Një emër i harruar “Fushati” dhe një emërtim i ri “Fushë-Petralbë”



Nga Aqif Ymeri, Klos – 24 Mars 2018

 

Emërtimi i njësive e territoreve në juridiksionin e bashkive, sipas ligjit nr. 139  2015 për vetëqeverisjen vendore, është kompetencë e këshillave bashkiake. Që këto emërtime të zënë vend e të shtrihen në kohë, duhet të jenë të natyrshme e sa më përfaqësore për objektin apo territorin përkatës. Për këtë mendoj se është e nevojshme që organet e qeverisjes vendore, jo vetëm të tërheqin mendimin e komunitetit, por edhe të konsultohen me specialistët dhe studiuesit e trevave të tyre.

 

Konkretisht, në këtë shkrim, po trajtoj emërtimin e njërit prej fshatrave, me trashëgimi të pasur etnokulturore e historike në Bashkinë e Klosit. Është fshati “Fshat”, i cili ndonëse nga hershmëria ka qenë i njohur me emrin “Fushati”, sot njihet me emrin “Fshat”.

 

Ç’dimë për emrin e këtij fshati?

Në librin “Vatër e hershme qytetërimi”, botim i vitit 2010, emërtimi “Fshat” është përshkruar shkurtimisht: “Fshati deri në ditët tona ka qenë i njohur me emrin Fushat.Gojëdhënat e tregojnë këtë emër të lidhur me shprehjen: “zbresim nga kalaja në fushat”, e përdorur që nga koha e Kastriotëve. Kështu, emri i qytetit të Petralbës mbeti Fushat” dhe vonë, me rënien e u-së, u shndërrua në Fshat. Të moshuarit dhe gojëdhëna shprehen qartë, duke e paraqitur Fshatin si “Qyteti i Petralbës” dhe vendi ku janë rrënojat e kalasë së Petralbës, quhet nga banorët edhe sot “Maja e Qytetes”. Pra, Fshati ishte qyteti, ndërsa kalaja ishte “Maja e Qytetes”.

 

Studiuesi Dilaver Kurti, e përmend fshatin Fshat thuajse gjithnjë me emrin “Fushat”. Psh.në librin “Trashëgime Iliro-Arbërore” kur flet për qytezën e Petralbës shkruan: “Në anën veriore të kullës rrethore në lindje nga Fushati, duket se ka qenë porta e kalasë…” (Trashëgime Iliro-Arbërore, f.186, botim I vitit 1999). Në librin “Shënime etnografike nëpër Mat”, duke mbledhur të dhëna nga e gjithë hapsira matjane, për fshatin “Fshat”, kreu titullohet “Fushati”. (D. Kurti, Shënime Etnografike Nëpër Mat, f.215). Po ashtu në librin “Folklor nga Mati” ku rendit këngët folklorike të mbledhura nga fshatrat e Matit, në faqet 113, 146 dhe 156, ku shënon këngët e mbledhura nga fshati Fshat, nuk përdor emrin fshat, por “Fushat”. 

Dëshmi historike.

Dëshmitë historike për lidhjen e fshatit “Fushat” me kastriotët në kohën e sundimit të tyre dhe veçanërisht me Qytezën e Petralbës” janë të shumta.

 

Kështu, “Maja e Qitetes”, ose “Kalaja e Skënderbeut” është monumenti historik më i rëndësishëm, i njohur deri më sot për Fushatin (Fshatin). Petralba është një përkthim në latinisht i toponimit shqip “gur i bardhë”, në kuptimin e gurit të bardhë gëlqeror, nga i cili përbëhet vendi përrreth, ku me gurë të bardhë gëlqerorë janë ndërtuar edhe vetë muret e kalasë. Në popull, kështjella e “Majës së Qytetes”, njihet me emrin “Kalaja e Skënderbeut”. Me pushtimin e vendit nga turqit, kështjella u shkatërrua dhe banorët zbritën poshtë në “Fushat” (Fshat). Një pjesë e banorëve u zhvendosën më në veri, duke marrë me vete edhe emrin”Guri i Bardhë”. Banorët e larguar më në veri, ato që i përkisnin pjesës së qytezës nga ana e Gurëzave, në kohën e lulzimit të “Qytezës së Petralbës”, patën përdorur edhe toka në “Fushat”.

 

Kështu edhe sot në Fshat, përdoren toponimet “Ara e Sulxhetës”, “Rrëza e Laskës”, “Zabeli i Lacit”, “Përroi i Kaçelit”, “Ar’ e Sul Hoxhës”, “Arnjet e Allës”, “Bregju i Al Metës”, “Fush’ e Rrahit t’Al Gjokës”, “Shkrepi i Lacit” “Zabeli i Lacit” etj. Po ashtu edhe toponime të tilla si “Brinja e Mehmet Dalliut”, apo “Ara e Kukës” (Ara Kuke) dëshmojnë se Qyteza e Petralbës” në kohën e Kastriotëve përmblidhte popullsinë e një treve të gjërë duke përfshirë, përveç Fushatit, zonën e Klosit, Gurit të Bardhë e Xibrit. Në Fushat (Fshat) edhe sot nihen mirë nga banorët emërtimet e vendeve: “Majkishë”,”Lugu i Arrave”, “Dyqanet e Venedikasve”, “Denxhet e Barutit”, “Birat e Qitetes”, “Diqanet e Venedikasve”, “Kaodra e Pazarit”, Lugu i Bojës”, “Gurrë e Skënderbeut”, “Sheshi i Kuvenit”, “Kodra e Plakut”, “ Te Farka”, “Maj e Çoshkut”, “Kodra e Farkës”, “Vorret e Turkut”,”Karakolli”, “Qaf Derven”, “Lugu i Qerreve”, “Shkami i Kuq”,etj.

 

Nuk ka dyshim se “Qyteza e Petralbës” ka qenë Fushati, dmth Fshati i sotëm dhe kështjella majë malit, mbi Lezedër, ka qenë “Maja e Qytetes”, emër që përdoret edhe sot nga të gjithë banorët e Fshatit. Por duhet theksuar se një lagje e kësaj qyteze ka qenë në anën tjetër të kalasë (Majës së Qytetes), nga veriu e veriperëndimi, nga Gurëzat që sot i përkasin Gurit të Bardhë. Qyteza e Petralbës ka patur shtrirje mjaft të gjërë. Të moshuarit tregojnë se deri në fillimin e shekullit XX, Fshati ka patur toka edhe në teritorin ku sot është qyteti i Klosit. Kështu, në zonën sipër zyrave të Bashkisë, poshtë shtëpisë së Sali Dëdollit, është një vend, që të moshuarit te ne e quajnë “Xhediku i Zenelit ”, pra në atë hapsirë kanë patur toka Zenelajt. Edhe shtëpia e Imerrit, para se të ndaheshin, ka patur sipërfaqe të mëdha toke në territorin ku sot është qyteti Klosit dhe në veriperëndim të Bejnit, por sikurse edhe Zenelajt, ua kanë shitur Dedollajve. Po ashtu, deri në ditët tona, Llaveshajt kanë patur toka edhe në Zallin e Pleshës, që i kanë shitur gjatë viteve të fundshekullit të kaluar (në vitet 90). Kjo familje dikur ka patur tokë edhe në fushat e Bebes. Gjithashtu familja Sina ka patur zabele e toka edhe përtej lumit Mat, nga ana e Planit të Bardhë dhe matanë Zallit të Dishit, nga Guri i Bardhë, siç dëshmohet në dosjen me nr. 567 të vitit 1942 të AQSH-së, ku tregohet se Mehmet Isuf Sina ka hipotekuar 1000 (njëmijë) dynym tokë të punueshme e të papunueshme dhe me zabele rreth Urës së Vashës. Familja Sina edhe sot ka toka në afërsi të Klosit, në teritorin e fshatrave Klos dhe Bejnë. I theksojmë këto për të treguar se Fshati (Fushati) ka patur shtrirje edhe më të gjërë, mbasi e gjithë ajo hapësirë i përkiste Qytezës së Petralbës.

 

Kalaja e Petralbës, ose”Maja e Qitetes” ndodhet në lartësinë 836 m mbi nivelin e detit, në majën mbi Lezedër. Edhe sot, vendin ku janë rrënojat e Petralbës, banorët e fshatit Fshat e quajnë “Maja e Qytetes”. Petralba është një përkthim në latinisht i toponimit shqip “Gur i Bardhë”. Barleti e shkruan shpesh jo vetëm si një fjalë (Petralba), por edhe veçuar (Petra alba), pra Petra-gur, alba-i bardhë, në kuptimin e gurit të bardhë gëlqeror. Ai në asnjë rast nuk e jep me mbiemër të substantivuar (alba). Ndonëse Qyteti i Petralbës ka qenë Fushati, e gjithë ana lindore quhej Tanushaj. Një pjesë e qytetit, siç treguam më pare, shtrihej në anën jugore e juglindore, në Gurëza të Gurit të Bardhë. Pranë secilës lagje të qytetit ka patur nga një kishë të madhe. Rrëzë malit, nga ana e Tanushajve, ishte njëra kishë (që pas myslimanizimit qe quajt Kisha e Can Zenelit), në vendin që edhe sot njihet me emrin “Majkishë”, ndërsa në anën tjetër nga lagja e Gurëzave, në vendin që edhe sot quhet “Murgate” (vendi i murgjërve) ka qenë kisha tjetër. Në të dy këto vende janë konstatuar gjetje të shumta arkeologjike. Vetë kalaja ishte në majën e qytetit. Ky vend ka qenë i populluar që nga neoliti, por zgjerimi i këtij vendbanimi e më vonë ndërtimi i kalasë, ndodhën pas rrënimit e braktisjes së kalasë ilire të Xibrit. “Historiografia jonë e lidh ndërtimin e kalasë me lindjen e principatave feudale shqiptare, shekulli XIII-XIV (D. Kurti: Trashëgime Iliro-Arbërore, faqe 187). Përveç faktit që zona përreth qytezës ishte vendbanim i hapur e i hershëm dhe qyteza vetë ishte në një pozicion mjaft të përshtatshëm për mbrojtje, ndërtimi i kalasë në atë vend u kushtëzua edhe nga kalimi i rrugës së rëndësishme, që niste nga Durrësi antik, Shkalla e Tujanit, Qafë-Murrizë, duke u ndarë në dy degë, njëra nga Guri i Bardhë, Fshat (Fushat), Plan i Bardhë (atëherë aty ishin stanet e Klosit) e më pas nga Qafa e Buallit drejt Dibrës, tjetra nga Qafë-Shkalleja, bri kalasë ilire të Xibrit për Mat. Në këtë rrugë është i njohur edhe stacioni rrugor, që nga koha e romakëve, me emrin “Mansaj”, të cilin e mban sot lagja që i përket atij vendi në Gur të Bardhë. Kjo kala është ndërtuar nga të vetmit zotërues autoktonë, të njohur, të pranuar e të respektuar në Mat, nga Kastriotët. Pra, Kastriotët ishin të vetmit zotërues në Mat. Ndërsa krahinat përrreth sundoheshin nga Topiajt, Gropajt, Dukagjinët dhe Balshajt.Sado që rezistoi Gjon Kastrioti përballë furisë osmane , fuqisë më të egër të asaj kohe, rrethanat dhe mundësitë e detyruan më së fundmi të “ulte kryet dhe të mbante trojen e vet Maten”, kurse pjesën tjetër të principatës, që e kishte futur vetë nën sundimin e tij, ua dorëzoi turqve bashkë me katër djemtë e tij peng, me kusht që të paguante një haraç vjetor dhe me detyrimin që të shkonte me ushtrinë e tij sa herë që ta kërkonte Sulltani për luftë.

 

Pa u zgjatur në përshkrimin e Petralbës, po citoj më poshtë kryesisht thëniet e Barletit për këtë qytezë. Në botimin e tretë të veprës “Histori e Skënderbeut”, Tiranë 1982 , faqe 98-99,  lexojmë: “Duke vazhduar drejt rrugën, arritëm në Petralbë, e cila është larg nga Petrela 30 mijë hapa, nga Kruja po 30 mijë, ndërsa Petrela nga Kruja 25 mijë hapa. Ky është një qytet në Mat, i ndërtuar mu në majë të një mali të vogël, por që s’i trembet, megjithëkëtë, përveç urisë, asnjë fuqie armiku. Veç kësaj, lumi i Matit, që rrjedh rrëzë malit, duket se i shton këtij vendi jo më pak bukurinë se sa fuqinë mbrojtëse dhe dobinë. Sapo ushtria zuri vend e nguli çadrat nën muret, erdhën disa të dërguar nga ata të qytetit te Skënderbeu dhe i bënë me dëshirën e vet dorëzimin e qytetit” (Nëntor 1443). Shtrojmë pyetjen: Pse ata të qytetit ia dorëzuan me dëshirën e vet atë (qytetin)? Përgjigja për këtë është e qartë, sepse këtu ishin trojet e tija dhe ndeja e të parëve të vet. Roja armike këtu ishte krejt e pafuqishme përballë bashkëqytetarëve të Skënderbeut, të cilët e prisnin krahëhapur si vëllain e tyre. Më tej, faqe 199, lexojmë: “…mbajti vetëm dy burra, më bujarët, Andrenë dhe Vulkathanin, si një farë pengu për besëlidhjen e ardhshme dhe si një farë sigurie të paqenë kundër egërsisë shkodrane. Për këta ai dha urdhër që të mbaheshin me roje në kështjellën e Petralbës, por në një mënyrë sa më bujare dhe sa më mirë”. Më pas, në faqet 391- 392 lexojmë: “…Prandaj e shpërndau mbledhjen e ushtrinë dhe i la të gjithë të lirë të ktheheshin në shtëpi, ndërsa ai vetë, bashkë me Hamzën dhe me pak kalorës, shkoi në Petralbë. Atje ai kishte lënë të shoqen që në fillim të verës, gjë që e bëri pastaj gjatë gjithë kohës së mbretërisë, me qëllim që verën dhe vjeshtën të qëndronte atje për prehje, kurse kohën tjetër në Krujë, me përjashtim të rasteve kur vinte Mehmeti apo ndonjë mizëri tjetër me ushtarë. Atëherë ai, i shqetësuar nga rreziku i madh që kishte përpara dhe tërë hall për mbretërinë, e shpinte atë bashkë me gjithë familjen dhe me plaçkën më të çmuar në Kolhinium, qytet bregdetar i venedikasve, apo në qytete të tjera më të largëta. Rrëzë kështjellës ishte një fushë me një bukuri të veçantë, si nga hijeshia e vetë natyrës dhe e vendit, si nga punimi plot kujdes i banorëve, sa që s’i mungonin as pemët, as hardhitë, as frutat, asgjë nga ato që begatojnë dhe zbukurojnë tokën. Atje, zonja, bashkë me familjen dhe me vargje të pambaruara vajzash e me shërbime mbretërore, sipas zakonit, e kalonte atë pjesë të vitit. Rreth e rrotull, nga çdo anë e fushës ishin pyje të paafrueshme dhe ngushtica luftëtarësh për ruajtjen e saj. Dhe vetë qytetin e kishte pajisur si jo më mirë me burra, armë dhe ushqime për çdo rast”.

 

Në faqe 484 ( botimi i tretë i veprës “Histori e Skënderbeut”, Tiranë 1982), lexojmë: “…Skënderbeu pasi la ushtrinë që mbeti (dmth pas forcave ushtarake që morën me vete purpuratët dhe të ndonjë numri ushtarësh që mund të kishte marrë me vete Skënderbeu) në kujdes të Moisiut, për më se tri ditë u ndodh në Krujë për punë të ndryshme, sidomos për të sjellë nga Petralba gruan dhe fëmijët”. Në faqen 615, lexojmë: “…Por Skënderbeu pasi arriti në kamp, i cili ishte vendosur në një vend, që quhet Petralbë, 15000 hapa larg armikut, ku kishte 8000 kalorës dhe 4000 këmbësorë nga më trimat, po armatosej e po bëhej gati për t’u nisur kundër armikut”. Kjo përkon plotësisht me gojëdhënën që pohon se hapsira e madhe e sheshtë mbi Brinjën e Sheshtit (Brinja e Sheshit), që gjithnjë ka qenë mjaft e pyllëzuar, ishte strehë e veçantë e ushtrisë së Skënderbeut, ku ishte shumë vështirë të diktohej nga armiku. Që andej skënderbegasit shfaqeshin befasishëm e binin furishëm mbi turqit. Janë të shumta faktet që tregojnë se Petralba qe vatër e ndejës së kastriotëve, në vazhdimësi, e Gjonit e më pas e Gjergjit (Skëndebeut). Pra, lidhja e Skënderbeut dhe e familjes së tij me Petralbën qe e tillë, sepse aty ishin rrënjët e qënies së tij, sepse, ky vend, pikërisht Mati ishte troja e Kastriotëve, ishte vendorigjina e tyre. Për efekte sigurie e nevojash jetësore, në Petralbë kanë qenë edhe dy tunele të mëdha. Në popull ata njihen me emrin “Birat e Qytetes”. Njëri nga këto tunele është i dukshëm edhe sot. Në të hyrë është një hapësirë e madhe që zbret poshtë. Dalja e tij ka qenë poshtë te Gurra e Llaveshajve, vend ku përveç ujit të pijshëm e të mrekullueshëm që buron me shumicë edhe sot, kanë qenë që nga gjysma e parë e shekullit XV edhe dingat e barutit. Ato tunele nuk mund të hapeshin pa barutin e atyre dingave. Edhe në botimin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, “Etnografia shqiptare”, nr. 16, faqe 224 (botim i vitit 1989), duke iu referuar studimeve të arkeologut dhe etnografit Dilaver Kurti, lexojmë: “Këto punishte kanë qenë vendosur në Kryemat, rrëzë kalasë së Skënderbeut, Petralbës …”  Është fjala për dingat e barutit rrëzë Petralbës të Llaveshajve, të ndërtuara që nga koha e Kastriotëve dhe me mbështetjen e tyre, të cilat kanë qenë të parat dinga baruti në teritorin shqiptar. Maja e Qytetes, Murgatei, Majkisha, tuneli nën Petralbë, dy lagjet e Petralbës dhe disa vende të tjera, të veçanta rreth tyre, janë monumente historike, janë objekte që paraqesin interes të madh në fushën e kulturës materiale dhe kërkojnë studime të mirëfillta shkencore.

 

Jemi të vonuar në kohë, për të ftuar akademikët tanë të fushës së historisë, arkeologët dhe etnologët, për të organizuar kërkime e studime në këtë zonë që mbart vlera të mëdha të trashëgimisë sonë iliro- arbërore. Legjendat e gojëdhënat janë të shumta vetëm po paraqes dy gojëdhëna që përkojnë me dëshmitë historike: “Skënerbeu ka le në kalanë e onë”. “Meci i Skënerbeut, Gjëni, ka le në kalanë e onë, kur e ama ishte gjeshtare”. Kjo përkon qartë me faktin që Gjoni, i biri i Skënderbeut, u lind më 1456 dhe Barleti thotë se para betejës së Albulenës, më 1457, Skënderbeu mori nga Petralba gruan dhe fëmijtë dhe i vendosi në Krujë. Dëshmitë historike flasin qartë se Mati ishte treva e Kastriotëve, Kruja e Dibra u aneksuan më vonë. Në veçanti Petralba qe vatër e ndejës së Kastriotëve dhe bërthama e Qytezës së Petralbës ishte Fushati, pra Fshati i sotëm.

 

Ne këtu cituam shumë të thënie të Barletit, duke qenë të bindur se ai është plotësisht i besueshëm.Të dhënat Barleti i mori nga individë të besueshëm, siç po i citojmë shkurtimisht. Kështu, dihet se Pal Engjëlli ka qenë këshilltar i Skënderbeut në fushën diplomatike, Pjetër Engjëlli ka qenë këshilltar i Skënderbeut në fushën ushtarake. Nga këto trashëgoi të dhënat pasardhësi i tyre, Andrea Engjëlli. Kujt mund t’i besohet më shumë se këtyre për Kastriotët? Barleti me thëniet e tij dëshmon qartë për kulturën që kishte dhe për saktësinë e të dhënave ku mbështetej. Ai, së pari, bazohej në ato që kishte parë vetë me sytë e tij dhe në bazë të të cilave është ndërtuar, sidomos, vepra e tij e parë, “Rrethimi i Shkodrës”. Të dhëna të tilla, siç pohon vetë ai, janë edhe ato që ai ka marrë nga të tjerë, bashkëqytetarë të tij, që kanë qenë luftëtarë në ushtrinë e Skënderbeut dhe që janë të denjë për tu zënë besë pa asnjë ngurim. Në bazë të tyre ai hartoi Historinë e Skënderbeut. Një ndër këta ka qenë edhe Pjetër Engjëlli, shok lufte e pjesmarrës i drejtpërdrejtë në epopenë e Skënderbeut. Ky i siguroi autorit shumë të dhëna për veprën në fjalë. Vetë Barleti në faqen 380 të këtij botimi (botimi i tretë, Tiranë 1982) shprehet: “Por rregulli dhe ligji i historisë janë që, kur shumë gjëra të gabuara janë të përziera me të vërteta, të rrihen e të shoshiten mirë, me qëllim që të pastrohen si në ujë të kulluar përrenjsh dhe të ngelin të llagarta për ato që do t’i lexojnë këto shkrimet tona”. Pra, Barleti me kulturën që ka, bën kujdes të veçantë për të vërtetën historike.

 

emërtimi i ri

Duke qenë i bindur në saktësinë e të dhënave të mësipërme, është krejt e natyrshme që fshati Fshat, i njohur që nga hershmëria me emrin “Fushati” dhe ishte hapësira ku shtrihej Qyteza e Petralbës, sot të emërtohet fshati “Fushë-Petralbë”.

 

© Aqif Ymeri

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania