Klosi, qendra më e madhe dhe më e hershme e prodhimit të barutit në Shqipëri


Maket i dinges se barutit (pergatitur nga Sefedin Kurti)
Maket i dinges se barutit (pergatitur nga Sefedin Kurti)

Nga Aqif Ymeri, Klos

 

Si burimet historike ashtu edhe gojëdhenat, dëshmojnë se Klosi është qendra më e madhe dhe më e hershme e prodhimit të barutit me tym në Shqipëri.

 

 

Dihet se shpikja dhe përdorimi i barutit për qëllime ushtarake, shkaktoi kthesë dhe revolucionalizoi mënyrat e luftimit në të gjitha ushtritë e botës. Shpikësit e parë të barutit me tym janë kinezët. Kinezi Sun - Si Mao, për herë të parë në vitin 618, përcaktoi përbërësit e barutit të zi me tym. Në shekullin e XII, në Kinë filloi përdorimi i armëve të zjarrit.

 

 

Edhe baruti së bashku me armët e zjarrit, u suall në kontinentin tonë nga arabët. Lënda e parë e barutit, Nitrati i Kaliumit (KNO3), për një kohë të gjatë u emërtua nga arabët : "kripë kineze" dhe "borë kineze" për shkak të origjinës së saj.

 

 

Lufta e popullit spanjoll kundër pushtuesve arabë, qe shkaku i përvetësimit të prodhimit të barutit me tym nga spanjollët dhe kështu edhe nga evropianët në tërësi. Të njohura janë luftimet e vitit 1118 në Saragonë dhe ato të vitit 1280 në Kordovë (Spanjë), ku u përdorën gjërësisht armët e zjarrit, pra edhe baruti.

 

 

Evropianët njohën mirë prodhimin e barutit nga fillimi i shek. të XIV. Dijetari anglez, Roxher Bakon (Roger Bacon 1214 - 1285 ) qe i pari që zbuloi formulën e përbërjes kimike të barutit me tym në vitin 1249 (Canby Courtland : "Storia delle armi" vol. 7, Losana 1964 f.35). Ai u konsiderua si shpikës i barutit me tym në Evropë, në shek. e XIV.

 

 

Disa të tjerë këtë shpikje ia atribuan priftit gjerman Bertold Shvarc (Berthold Schëarz), i cili në vitin 1300 vuri në përdorim barutin me tym në armët e zjarrit në kontinentin tonë (G. Treccani, "Enziclopedia itagliana,  "vol. XVII Roma 1935, f. 785; G. De Florentis: "Tecgnologia delle armi da fuoco portatili", Milano, 1969, f. 1 - 13 dhe 192 - 193).

 

 

Pastaj vijnë me rradhë shtete që përdorën për të parën herë armët e zjarrit : Flandra(1314), Anglia (1321), Vendet e Ulëta, Gjermania, Franca dhe Italia (Firence 1326). Përdorimi më i gjerë i barutit u arrit në luftën midis anglezëve dhe francezëve, në betejën e Kresit në vitin 1346.

 

 

Mbështetur në të dhënat që ekzistojnë për përdorimin e armëve te zjarrit nga principatat feudalo - shqiptare dhe shkëmbimin e ndërsjellë midis mjeshtrave zejtarë të ndryshëm, sidomos gjatë shekujve XII, XIII, XIV, kryesisht në Raguzë (Dubrovnik), nga Gjergj Balsha i Shkodrës, del se baruti me tym, edhe tek ne, u përdor në armët e zjarrit nga mesi i shekullit të XIV.

 

 

Eshte vërtetuar se, që në atë kohë, nga principatat e ndryshme shqiptare janë përdorur gjërësisht armët e zjarrit dhe baruti, si p.sh. në principatën e Tanush Dukagjinit (1417), të Lekë Zaharisë (1445). Gjergj Kastrioti, Skenderbeu i përdori në betejën e Drinit (1447 - 1448 ) e më pas në mbrojtjen e Sfefigradit (1449 ), në rrethimin e parë të Krujës (1450), në betejën e Beratit (1455), në Drisht (1435, 1460, 1462), në rrethimin e Shkodrës (1474 e 1478 - 1479) etj.

 

 

Burimet arkivore venedikase dëshmojnë se gjatë luftërave të zhvilluara në shek. e XV, shqiptarët jo vetëm i njihnin armët e zjarrit, por u bënë edhe armëtarë e prodhues baruti. Po këto burime dëshmojnë se venedikasit përdorën për prodhimin e barutit mjeshtrat shqiptarë, siç është Mark Bogiti, i cili në Drisht riparonte bombarda, municione të ndryshme dhe prodhonte barutin.

 

 

Venedikasit kanë patur lidhje të hershme edhe me trevën tonë, madje në fshatin Fushat (Fshat ), siç kemi treguar edhe më parë, edhe sot ruhet në popull toponimi me emrin "Dyqanet e Venedikasve", mbasi mbi vendin e quajtur Lugu i Arrave, pranë Kodrës së Pazarit e Majkishës, Venedikasit, që nga koha e Kastriotëve, kanë patur dyqanet e tyre. Rrënojat në vendin “Ke  Dyqanet e Venedikasve” janë të dukshme edhe sot. Ato janë pikërisht në hapësirën e ish “Qytezës së Petralbës”, e cila lulëzoi në shek. e XV. Në atë kohë qendra e tregut të trevës ishte “Kodra e Pazarit”, në afërsi të “Dyqaneve të Venedikasve”.

 

 

Ne kemi treguar se në "Majën e Qytezës " mbi fshatin Fushat (Fshat), mbi dy maja që ngrihen mbi shpatmalin sipër Lezedrës, është Petralba, një ndër kalatë më në zë të Kastriotëve në Mat. Gojëdhënat dhe burimet historike dëshmojnë se Gjon Kastrioti veronte në Petralbë dhe në Petralbë ka lindur edhe Gjergji. Traditën e të atit e ndoqi edhe i biri. Fill pas pushtimit të saj më 1443, Skënderbeu vendosi aty një garnizon ushtarak dhe më vonë i kushtoi kujdes të madh për vetë pozitën kyçe që zinte. Pas betejës së Drinit më 1448 kundër venedikasve, burgosi në Petralbë dy komandantë kundërshtarë që zuri rob, Andrea Humoin dhe Simon Vulkathanin. Në rrethimin e parë të Krujës më 1450, Skënderbeu e përforcoi Petralbën me roje, komandantë e nozullime. Pra Petralba qe bërë vatër e ndejës së Skënderbeut dhe e familjes së tij. Barleti pohon se pas betejës së Modricës më 1451, Skënderbeu së bashku me Hamzanë dhe pak shokë, shkoi në Petralbë. Kështu në faqet 391+392 të veprës së tij monumentale “Histori e Skënderbeut” (Marin Barleti, “Histori e Skënderbeut”, Tiranë 1982, bot.II) shkruan: ...prandaj shpërndau mbledhjen e ushtrinë dhe i la të gjithë të lirë të ktheheshin në shtëpi, ndërsa ai vetë, bashkë me Hamzën dhe me pak kalorës, shkoi në Petralbë. Atje ai kishte lënë të shoqen që në fillim të verës, gjë që e bëri pastaj gjatë gjithë kohës së mbretërisë, me qëllim që verën dhe vjeshtën të qëndronte atje për prehje, kurse kohën tjetër në Krujë, me përjashtim të rasteve kur vinte Mehmeti apo ndonjë mizëri tjetër me ushtarë. Atëherë ai, i shqetësuar nga rreziku i madh që kishte përpara dhe tërë hall për mbretërinë, e shpinte atë bashkë me gjithë familjen dhe me plaçkën më të çmuar në Kolhinium, qytet bregdetar i venedikasve, apo në qytete të tjera më të largëta. Rrëzë kështjellës ishte një fushë me një bukuri të veçantë, si nga hijeshia e vetë natyrës dhe e vendit, si nga punimi plot kujdes i banorëve, sa që s’i mungonin as pemët, as hardhitë, as frutat, asgjë nga ato që begatojnë dhe zbukurojnë tokën. Atje, zonja, bashkë me familjen e me vargje të pambaruara vajzash e me shërbime mbretërore, sipas zakonit, e kalonte atë pjesë të vitit. Rreth e rrotull, nga çdo anë e fushës ishin pyje të paafrueshme dhe ngushtica luftëtarësh për ruajtjen e saj. Dhe vetë qytetin e kishte pajisur si jo më mirë me burra, armë dhe ushqime për çdo rast”.

 

 

Gojëdhëna jo vetëm që e pohon këtë, por shton se këtu lindi edhe i biri i Skënderbeut, Gjoni.

 

 

Në rrëzë të shpatmalit ku ishte ndërtuar Petralba, niste një vijë uji që shkonte deri në shtëpinë e Llan Veshit, ku ishin dingat e barutit. Ato dinga, ishin tre, më të hershmet në Mat dhe në Shqipëri, të lidhura pazgjidhshmërisht me Petralbën, me Kastriotët, pa ndihmën e të cilëve në atë kohë, as mund të ndërtoheshin, as mund të funksiononin.

 

 

Si burimet historike ashtu edhe gojëdhënat dëshmojnë se baruti i zi (me tym) i markës shqiptare është prodhuar për herë të parë në Mat, prandaj në gjuhën popullore, jo vetëm në Mat, por në gjithë Shqipërinë është quajtur "barut Mati". Në pjesën jugore të Shqipërisë,  është quajtur edhe "barut gegë". Nga të huajt është quajtur barut i markës shqiptare.

 

 

Edhe në botimin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë,”Etnografia Shqiptare”,nr.16,faqe 224(botim i vitit 1989),duke ju referuar studimeve të arkeologut dhe etnografit Dilaver Kurti, si dhe mjaft burimeve arkivore të cilat ne në shkrimet tona i kemi cituar shpesh herë, shkruhet “Këto punishte kanë qenë vendosur në Krye-Mat, rrëzë kalasë së Skënderbeut, Petralbës, në rrjedhën e përrenjve rreth saj, të cilët ishin degë të lumit Mat. Epiqendër e kësaj zone dikur ishte Guri i Bardhë, por së voni vendin e tij e zuri Klosi me tregun që kishte në Stragj. Këtu kalonte një ndër rrugët më të rëndësishme, e cila nisej nga Durrësi nëpër fushat bregdetare për në Tiranë, Mat, Dibër, Kosovë e Maqedoni. Në shërbim të kësaj rruge kishte karvane, që bartnin mallra tregtare e produkte bujqësore e blegtorale dhe në pika të ndryshme me një rrjet hanesh për bujtjen e karvaneve, si në Xibërr-Hane, në Gur të Bardhë, Fshat, Klos, Plani i Bardhë e në vazhdim në trevat e Tiranës e të Dibrës. Për të lehtësuar funksionimin e kësaj rruge, shërbente një rrjet i dendur urash të gurta, të ngritura mbi Mat dhe degët e tij. Baruti këtyre dhe këto barutit, i dhanë vlera njëri-tjetrit në këtë truall të Matit që nga shekulli i XV e në vazhdimësi të pandërprerë deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të XX. Kjo zeje me fabrikat e barutit në Mat, siç quheshin në shtypin e kohës, mund të quhet pararendësja e industrisë kimike në vendin tonë”. (Etnografia shqiptare,nr.16,faqe224).

 

 

Në botimin me titull “Armët dhe armëtarët shqiptarë”, me autor Riza Drishtin, Tiranë 1976, faqe 71, shkruhet “për pajisjen e ushtrisë së vet me armë, Skënderbeu u mbështet kryesisht te mjeshtrat vendës, të krahinës së Matit, ku kishte prapavijën dhe bazën e prodhimit, si të armëve të ftohta, ashtu edhe të arrmëve të zjarrit dhe të barutit”. Në këtë konkluzion autori arrin duke u bazuar në studimet e mjaft autorëve shqiptarë, si Marin Barleti, Fan S.Noli, Sami Frashëri, në studimet e veçanta të Injac Zamputit, Stavri Naçit, Ligor Miles, Myzafer Korkutit, Skënder Anamalit, Çesk Prendit, Abedin Çaushit,etj., si dhe të mjaft autorëve të huaj. 

 

 

Pra  baruti në Mat dhe së pari në këmbët e Petralbës, është prodhuar me shumicë për më shumë se 5 shekuj. Pikërisht në këmbët e Petralbës, është fshati Fushat (Fshat), ku kanë qenë e janë Llaveshajt.  Baruti prodhohej në punishte të thjeshta duke shfrytëzuar energjinë e ujit, por edhe forcën e krahut. Këto punishte quheshin dinga baruti, emër të cilin e morën nga zhurma që bënin gjatë punës për prodhimin e barutit.

 

 

Fillimisht,siç treguam më parë, dingat e barutit ishin tre, të ndërtuara në këmbët e Petralbës, ose në këmbët e kalasë së Skënderbeut, siç quhet Petralba nga banorët vendas. Më pas punishtet e barutit gradualisht u shtuan. Numri i tyre në Mat arriti në 19. Kështu pas dingave të Llaveshajve (Llan Veshit) në fshatin Fshat, edhe në fshatra të tjerë më vonë u ngritën një sërë dingash. Në trevën e Klosit, pas atyre të Llaveshajve, u ndërtuan dinga baruti nga familjet Reçi e më vonë Halili e Bebja në Dars, nga familja Kaceli në Bel, etj. Thuhet se ndërtoi një dingë edhe familja Voshi në Klos .

 

 

Pra Klosi u bë qendra më e hershme dhe më e madhe e prodhimit të barutit e njëkohësisht prapavija më e vjetër e rezistencës shqiptare, mbasi në trevën e Klosit prodhohej barut për armët e brezit e të krahut, për topat, për armët e gjahut, për thyerje gurësh etj., që nga fillimi i shek. XV e në vazhdimësi, deri në vitin 1911, kur ushtria e Shefqet Durgut Pashës e komanduar nga oficeri turk, Gafurr – efendiu, rrënoi të gjitha dingat e barutit në Mat, përveç një dinge të Hysen Hasan Llaveshit, e cila ka funksionuar e prodhuar barut deri në vitin 1939, kur vendi u pushtua nga fashizmi.

 

 

Zeja e prodhimit të barutit fillimisht në Fushat (Fshat) e më pas në trevën e Klosit, ishte sa kënaqësi, aq edhe krenari jo vetëm për krahinën e Matit, por për gjithë Shqipërinë. Për zejet e barutit në Klos është shkruar edhe më parë, ndonëse në ato shkrime kërkohen saktësime të mëtejshme, por gjithsesi ato janë të pamjaftueshme.

 

 

Bijtë e zejtarëve të barutit falenderojnë regjizorin e filmit "Flaka e Maleve", z. Vangjel Leka, me të cilin deri diku është bashkëpunuar për filmin në fjalë. Po ashtu falenderojmë edhe z. Riza Tafil Drishti, për librin e tij "Armët dhe armëtarët shqiptarë", në të cilin jepen mjaft të dhëna për prodhimin e barutit në Mat. Gjithashtu një punë të mundimshme e që meriton vlerësime të larta, për të studiuar prodhimin e barutit në Mat ka bërë i nderuari, sot i ndjeri Dilaver Kurti, ndonëse për dingat e barutit të Llaveshajve ai ka komunikuar vetëm me plakun 95 vjeçar Dyl Llaveshi dhe me Rrahman Llaveshin, asnjëri prej të cilëve nuk mund t’i jepte të dhënat e duhura. Në atë kohë kur z. Dilaver Kurti mblidhte të dhëna për dingat, Hysen Llaveshi nuk jetonte më, por të dhëna të sakta mund të jepte djali i tij, Arifi, i cili atëherë ishte shef i municionit pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe falë origjinës së tij, qe dërguar edhe për studime jashtë shtetit, katër vite me radhë, për armatim, municion e pirotekni. Pra të dhënat për dingat e Llaveshajve, në shkrimet e deritanishme, janë marrë nga persona që nuk i kanë njohur ato. Po ashtu edhe të dhënat që figurojnë në tabelat e listat e qendrave dhe fiseve zejtare, si dhe për numrin e punishteve në Mat, janë të zmadhuara, nuk qëndrojnë, madje nuk shkojnë edhe me mundësinë e funksionimit të dingave me anë të vijave të ujit. Prandaj ato tabela duhen rishikuar e saktësuar, aq më tepër për të mos shërbyer si shkak për të hedhur hije dyshimi mbi lashtësinë dhe intensitetin e prodhimit të barutit në Mat, e në veçanti në Fushat  (Fshat) e në zonën e Klosit.

 

 

Ne sot disponojmë mjaft të dhëna, si dhe materiale të veçanta të botuara në revista të mëparshme, por kjo nuk na jep aspak të drejtë për t’i  keqinterpretuar ato.

 

 

Kohët e fundit kanë filluar të japin intervista, apo të shkruajnë për dingjet e barutit, njerëz që as nuk i kanë parë  dhe as nuk kanë patur të tilla në familje, fis apo në rrethin e tyre, madje nuk kanë njohuritë më elemetare për to. Siç duket ato vetëmashtrohen duke menduar se koha i zbeh gjërat, prandaj mund të flasin e të shkruajnë ashtu si të munden, apo t'u interesojë. Nuk  e kemi fjalën këtu për të kufizuar njerëzit, që mund të shkruajnë për prodhimin e barutit, mbasi të gjithë ata që kanë shkruar, shkruajnë dhe do të shkruajne bëjnë shumë mirë. Bëjnë shumë mirë sepse mbajnë gjallë e ushqejnë traditat e shkëlqyera të popullit tonë, por ato duhet të shkruajnë e të flasin gjatë intervistave, duke iu përmbajtur të vërtetave të njohura dhe jo orekseve të individëve të veçantë, që tentojnë deri në sens mashtrimi.

 

 

Kështu një mirditor, para disa vitesh, qenka paraqitur me një maket dingu baruti e intervistuar duke u shprehur sikur "babai i tij paska qenë prodhuesi i parë i barutit në Shqipëri, por e paska mbajtur sekret", ndonëse dingje të tillë në Mirditë nuk kanë ekzistuar ndonjëherë. Zotëria që shprehej ashtu, po të kishte haber sadopak për dingjet e barutit, nuk mund të shkruante fjalën "sekret", pasi kur punonte dinga e barutit, prishej qetësia e gjithë zonës afër saj. Po ashtu po të kishte njohuri për kohën e prodhimit të barutit në vendin tonë, nuk mund të thoshte se babai i tij ka qenë prodhuesi i parë i barutit në Shqipëri, mbasi nuk ka baba e bir qe arritën të jetojnë 5 shekuj e më shumë.

 

 

Një tjetër flet dhe shkruan se dingat e mia kanë qenë aq e kaq, pa patur parasysh se vendndodhja e dingave diktohej nga relievi dhe s'mund të kishte dingë pa vijë uji të rrjedhshëm.

 

 

Thuhet se dingat e barutit, pas prishjes nga ushtria e Durgut Pashës në vitin 1911, u kthyen në mullinj e valanica. Kjo është e vërtetë. Por sa mullinj dhe valanica mund të ndërtoheshin dhe u ndërtuan me vijat e ujit të dingave, madje sa të tilla ekzistojnë në kujtesën e të moshuarve dhe për më tepër, të mos harrojmë se mullinj e valanica ka patur edhe në kohën e dingave.

 

 

Familjet matjane prodhuese të barutit, zakonisht kanë patur vetëm nga një dingë baruti. Të parat dinga baruti, të Llan Veshit të parë kanë qenë tre, jo thjesht falë aftësisë së tij, por sepse duke qenë në këmbë të Petralbës, siç treguam më parë, në ngritjen e tyre ishte edhe ndihmesa e Kastriotëve. Edhe më vonë,  dingjet e barutit të Llaveshajve qenë tre dhe po aq qenë deri te Llani i fundit. Më pas kur u ndanë, të treja nuk ishin pronë vetëm e njërës familje. Një nga këto dinga e kishte Hyseni, një e kishte Leka dhe një e kishin në bashkëpronësi vëllezërit Abdi dhe Elmaz Llaveshi. Gërmadhat e ketyre dingave kanë ekzistuar dhe janë të dukshme deri në ditët tona.

 

 

Në veçanti Hysen Llaveshi, në trashëgimi brezash,pa ndërprerje, vazhdoi të prodhojë barut në dingun e tij deri në vitin 1939. Kështu Hyseni, përsëri mbeti i vetmi prodhues baruti në Shqipëri edhe pas vitit 1911.

 

 

Tashmë është vërtetuar plotësisht, se dingat e barutit në Mat (pra edhe në Shqipëri), kanë funksionuar të paktën që në gjysmën e parë të shek. të XV dhe këto dingje baruti asnjëherë nuk janë importuar, por janë ndërtuar në vend nga vetë prodhuesit e barutit.

 

 

Llaveshajt prej kohësh kanë patur lidhje tregtare jo vetëm brenda vendit, por edhe me tregëtarë të huaj. Kështu lëndën e parë për prodhimin e barutit, nitratin e potasit,  KNO3,  në fillim, e patën siguruar nga tregëtarët italianë që vinin në Durrës. Ata prej kohësh kanë qenë në gjendje të mirë ekonomike. Tokat e tyre shtriheshin edhe jashtë kufijve të katundit Fushat (Fshat), siç është p.sh. rasti i fushës së Bebejve afër Klosit, që më vonë e kanë blerë Bebjet, toka në Zallin e Pleshës e  plot raste të tjera, mbasi Llaveshajt merreshin edhe me  veprimtari të tjera  përveç bujqësisë, veprimtari këto që i fuqizuan dhe mundësuan marrjen e  tyre intensivisht me prodhimin e barutit që prej afro 6 shekujsh, si dhe bashkëpunimin me mjaft patriotë e ndikimin pozitiv në ngjarje me rëndësi për vendin.

 

 

Fëmijët e Hysen Llaveshit që jetojnë sot shprehen: “mbajmë mend se në vitet 1938 - 1939, kur babai ynë Hyseni shembi shtëpinë e vjetër qindra vjeçare, në muret e saj u gjet një arkë me monedha argjendi e hekuri, si mexhide, grosh, metelikë dhe treshe”. Pra lidhjet e hershme tregtare me vendës e të huaj dhe gjendja e tyre e mirë ekonomike, ju kishte dhënë mundësinë që, prej asaj kohe, të ndërtonin  dingjet e të merreshin  me prodhimin e barutit dhe mjaft veprimtari të tjera.

 

 

Sipas transmetimeve gojore të brezave paraardhës të familjes Llaveshi, është rënë në gjurmët e shumë brezave prodhues të barutit. Prodhimi i barutit nga brezat paraardhës në këmbët e Petralbës, ishte i lidhur që me kohën e Kastriotëve, veçanërisht me Skënderbeun, që e quanin si bashkëfshatar të tyre. Për të ka mjaft gojëdhëna, sidomos për trimërinë, burrërinë, thjeshtësinë, lidhjet, vizitat në Petralbë etj.

 

 

Brezi më i hershëm i transmetuar në gojëdhëna dhe dorëshkrimet e mëvonëshme të kësaj familjeje prodhuese e barutit, fillon me Llan Veshin, pas tre brezash përsëritet pinjolli i ri i familjes, Llan Veshi, vazhdohet me Hysen Veshin, Selman Veshin dhe përsëri Llan Veshi. Përsëritja në këtë brez e Llan Veshit të ri, shoqërohet edhe me ndryshimin e mbiemrit nga "Veshi" në "Llaveshi" duke shënuar rënien e n - së në dy fjalët Llan - Veshi. Pas Llanit, vijon brezi tjetër me Hysen Llaveshin, më pas Hasan Llaveshi, përsëri vijohet me Hysen Llaveshin. Kështu trashëgimia e emrave ka vijuar deri në ditët tona. Natyrisht, ne këtu paraqesim nga një përfaqësues tipik për brez .

 

 

Në këtë trashëgimi brezash si prodhues baruti, nuk është rastësi që njëri nga djemtë e Hysen Llaveshit, Arifi, përfundoi studimet për katër vjet në ish Bashkimin Sovjetik, (Peterburg, atëherë thuhej Leningrad) për armatim, municion e pirotekni, madje më vonë është specializuar përsëri në Kinë  dhe pastaj për 27 vjet punoi në ministrinë e mbrojtjes me detyrën e shefit të municionit të ushtrisë.

 

 

Në përshkrimin më sipër të gjenealogjisë së kësaj familjeje, siç u shprehëm edhe më parë, në mënyrë kronologjike kemi shkruar vetëm nga një emër për çdo brez,  por te Llaveshajt  prodhues baruti ka pasur edhe të tjerë, si Leka, Abdiu, Elmazi, Sula,  etj. duke qenë të lidhur me Petralbën , e cila hyrjen dhe daljen e ka patur në faqen e malit nga ana e katundit Fushat (Fshat).

 

 

Katundi Fushat asokohe konsiderohej si garnizon ushtarak ku dislokoheshin 8000 kalorës, 4000 këmbësorë dhe prodhohej barut për Skënderbeun, fakt të cilin e citon qartë Barleti në veprën e tij “Histori e Skënderbeut”.

 

 

Vendi ku ishte ndërtuar kalaja quhej Maja e Qytetes, kështu quhet edhe sot. U quajt kështu, sepse Fushati  (Fshati), ku dislokohej kalorësia e Skëndërbeut, shërbente si prapavija e tij, ishte qyteti, që kulmonte në Majën e Qytetes, pra në Kalanë e Kastriotëve, Skënderbeut.

 

 

Kemi treguar se bashkëkohësi i Skënderbeut, Marin Barleti, në këtë vepër të tij, që cituam, kur përshkruan Petralbën, flet me admirim për këtë fushë (Fushatin), përmend pjellorinë e saj, vreshtat dhe bukuritë natyrore. Është interesant se pejsazhi që na jep Barleti është gjallë edhe sot, ndaj cilido që mundohet të hedhë tym e mjegull mbi çka shkruan Barleti është i dështuar.

 

 

Duhet kuptuar drejt, se rëndësia më e madhe e dingave të barutit qëndron në atë që Shqipëria si vend i sulmuar vazhdimisht nga të huajt, arriti të prodhoje barut e armë në vend, për t’u mbrojtur e çliruar dhe së dyti, treva e Klosit, hyri në histori si vendi i parë i prodhimit  të barutit në Shqipëri e madje, në kohë shumë të vështira.

 

 

Për këtë është dashur shumë mundim e sakrifica, deri në prerje kokash nga pushtuesit turq, siç është rasti i Hysen Hasan Llaveshit për të cilin është shkruar edhe në rëvistën 10 Korriku nr.12 të vitit 1979.

 

 

Dingat e barutit në Mat, siç treguam edhe më parë, i rrënoi ushtria e Shefqet Durgut Pashës, me përjashtim të një dingu të Hysen Llaveshit.

 

 

Në Korrik të vitit 1911, plaku i mençur i Llaveshajve, i informuar se një ushtri turke po vinte drejt Matit, çmontoi dhe fshehu pjesët e dingut dhe paisjet e tjera me të cilat përgatitej baruti, fshehu gjithashtu barutin dhe lëndën e parë me të cilën prodhohej.

 

 

Kur mbërritën, turqit nuk gjetën asgjë në shtëpi, madje ishin larguar edhe njerëzit, përveç plakut Hysen Llaveshi. Në çastin e mbërritjes së turqve, u gjetën befasisht edhe 4 burra që mbanin lidhje me plakun e që plaku sapo i kishte urdhëruar të merrnin kuajt e të largoheshin menjëherë.

 

 

Turqit ishin informuar për veprimtarinë e tij dhe mbi dingat e Llaveshajve, por duke mos gjetur as pjesët e dingut të  Hysenit, as barutin e prodhuar prej tij dhe për më tepër duke ndeshur në qëndrueshmërinë e burrërinë e tij, e masakruan atë (i prenë kokën).

 

 

Më pas i biri i Hysenit, Hasan Llaveshi, e ringriti dingun e barutit të babait të tij dhe ky qe dingu i fundit që mbeti në Mat pas vitit 1911. Kjo dingë prodhoi barut deri në pushtimin fashist të vendit tonë, në vitin 1939.

 

 

Rreth muajit qershor të vitit 1940, disa karabinierë italianë, të shoqëruar edhe nga shqiptarë të vënë në shërbim të tyre, natën rrethojnë shtëpinë e Hysen Llaveshit. Ato kishin informata se Hysen Llaveshi (nipi i Hysenit të mëparshëm), kishte punishte baruti dhe në shtëpi dispononte sasira të konsiderueshme të kësaj lënde. Në të vërtetë tregojnë fëmijët e Hysenit, kishte një vit që babai nuk prodhonte më barut në dingun e tij, mbasi druante se sahanlëpirësit do të informonin pushtuesit. Ndaj kishte marrë masa për të fshehur jashtë shtëpise lëndën e parë të barutit, si nitrat potasin dhe  squfurin, mbasi ato i rezistonin më tepër lagështirës.

 

 

Ndërsa barutin e zi, që është shumë i ndjeshëm nga lagështia, e kishte në shtëpi të ruajtur me shumë kujdes e të amballazhuar në thasë prej bezeje, të gatshëm për ta larguar nga shtëpia, në çdo çast që të diktonte situata.

 

 

Karabinierët kishin rrethuar anën e përparme të shtëpisë nga ishte porta. Në anën e pasme (të kundërt me portën) shtëpia kishte një deriçkë të padukshme. Sapo u diktua rrethimi i shtëpisë - tregojnë bijte e Hysenit, babai bashkë me Rrahmanin, marrin thasët në shpinë, dalin nga shtëpia nëpërmjet deriçkës dhe e derdhin barutin në lumin e Lezedrës, që ishte jo më larg se 120 metra nga shtëpia, duke bërë disa rrugë të ngarkuar me sa mund të mbanin.

 

 

Në mëngjes, sapo zbardhi drita, karabinierët thirrën: "Jeni të rrethuar, hapni portën dhe asnjeri të mos lëvizë nga shtëpia"!

 

 

Karabinierët pasi kontrolluan shtëpinë dhe nuk gjetën asgjë, vajtën dhe prishën dingun e barutit.

 

 

Kështu mori fund dingu pesë shekullor i Hysen Llaveshit, që kishte një histori sa të dhimbshme aq edhe trishtuese.

 

 

Edhe pas prishjes së dingut të barutit nga italianët, ndonëse me mundime dhe në mënyrë të fshehtë, Hyseni vazhdoi të prodhojë barut në shterë me sasira të vogla për armët e gjahut, për thyerje gurësh e hapje tokash dhe për të kënaqur fëmijët në rastin e festave të Shëngjergjit e të Shënmarkut, që ishin bërë traditë në Mat.

 

 

Gjatë këtyre festave fëmijët "shtinin" me një lloj  "arme" që e quanin "tapaxhë", e cila përgatitej nga një dru i zgjedhur, duke i dhënë deri diku formën e pistoletës, në folenë e së cilës vendosej një gëzhojë hute e shtrënguar me llamarinë. Për qejfin e fëmijëve dhe të rinjve, shpesh këto "armë" përgatiteshin mjaft bukur e me mjaft mjeshtëri nga zanatçinjtë dhe daj Ceni kënaqte oreksin e tyre, duke ju siguruar barutin me bollëk në raste festash.

 

 

Në këtë material ne trajtuam më gjërësisht, prodhimin e barutit në dingat e familjes së Llaveshajve, rrëzë Petralbës, mbasi qenë dingat e para shqiptare të ngritura me mbështetjen e Kastriotëve, por pas tyre dinga baruti janë ngritur nga Reçi e Bebja në Dars, familja Halili në bashkëpronësi me Mollë Tefën, përsëri në Dars, Kaceli në Bel, Disha në Ketë, Voshi në Klos etj., duke arritur kështu deri në 19 numri i dingave të barutit në këtë trevë, me të cilat, veç të tjerash, u furnizuan me këtë lëndë për shekuj me radhë çetat e malit në luftë me pushtuesit, deri edhe te luftëtarët e organizuar nga Lidhja shqiptare e Prizrenit.

 

 

 

Ndërtimi i dingut të barutit (përshkrim i shkurtër):

 

 

Dingjet e barutit ndërtoheshin pranë brigjeve të lumenjve, ku ishte mundësia e marrjes së vijave të ujit, ose e shfrytëzimit të vijave ekzistuese me të cilat vaditeshin arat. Ndërtimi i dingjeve të barutit ishte i thjeshtë dhe bëhej nga vetë dingëtari, duke u ndihmuar edhe nga persona të tjerë, gjithnjë nën mbikqyrjen e tij. Materialet që përdoreshin për ndërtimin e dingut ishin drusorë, me përjashtim të boshteve metalikë të vigut, si dhe shterave që ishin prej guri gëlqeror për të mos patur mundësi shkëndijash gjatë goditjes së takmakëve.

 

 

Lënda drusore, që përdorej për ndërtimin e dingut, zgjidhej nga llojet e drurëve që i rezistonin lagështirës.

 

 

Ndërtesa e dingut nuk ishte e madhe. Ajo përbëhej nga tre faqe muresh e çatia, ndërsa ana e përparme e ndërtesës ku vendosej vigu, lihej hapur (pa mur).

 

 

Pjesët kryesore të dingut ishin : vigu me fletët, boshtet metalikë e llajkat, takmakët me boshtet e tyre, mbështetësat e bishtave të takmakëve, kunjat, lugu, luajtësi, shterat etj.

 

 

Gjithnjë ka patur ustallarë për përpunimin e lëndës drusore (lisit, gështenjës, vidhit të thatë etj.), sidomos të lugjeve e fletëve të mullinjve e valanicave. Llaveshajt vazhdimisht merrnin ustallarë nga Keta për punimin e lugjeve të dingave, fletëve të vigut etj. Ketasit duke bërë vazhdimisht punë marangozi në dingjet e Llaveshajve, u miqësuan me ta dhe gjithashtu përvetësuan teknikën e ndërtimit të dingut dhe teknologjinë e prodhimit të barutit. Kështu edhe Dishajt në Ketë, ngritën dingun e tyre për prodhimin e barutit, që funksionoi deri në vitin 1910. Ndonëse Llaveshajt nuk kishin lidhje gjaku me fiset Disha e Muça në Ketë, deri vonë bijtë e Hysenit mbajnë mend, jo vetëm ustallarët që vinin nga Keta e punonin duke kryer shërbime, si mjeshtra të përpunimit të drurit në dingun e Daj Cenit, por vinin shpesh edhe për vizita sidomos në ditët e pazarit.

                            

 

 

Përbërja e barutit :

 

 

Përbërësit e barutit të zi (me tym) janë : nitrat kaliumi (KNO3 , ose  gjurgjylja) 75%, squfur 10%, qymyr 15%. Nitrati i kaliumit ose gjurgjylja, siç quhet në gjuhën vendase, është lënda kryesore djegëse. Squfuri shërbente si lëndë "djëgëse" ndihmuese dhe lidhëse (çimentuese), ndërsa qymyri shërbente si lëndë djegëse ndihmuese dhe pakësues i elekrizimit (shuarës i elektrizimit) gjatë prdhimit, madje edhe gjatë transportit dhe përdorimit.

 

 

Gjurgjylja fillimisht importohej nga jashtë (nga Italia). Edhe squfuri importohej, ndonëse në raste të veçanta sigurohej edhe në vend. Një ferman i vitit 1571 trajton të ashtuquajturat miniera, ku sipas këtij dokumenti konstatohet se miniera e squfurit ishte shfrytëzuar në Leskovik, në sanxhakun e Ohrit.

 

 

Nitrati i potasit, KNO3 , si lëndë bazë e prodhimit të barutit të zi, më pas qe përftuar edhe me anë të valimit të dheut nëpër kazana, siç bëhej finja e rrobave, ku dheu ishte i ngopur me jashtëqitje të kafshëve.

 

 

Qymyri përgatitej në vend nga druri i shelgut, plepit apo lajthisë. Më tepër përdorej druri i shelgut, mbasi ai ishte më masiv. Qymyri i shelgut përgatitej nga dega shelgu të njoma njëvjeçare; po të mos ishin të tilla, baruti gjatë përdorimit nuk do të kishte djegie të mirë e për pasojë nga gryka e armës do të dilnin shkëndia zjarri.

 

 

Qymyri i lajthisë është më i mirë, por sigurohej me vështirësi, mbasi është dru i rrallë, ndërsa pellgu i krahinës së Klosit, sidomos i fshatrave ku prodhohej baruti mbulohej nga masive shelgjesh, madje ato mbilleshin me shumicë, jo vetëm nga prodhuesit e barutit, por edhe nga të tjerë për t'ua shitur dingëtarëve.

 

 

Për përgatitjen e qymyrit, degëve të shelgut u hiqej lëkura, thaheshin e çaheshin dhe më pas bëheshin qymyr.

 

 

 

Prodhimi i barutit :

 

 

Të gjitha proceset e prodhimit të barutit, në dingë dhe jashtë saj, i kryente vetëm një person që quhej dingëtar. Kështu ndodhte në dingjet e Llaveshit, ashtu edhe në ato të fisit Reçi, Bebja, Kaceli e vonë edhe Alstafa, si dhe të Dishës etj.

 

 

Në të vetmin rast që ishte me ortak, siç ishte rasti i dingut të Mahmut Halilit me Mollë Tefën në Dars, dinga përdorej simbas radhës me ditë nga secili.

 

 

Dingëtari pasi i peshonte të tre përbërësit, sipas përqindjes që treguam më lart, i thërmonte ato.Të gjitha së bashku arrinin shtatë okë. Pasi i përzinte dhe i njomte me ujë në shterë, fillonte proçesi i përpunimit ose i rrahjes, siç thuhet në gjuhën vendase; proçes që vazhdonte për 24 orë.

 

 

Gjatë procesit të rrahjes së barutit, dingëtari merrte masat e sigurimit (të mbrojtjes) nga zjarri dhe kontrollonte vazhdimisht, nëse ka pluhurosje të barutit. Pluhrat e barutit, që dukeshin rreth shterave, i fshinte me fshesë, të cilën e mbante posaçërisht për këtë qëllim dhe sipas rastit, kur vihej re dukuria e pluhurosjes, hidhte në shterë një sasi të caktuar uji.

 

 

Pas përfundimit të rrahjes në shterë, baruti nxirrej nga shtera dhe thahej në natyrë në çarçafë prej bezeje, duke qenë gjithnjë nën vrojtim, që të mos ndodhte ndonjë ngjarje e papritur apo e jashtzakonshme.

 

 

Pas tharjes, në kullën e barutit vazhdonte procesi i sitave, që ishte më i lodhshmi. Sitat ishin tre: sita e parë, seredania (e dyta) dhe sita e tretë. Ato ishin të mëdha, të thella e me rrathë prej druri. Rrathët e drunjtë, shtrëngoheshin fort me lidhësa të lëkurta, të një lëkure të regjur me kujdes dhe më pas në lëkurat e sitës, bëheshin vrimat e sitjes me dimensione sipas llojit të saj (sitës).

 

 

Në sitë bashkë më barutin hidheshin edhe 5-6 copë guriçka gëlqerorë me madhësi pak më të madhe se një kokërr fiku i thatë, të cilët gjatë proçesit të sitjes bënin copëtimin e barutit deri në atë masë, që kokrrizat e barutit të dilnin nga sita nëpërmjet vrimave të saja.

 

 

Fëmijët e Hysen Llaveshit edhe sot thonë: "nuk mund të harrojmë atë zhurmë karakteristike, që lëshonin gurët e sitës gjatë punës, kjo zhurmë dëgjohej rreth 100 m larg ndërtesës ku bëhej  sitja e barutit".

 

 

Në sitën e parë veçoheshin kokrizat e mëdhaja, në seredanën veçoheshin pluhurat dhe në sitën e tretë veçoheshin kokrrizat e rregullta të barutit, të cilat pasi amballazhoheshin në thasë bezeje, ruheshin në vende të sigurta, që mbroheshin nga lagështia dhe zjarri.

 

 

Pluhurat dhe kokrrizat e mëdha ripunoheshin, ose shiteshin për thyerje gurësh. Pluhurat janë më të fuqishëm në thyerjen e gurëve, pasi ky lloj baruti kalon në eksplozion, sepse shpejtësia e djegies ka lidhje me sipërfaqen. Me shpjegimin e këtij proçesi nuk po zgjatemi mbasi nuk paraqet interes për lexuesin.

 

 

 

Ripunimi i barutit në varelë :

 

 

Gjatë përpunimit të barutit në varelë, cilësia e tij përmirësohej.Kështu kokrrizat bëhëshin më monolite, merrnin shkëlqim, pakësohej mundësia e elektrizimit gjatë transportit, nuk pluhurosej, përmisohej deri diku procesi i djegies (jo në kuptimin që baruti digjet më shpejt, mbasi baruti i papërpunuar në varelë, digjet më shpejt kryesisht në sajë të pluhurosjes).

 

 

Në disa shkrime të botuara për barutin e Matit, përveç shkarjeve historike, ka patur mjaft edhe gabime teknike. Kjo ka ndodhur mbasi autorët e shkrimeve, në mjaft raste, nuk kanë qenë në gjendje të sitnin mirë shkrimin, ashtu siç kalon baruti në tre sita, por janë mjaftuar me thëniet e njërit apo tjetrit.

 

 

Kështu ka patur raste kur shkruhej se "baruti i zi duke u ripunuar në varelë zbardhej, bëhej barut i bardhë".

 

 

Ky lloj ripunimi i barutit të zi  me tym, është krejtësisht i gabuar të kuptohet kështu, mbasi baruti i zi edhe pas këtij përpunimi mbetet përsëri i zi.

 

 

Është thënë se “baruti i Reçit digjet më shpejt, prandaj do jetë ripunuar në varelë dhe paska qenë dhe më i miri”. Me që këtë problem e ka ngritur ndonjëri, ne po e sqarojmë shkurtimisht, se baruti i zi ka djegie digresive (të menjëhershme) e në sasira të mëdha kalon në shpërthim. Më shpejt digjet baruti i paripunuar në varelë, mbasi në shpejtësinë e djegies ndikojnë pluhurosjet, shkrifëtimet, sipërfaqja e djegies etj.

 

 

Dhe në qoftë se baruti i Reçit paska patur shpejtësi djegie më të madhe nga baruti që kanë prodhuar dingëtarët e tjerë, kjo do të thotë (sipas atyre që kanë shkruar ashtu), se baruti i Reçit nuk ka qenë i ripunuar në varelë, gjë që nuk mund ta themi, sepse jo vetëm që s’kemi jetuar  atë kohë (para vitit 1910), por nuk ka as të dhëna të tilla. Ato që flasin e shkruajnë kuturu, sipas oreksit, nuk kanë njohur proçesin e prodhimit dhe të përpunimit të barutit dhe duke u menduar të vlersojnë më shumë diçka, nuk kuptojnë se bëjnë të kundërtën.

 

 

Ne pohojmë se notën më të mirë për barutin e Matit, e kanë dhënë Strallët e Dhëmblanit. Ndaj nuk duhet hyrë në atë valle që s'di ta heqësh.

 

 

 

Tregëtimi i barutit :

 

 

Prodhuesit e barutit brenda Matit, e tregtonin barutin, ose duke u lidhur direkt me përdoruesin, ose me anën e tregtarëve që vinin nga Kruja e nga vende të tjera për të blerë barut. Baruti i Matit tregtohej në të gjithë Shqipërinë veriore e të mesme. Ai shitej në tregjet e Dibrës, Prizrenit, Gjakovës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit, Tiranës, Beratit dhe deri në Janinë, Rumeli e Junan, siç i thonin Greqisë matjanët e moçëm. Ali Pashë Tepelena, për përpunimn e barutit në Janinë, merrte dhe zejtarë nga Kryemati.

 

 

Gjatë tregëtimit të barutit me rrethet e tjera dhe me shtetet fqinjë, sidomos me Greqinë, baruti dërgohej në vend, kryesisht nga vetë prodhuesit.  Në rastet kur dërgohej me anë të qiraxhinjve, më parë ishte lidhur marrëveshja (kontrata) midis prodhuesit dhe blerësit.

 

 

Zakonisht Llaveshajt barutin e tyre e tregëtonin vetë, si në tregjet e Matit, ashtu  dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë e në shtetet fqinje, por kishte raste që e dërgonin te blerësit dhe me anë të qiraxhinjve. Ata ( Llaveshajt ) kryesisht e shisnin barutin në Prizren, Gjakovë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Berat e deri në Janinë, Rumeli e Greqi .

 

 

Para 50 vjetësh, i moshuari 100 vjeçar Liman Hazizi nga Guri i Bardhë, tregonte se, unë Limani, bashkë më Lym Senën nga Fshati, kemi bërë çirakxhillëk te Llaveshajt për shitjen e barutit të tyre në Elbasan, Dibër, Gjakovë e Prizren, por ka patur raste që edhe na kanë kapur, sepse shitja e barutit bëhej kontrabandë.

 

 

Pasi u rrënuan dingat e tjera (1911) dhe në Mat mbeti vetëm dinga e Llaveshajve, Llaveshajt deri në vitin 1939, barutin e tyre e kanë shitur kryesisht brenda rrethit dhe ne Krujë e Tiranë. Në Tiranë baruti i Llaveshajve përdorej për topin e Ramazanit (qëllohej me top për çeljen e iftarit). Kjo ka ndodhur edhe në vitet e para pas çlirimit, kur Tiranasit thonin "ra topi i Ramazanit".

 

 

Me anë të qiraxhinjve është tregëtuar apo dërguar në distancë (sipas kontratës prodhues-blerës) dhe baruti i disa prodhuesve të tjerë, siç është rasti i barutit të Kacelajve nga Beli, që shitej nga Riza Hoxha në Elbasan, Dibër  e Gjakovë. Ali Reçi barutin e tij e shishte kryesisht në Shkodër e Gjakovë.

 

 

Në raste të veçanta baruti në Mat prodhohej edhe me porosi. 

 

 

 

 © Aqif Ymeri 

Blogu : Dars, Klos (Mat) – Albania

 

Bibliografi :

 

1.Injac Zamputi “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë së Mesme dhe Veriore në shek.XVII”,vëll.I,Tiranë 1963.,“Burime të zgjedhura për  historinnë e Shqipërisë”,vëll.III,Tiranë 1962.

 

2.Ligor Mile  “Shqipëria në vitet e Lidhjes Sqiptare të Prizrenit”,I.Tiranë 1978,dok.19,f.49,Letra nr.146 datë 23 Janar  1877 e Kolona Cekaldit konsull I Francës dërguar Dukës Dëkaz,Ministër i Punëve të Jashtme në Francë,mbi përgatitjen ushtarake osmane për të sulmuar Mirditën.

 

3.”Etnografia  shqiptare”Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë”Tiranë  1989.

 

4.Riza Drishti   “ Armët dhe armëtarët shqiptarë” Tiranë 1976.

 

5.Dilaver Kurti “Trashëgime Iliro-Arbërore” Tiranë 1999.

 

6. Canby Courtlannd ”Historia e Armëve”,vol.7,Losana,1964.

 

7. F.E.Mazeray,”Historia e turqve” Paris 1650,në artikullin “L Artilerie”

 

8.G.Treccani,”Enciklopedia italiane”,vol.17.Romë,1935.

 

9.Idriz Ajeti Kumtesa “Prania e shqipes ndër dialekte të popullsive sllave,etj…”në librin “Konferenca e dytë e studimeve albanologjike”,Tiranë,1969,vëll.3,f. 117-118.

 

10.Kahreman Ulqini. Artikulli”Doke,veshje,zeje e besime në Mat.në B.SH.SH. Tiranë,1960 dhe “Vepër e cituar”,Tiranë 1960, faqe 238.

 

11.F.B.Nopcsa.Vepër e cituar,faqe146-154 e origjinalit, faqe 391-414 e përkthimit shqip,që ruhet pranë  arkivit të Universitetit të Tiranës.

 

12.Gazeta “Shqipëria” në Bukuresht,nr.37,dt.28.Shkurt 1898,”Mbi fabrikat e barutit në Mat”.

 

13.Shënime “në trashëgimi brezash të familjes së Llaveshajve”.