1918 deri më 12/XI/1919.-

- Si sekretar i Krahinës Klos prej datës 13/XI/919 e deri me datë 30/XI/1920.

- Si Kryetar i Krahinës Klos prej  1/XII/1920 e deri me 17/XII/1923.-“

 

 

Në vendimin  nr.5 datë  8/I/1946 Komiteti  Ekzekutiv i N/Prefekturës së Burrelit vendosi :

 

Njohjen e sherbimit të Z. Hasan Halit Zogolli nga Tirana, qysh nga data I/IV/!914  deri  me datë 30/11/1914 si sekretar i N/Prefektures  Matit me rrogë mujore Fr. Ari 160”.

 

Gjithashtu  më 25-27 dhjetor të vitit 1918, në Kongresin e Durrësit, për Matin qenë delegatë në këtë kongres Abdurrahman bej Çela dhe Hasan bej Zogolli. (Teki Selenica: “Shqipenija me 1937”, f.41). Pra Hasan bej Zogolli, si patriot dhe intelektual i shquar, bënte pjesë në elitën e përfaqësuesve të Kombit shqiptar.

 

Po tregoj edhe funksione të tjera të tija :

 

Hasan Zogolli si krahinar nga veriu, në jug të vendit

 

Janë tre dekrete të M.P.MBRENDESHME, me numrat 3797 1248/Sek.II 10410 dhe 18672 1251/II 4549.S.II ku ai emërohet krahinar përkatësisht në Koprenskë të Prefekturës së Beratit, në Pezë të Madhe të Prefekturës së Elbasanit, si dhe në Petrelë të Qarkut të Tiranës. Në përmbajtjen e secilës nga këto shkresa, ndër të tjera lexojmë:

 

Pritet prej Z.s’uej energji e bindësi e plotë në ligjë edhe punim me nder e ndërgjegje, gjith’ ashtu edhe besnikëri para flamurit kombëtar e statutit të Shtetit, simbas bes qi kini bam”.

 

Shkresa të tilla janë edhe ato të emërimit në Strajcë të Matit etj. Me këtë besim, vendosmëri e përkushtim, kjo familje e ndritur e Zogollajve, do t’i përgjigjej detyrës për të drejtuar disa krahina të vendit, ku njëherësh formësoi përvojë të vyer falë veprimtarisë dhe bashkëpunimit me figura të shquara të kulturës dhe historisë sonë kombëtare.

 

Që nga viti 1929, kjo familje humbet mbiemrin, ndonëse merr ofiqe nga pallati Mbretëror, të cilit i shërbeu denjësisht. Hasani, tashmë me mbiemrin Haliti (me emrin e të atit), emërohet kryesekretar në Ministrinë e Arsimit, në Tiranë. Duhet theksuar, se ai kishte kohën më të artë në këtë institucion, duke bashkëpunuar me tri personalitete shqiptare: Hilë Mosin, Aleksandër Xhuvanin dhe Marash Ivanajn. Është pikërisht kjo kohë e artë, kur për herë të parë ndërmerren reforma të fuqishme arsimore në Shqipëri. Njëherësh me to, Ministria e Arsimit, ku kryesekretar ishte Hasan Zogolli, harton një raport të hollësishëm lidhur me një politikë arsimore më tolerante ndaj minoriteteve në Shqipëri. Si specialist i arsimit, Hasan Zogolli ndikoi fuqishëm në reformat arsimore të atyre viteve, duke mos shfaqur dallime midis etnive dhe kundërshtuar pretendimet absurde të grekofonëve. Në raportin e nxjerrë nga Ministria e Arsimit, duke kundërshtuar tezat e grekëve për arsimin, ndër të tjera theksohej: “kundrejt grekofonëve të Shqipërisë, veçanërisht Ministrija e Arsimit në zbatimin e ligjeve arsimore ka shfaqur gjithnjë një tolerancë shumë më të shume se kundrejt shtetasve të tjerë”.

 

Hasan Zogolli ishte krah i djathtë i ministrit reformator Marash Ivanaj, kur në vitin mësimor 1933-34, në sistemin shkollor u realizuan reforma të mëdha.

 

Në Shqipenija me 1937, fq.168 lexojmë :

 

Në Prill 1933, u ba shtetzimi i shkollave dhe u mbyllen keshtu shkollat private, fillore e të mesme, por disa prej shkollave të mesme vijuen deri në fund të vjetit 1932-33 si degë shkollash shtetnore.

 

Në vjetin 1933-34 u mbyllën shkollat profesjonale, normaleja femnore dhe shkolla tregtare e Korçës dhe n’anë tjetër u çelën nji qytetse femnore dhe nji mashkullore në Korçë, nji qytetse në Berat, nji në Durrës, nji gjysëm gjimnazi femnuër në Shkodër, si dega e gjimnazit mashkulluer, dhe instituti femnuer “Nana Mbretneshë” në Tiranë me degë gjimnazi e normaleje. Po në fillim të këtij vjeti u mbyllën konviktet fillore të Vunoit e të Homeshit. Qysh me themelimin e shkollave qytetse u botue edhe nji projekt-programë e tyne.

 

Gjatë vjetit 1933-34 u pregatit drekret-ligja organike e arsimit, e cila u dekretue në shtatuer 1934 dhe hyri në zbatim në vjetin shkolluer 1934-35”

 

Është pikërisht koha e reformave ku u kristalizua qartë struktura arsimore dhe programi  shkollor tashmë ishte shtetëror, me fizionomi të qartë kombëtare, duke shmangur financime të dyshimta e trajtesa që nuk i shërbenin edukimit të të rinjve shqiparë dhe  njëherësh duke respektuar brenda normave edhe të drejtat e minoriteteve.

 

Të njohësh ankesat dhe kërkesat e asaj kohe,bindesh se sa e vlerë qe ajo reformë në atë periudhë. (lexo të tretën nga fundi të katolikëve dhe atë të minoritetit grek, shih edhe f.9 të min).

 

Me dt. 06.05.1937, kohë kur Hasan Zogolli ishte bërë shumë i njohur për zellin e tij të punës si atdhetar dhe njohës i historisë sonë  e i vlerave kombëtare, merr një shkresë  për të formuar një komision për përgatitjen e programit festiv të 25-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Në atë shkresë, ndër të tjera, lexojmë qartë :

 

lutemi të mos na e kurseni këtë ndihmë sa patriotike aq edhe njerzore që do të jetë për nder t’Atdheut e për hi t’atyne që luftuen dhe vdiqën për liri. Zotnit e përmendun këtu poshtë do t’përbajnë Komisionin që do kryesoni Z. e Juej. Puna dhe mënyra e veprimit do t’ju njoftohet prej Z. Haki Stërmillit, Sekretar’ i Komisionit, me të cillin lutemi të takoheni sa ma par

 

Z. Hasan Zogolli

Z.Haxhi Daci

Z.Irfan Majuni

Z.Abedin Cami

Z.Ahmet Agolli”     

 

Kjo shkresë është nënshkruar nga Hafiz Xhemali.                                                           

 

Në vetvete ky organizim nuk kishte të bënte me një komision të zakonshëm festiv, por me një komision që do të kishte përgjegjësinë e madhe të realizimit të një ekspozite të veçantë, për atë vit jubilar, me dokumente historike, që ishte e para e këtij lloji, e cila do të përmblidhte me përmbajtjen e saj, ngjarjet e mëdha të lëvizjes sonë kombëtare. Për këtë ky komision u instalua në këtë kryeqendër të  lëvizjeve patriotike, në Dibër të Madhe dhe në të merrnin pjesë anëtarë nga e gjithë Shqipëria, si Haki Stërmilli, Vehbi Xhidri, Hafëz Xhemali, Jashar Erebara, Hamdi beu i Iljaz Pashës, Ismail Strazimiri, Haki Sharofi  dhe Ramadan Pustina. Sekretar i këtij komisioni ishte shkrimtari i njohur i viteve 30’ të shekullit të kaluar, Haki Stërmilli.

 

Më 25-27 dhjetor të vitit 1918, në Kongresin e Durrësit, për Matin qenë delegatë në këtë kongres Abdurrahman bej Çela dhe Hasan bej Zogolli. (Teki Selenica: “Shqipenija me 1937”, f.41). Pra Hasan bej Zogolli, si patriot dhe intelektual i shquar, bënte pjesë në elitën e përfaqësuesve të Kombit shqiptar.

 

Në vitet e mëpasme, në kohën kur nga Shqipëria largohet Zogu e merr fund mbretërimi i tij, nisin edhe peripecitë e përndjekjet e mëdha të kësaj familjeje të Zogollit. Në veçanti merr fund karriera e Hasan Zogollit, me të hyrë Italia fashiste. Hasan Zogolli qe kryesekretar i Ministrisë së Arsimit dhe bashkëpunëtor i tre ministrave më në zë që ka pasur Ministria jonë e Arsimit, që i kemi cituar edhe më parë, Hilë Mosit, Aleksandër Xhuvanit dhe Marash Ivanajt. Ministri Marash Ivanaj, zë vend të veçantë në historinë e arsimit shqiptar si ministër reformator, ndërsa personaliteti i shquar i shkencës dhe arsimit në Shqipëri, Aleksandër Xhuvani, me horizontin e gjërë e të thellë të tij shkencor pedagogjik, shënoi risi që mbeten të tilla në çdo kohë. Mjafton të rikujtojmë thënien e tij “Le të mos lëmë mësuesin të bëjë atë që nxënësit e bëjnë me mundësitë e tyre, por t’ia lëmë nxënësit mundimin e të kërkuarit dhe kënaqësinë e të gjeturit”, për të dëshmuar se nga ajo kohë, arsimi ynë kishte formësuar identitetin e tij kombëtar me risitë që mbeten të tilla, edhe në zhvillimet bashkëkohore të sotme të arsimit në botë e, për më tepër, sentenca të tilla mbeten risi, gjithnjë, edhe në të ardhmen. Me të tillë mendimtarë të mëdhenj bashkëpunoi intelektuali patriot Hasan Zogolli. Me përndjekjen dhe persekutimin e tij pas vitit 1939, Zogolli nuk do t’i ndante më mendimet, idetë, miqësinë me të tjerë emra, personalitete të kombit, si gjuhëtari Eqerem Çabej e të tjerë studiues që i dhanë aq shumë  arsimit, kulturës e shkencës shqiptare.

 

Më 20.05.1939, Hasan Zogolli jep dorëheqjen nga detyra si antifashist. Në serialin e dokumenteve të bën shumë përshtypje procesverbali i datës 16.05.1939, i nënshkruar nga marrësi në dorëzim Injac Naraçi dhe dorëzuesi Hasan H. Zogolli. Përveç mobiljeve, regjistrave të protokollit dhe arkivës së Ministrisë së Arsimit, në pikën “ç” te të ndryshme, pas dokumenteve historikë të Vjenës, shënohet “Flamuri i Shqipnis ngrehun në Vlonë në vj.1912”. Ky procesverbal është mbajtur në tre kopje, prej të cilave njëra i është lënë arkivës së Ministrisë së Arsimit, një kopje dorëzuesit Hasan Zogolli dhe kopja e tretë marrësit në dorëzim, Injac Naraçi.

 

Të tërheq shumë vemendjen një dëshmi tjetër e familjarëve. Shtëpia e madhe e kësaj familjeje Zogolli ishte e hapur për gjithçka. Dikur, në mungesë të sallave të teatrit apo të kinemave, oborret e shtëpive bëheshin salla për shfaqjet teatrore. Këtë dashuri për artin nuk mund ta kursente kurrë Hasani. Pasardhësit e tij kujtonin se, oborri i shtëpisë së tyre do të shënonte rekordin në një shfaqje teatrore, ku do të mblidheshin rreth 800 spektatorë. Kjo ka ndodhur në vitin 1943, kur kopshti i shtëpisë shërbeu si skenë teatri dhe sallë, duke lënë një histori të rrallë. Po ky mjedis do të shërbente edhe për takime të ndryshme dhe mbledhje. Ndërsa në vitin 1920, ashtu si dikur Hasan Zogolli në vitin 1916, qe mësuesi i parë i shkollës shqipe në Bejnë të Kryematit, edhe në vitin 1920, qe mësuesi i parë i shkollës shqipe në Koprenckë të Beratit. Një pjesë e kësaj  veprimtarie të gjërë të Zogollit, është përfshirë edhe në pavionin e arsimit të Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë, por njohja dhe publikimi i kësaj veprimtarie shumë të vyer, ende është në fazën fillestare.

 

Vitet e jetës së tij gjatë diktaturës, për të dhe fëmijët e tij qenë shumë të vështira.Përveç  papunësisë e presionit të egër, me datë 17.04.1948, nga Komisioni i Urbanizimit, Hasan Zogollit i mbërrin lajmërimi:

 

“....Në bazë të vendimit Nr.2, dt. 17/4/1948, të Komisionit t’Urbanizimit, Ju lajmërojmë se jeni në listën Nr.3__dt.17/4__1948 që bën fjalë mbi largimin e të huajve nga Tirana. Porositeni që në marrianshtje me degën e N.SH.T.T.-s të  Tiranës, të caktoni datën që do të shkoni, dhe në qoftë se nuk largoheni mbrenda afatit të caktuar n’Urdhnesën e Ministris P. të Mbrendëshme datë 6/3/1948, do të merren të gjitha masat që parashikon ligja”.

                                           REFERENTI I KOMISIONIT URBANIZIMIT:

                                                                       (Hamdi Zekthi)”

                                                                                     (Firma, vula)

 

Regjimi i egër komunist i hoqi të drejtën e punës si mësues dhe e dërgoi punëtor në fermë bujqësore, i hoqi të gjitha të drejtat e qytetarit dhe më tej i konfiskoi edhe shtëpinë. Nën peshën e rëndë të vuajtjeve,  më 24 prill të vitit 1957, ndërroi jetë nga një sëmundje e pashërueshme.

 

Së fundi, si studiues i trevës, e ndjej detyrimin t’u bëj thirrje njësive vendore të Kryematit, Matit e Dibrës, si dhe Zyrave Arsimore e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut Dibër, që në Jubileun e 100-Vjetorit të Shkollës Shqipe të Kryematit, të vlerësojnë kontributin e çmuar të mësuesve patriotë Hasan Haliti (Zogolli) e Hysen Haliti (Zogolli), si dhe veprimtarinë e tyre të vyer në shërbim të Atdheut dhe Kombit Shqiptar. Jam krejt i bindur se ata do ta bëjnë këtë me shumë dashamirësi. Sinjalin e parë për këtë e dha Zyra Arsimore Mat, e cila me rastin e 7 marsit, në jubileun e 100-vjetorit të shkollës së Bejnit, shprehu mirënjohjen për intelektualin patriot Hasan Zogolli, me emrin e të cilit lidhet hapja e shkollës së Bejnit, si dhe për mësuesin patriot Hysen Zogolli, i cili nga viti 1921 deri në vitin 1946, punoi pa ndërprerje me devotshmëri në shkollat e kësaj treve.Gjithashtu, Shoqata Kulturore-Historike “Dilaver Kurti”, i ka propozuar Këshillit të Bashkisë Klos, që në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të shkollës shqipe të Kryematit, të shpallë “Qytetarë Nderi të Bashkisë Klos” këto dy figura të nderuara të arsimit tonë kombëtar.

 

Aqif YMERI 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania