Aqif Ymeri, Klos – 18 Dhjetor 2016
Me dt.16.12.2007, ne Bashkine Klos qe planifikuar të organizohej dëgjesa publike mbi projektet e ndërtimit të HEC-eve mbi Lezedër dhe lumin Mat. Irritimi i banorëve nisi që me marrjen e njoftimit në facebook. Në njoftim, nisur nga leximi i projektit, nuk përmendej fare fjala Lezedër, por “Përroi i Shkallës”. Natyrisht, nga që hartuesit e projektit nuk kanë aspak njohuri mbi objektet, resurset dhe problemet më jetësore të kësaj treve, bashkia duke përdorur emërtimet sipas hartuesve, dëshmon se që këtu nis papërgjegjshmëria totale e hartuesve të këtij projekti në raport me nevojat jetësore dhe ndjeshmërinë e komunitetit.
Në Klos gjithkush e ka të qartë se emërtimi Lezedër, i përdorur këtu e afro 600 vjet më parë, nis që me ngritjen e dingave të para të barutit në trojet shqiptare, pikërisht mbi Lezedër, me mbështetjen e familjes së Kastriotëve, e cila në Petralbë, mbi Lezedër kishte rezidencën e saj. Pra nuk mund të thuhet kurrë “Përroi i Shkallës”, por “Lezedër”. Është pikërisht ajo Lezedër që me mijëra vjet mban gjallë fshatin Fshat (Fushatin e Petralbës), mbasi me ujin vaditës të saj funksionojnë tokat pjellore të këtij fshati dhe është po kjo Lezedër që mban gjallë burimet e ujit të pijshëm nga të cilët çdo familje e këtij fshati, duke investuar privatisht me miliona lekë blerje tubash e hapje kanali, merr ujë të pijshëm. I gjithë fshati Fshat, përveç lagjes Zhukaj, merr ujë të pijshëm nga ato burime. Pra uji vaditës dhe uji i pishëm, i këtij fshati, është i lidhur tërësisht me Lezedrën. Përveç në lagjen Zhukaj, në këtë fshat asnjë qeveri nuk ka bërë asnjë investim për ujin e pijshëm.
Së dyti, lumi i Matit është jetësor për gjithë luginën me sistemin vaditës. Përveç Kanalit të Madh të Klosit, funksionojnë edhe shumë elektropompa gjatë gjithë periudhës së verës për vaditjen e tokave bujqësore.
Së treti, përveç vaditjes, në gjithë gjatësinë e lumit banorët gatë periudhës së verës çlodhen, shijojnë rrezatimin diellor, rërën, ujin e pastër, freskinë dhe gjithë bukurinë e mjedisit. Bukuritë përrallore në gjithë gjatësinë e lumit janë të shumta. “Shpellat e Pëllumbave” mbi “Grykën e Shkëmbit”, “Ura e Vashës” me hapësirën e bukur rreth saj, “Guri i Gjatë” e shumë e shumë objekte të tjera janë monumente të bukura natyrore, të cilët pa ujin e lumit Mat do të zhbëheshin.
Së katërti, biodiversiteti është një problem tjetër madhor në gjithë këtë hapësirë mjedisore. Këto HEC-e do të shkatërronin të gjitha gjallesat në krejt gjatësinë e shtratit të këtij lumi.
Të mos harrojmë, se gjatë gjithë periudhës së verës, edhe bagëtitë e banorëve të kësaj treve pijnë ujë në këtë lum, mbasi e tillë është hapësira kullosore e tyre nga lumi në shpatet e taracat lumore sipër.
Megjithatë dua të kujtoj edhe diçka tjetër : Në fundvitet 50-të e fillimvitet 60-të të shekullit të kaluar, kur mbi lumin Mat u ndërtuan dy hidrocentrale relativisht të mëdhenj në Ulëz e Shkopet, shumë familje nga zona e kësaj treve, tokat e të cilave u përmbyten nga ndërtimi i atyre dy HEC-eve, u shpërngulën anekënd vendit. Natyrisht Mati mikpritës përballoi peshën më të madhe të këtyre dyndjeve dhe veçanërisht fshati Patin i Bashkisë Klos. Tre HEC-e janë ndërtuar vitet e fundit me ujërat e Cerujës, fshat i bashkisë Klos. Një HEC po ndërtohet në Bruç. Po ashtu një HEC tjetër po perfundon në zonën nga Ura e Thelapatit (Plani i Bardhë i Bashkisë Klos) deri në Blishtë të Martaneshit.
Në Mat janë ndërtuar dy HEC-e të mëdhenj, disa të vegjël dhe dy janë drejt përfundimit. Kështu, Mati ka mbartur mbi shpinë një barrë jo të vogël të hidrocentraleve në shkallë vendi, me ndikime jo vetëm në mjedisin por edhe pasoja të tjera mjaft të mëdha. Mjafton të kujtojmë ligjin famëkeq 7501 për ndarjen e tokave bujqësore për të dëshmuar se sa probleme i janë hapur Matit me tokat bujqësore dhe me mashtrimin e madh të “rikthimit e kompensimit të pronave”.
Pra Matit i është rënë mjaft në qafë. Është kjo trevë që prej më se 70 viteve po i jep shtetit përfitime të mëdha me kromin e megjithatë rruga nacionale në gjithë aksin që i përket zonës Burrel-Klos është “kalldrëm me gropa” që vetëm emrin ka “rrugë automobilistike”, sepse në të vërtetë është rrugë për traktora e zitora. Kjo rrugë është turpi i të gjitha qeverive të derisotme.
Investimet në Mat, në të gjitha drejtimet, janë minimale. Çuditërisht, pa i dhënë minimalisht këtij komuniteti, kërkohet shumë prej tij.
Para pak vitesh (2 apo 3 vitesh), jo kjo kompani, por të tjerë, madje miq tonit, kanë ardhur dhe kanë biseduar edhe me mua, por jo për këtë projekt. Tani të “mos na e shesin sapunin për djathë”, duke u shprehur “se jemi konsultuar edhe më parë”. Shprehja “se jemi konsultuar edhe më parë”, ata i bën tërësisht mosbesues, kur tjetër gjë na është thënë dikur, jo nga këta, por nga miqtë tanë dhe tjetër gjë shohim në projekt. Dhe për ironi të kësaj farse mashtruese, se gjoja po bashkërendojmë me komunitetin, tani na dalka “se nga 8, është zbritur në 3 HEC-e”.
Ne nuk dimë se ç’fabrikohet nëpër zyra e skuta, të cilësdo qeveri qofshin, por dimë ç’kemi dëgjuar e ç’na është thënë drejtpërdrejt, ku komuniteti gjithnjë ka kundërshtuar prerazi, madje me ashpërsi. Na dalka sikur “po u mëshiroka ky komunitet”, sepse nga 8, u zbrit në 3. Jo zotërinj! Kështu nuk do të mund të na mashtroni kurrë. Më e keqja : kur hymë në të ashtuquajturin “takim”, te dera na prisnin me ca fletë në dorë për të firmosur “se morëm pjesë në dëgjesë”. Mos vallë ato firma i morët për t’i përdorur më vonë se “jeni konsultuar me komunitetin?” Ju e patë qartë mendimin e komunitetit, i cili as që pranoi t’u dëgjonte dhe ju tha:”shporruni!” Guxoni t’i përdorni në ndonjë të ardhme ato firma me të cilat u munduat të mashtroni njerëzit si “konsultues”, sepse do të dimë t’ua japim përgjigjen.
Tani, vijmë te çështja e kontratave, siç është shprehur ndonjëri gojarisht, mbasi nuk është nënshkruar me këtë komunitet asnjë kontratë. Kur një dekret presidenti i rikthimit në parlament i ligjit “për importin e mbetjeve”, nuk përfillet, sa është mundësia e besueshmërisë së kontratave “farsë”, që mundoheni të servirni ju ndaj komunitetit dhe qeverisjes vendore?
Kur me një vendim qeverie i kalon shërbimi laboratorik mjekësor, në mënyrë të menjëhershme, konçensionarit, duke lënë pa shpresë vazhdimësie në punë me qindra a mijëra laborantë, gjë që flak jashtë funksioni çdo status të nëpunësit civil, atëherë ç’mundësi ekzistojnë për besueshmëri ndaj kësaj qeverie, apo ndonjë qeverie tjetër më pas?
U bënë disa vite që ka një moratorium për gjuetinë. Natyrisht ishte i nevojshëm, po të vendosej realisht, por si është e mundur që ai moratorium funksionoi vetëm për një pakicë që nuk shkelin ligjin? Në kohë dimri të egër, kur shpendëve dhe kafshëve gjuetari i mirëfilltë duhet t’u vijë në ndihmë për të mbijetuar, mali mbushet plot me çifte e zagarë dhe askush nuk do t’ia dijë. Madje edhe natën makinat me prozhektor bëjnë kërdinë. Pra s’ka moratorium real, gjithçka qëndron formalisht në letra.
Po kjo ministri (e çmjedisit) mban përgjegjësi për moratoriumin e pyjeve që është vendosur. Madje qenë vendosur edhe sisteme kamerash për monitorim, të cilat u zhdukën pa mbushur muajin. Gara e sopatave vazhdon më keq se më parë.
Kështu do të vazhdoja pafundësisht me moratoriume, kontrata e vendime, statuse, premtime etj. etj., që mbeten vetëm në letër dhe asnjëherë nuk funksionojnë. Atëherë zotërinj: “si mund t’u besojë komuniteti kontratave tuaja?”
Pra, ky komunitet i mashtruar skajmërisht deri më sot, nuk ka asnjë shans për t’u besuar dhe KURRË NUK DO TË LEJOJË, AS ME KËTË QEVERI, AS ME NDONJË QEVERI TJETËR TË BËHEN MASAKRA TË TILLA.
Neve këtë vend të bekuar nga natyra, nga Zoti na e lanë të parët tanë. Kemi detyrimin që po kështu t’ua lëmë fëmijëve tanë. Ndryshe do të na mallkonin brezat. Ndërtimi i këtyre HEC-eve me tre tunele, siç është paraqitur në projekt, do të bënte katastrofë mjedisore, do të çonte në shterimin e ujërave të pijëshëm, në asgjesimin total të sistemit vaditës. Kjo do t’i detyronte fëmijët tanë të braktisnin këtë vend të bekuar. Për braktisjen e këtij vendi nuk na detyruan as fashizmi, as zaptusit pesëshekullorë turq, as sllavët, as romakët; asnjë pushtues, sado barbar ka qenë.
Është pikërisht kjo krahinë, të cilët studiuesit më me famë botërore, veçanërisht ata gjermanë e kanë cilësuar “si hapësirë jetësore e shqiptarëve të hershëm, pa përzierje e pa trazime”. ASKUJT TË MOS I SHKOJË NDËRMEND SE DO TË NA DETYROJË TA BRAKTISIM, AS NE, AS FËMIJËT TANË E BREZAT NË VAZHDIMËSI KËTË VEND! NDAJ JO, NJËHERË E PËRGJITHMONË MASAKRAVE E BARBARIVE MBI LUMIN MAT DHE LEZEDËR. Le t’i lëmë ata , siç na i ka dhënë të bekuara ZOTI I MADH, siç na i lanë të parët tanë me gjakun e djersën e derdhur ndër shekuj.
Për këtë komuniteti është i vendosur, pa dallim bindjesh politike dhe i tillë do të jetë pavarësisht nga qeverisjet, të majta apo të djathta qofshin.
Aqif Ymeri
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania