Georg Stadtmüeller : Krahina e Matit, hapësira më jetësore e shqiptarëve të hershëm pa përzierje e pa trazime


Georg Stadtmüeller (1909 - 1985)
Georg Stadtmüeller (1909 - 1985)

Aqif Ymeri, Klos – Nga botimet e Hyllit të Dritës « HISTORIJA SHQIPTARE » në pikëpamje të kombësisë si problem gjurmimesh nga studiuesi gjerman GEORG STADTMUELLER (1909 – 1985), përkthyer nga prof. Karl Gurakuqi.

 

Duke shfletuar studimet e të huajve për Matin, veçanërisht të tërheqin vemendjen gjurmimet dhe shumë nga përfundimet e studiuesve gjermanë për këtë trevë aq interesante që u munduan ta njohin, më së pari, si nevojë dhe domosdoshmëri për të depërtuar në kohëra sa më të largëta historike. Si bartës kryesorë të tezave në thelb të të cilave qëndron koncepti i autoktonisë së shqiptarëve, mund të përmendim historianët gjermanë Georg Stadtmüeller, Gottfried Schramm dhe Olberg. Natyrisht nga studimet e sotme vendbanimet e të parëve të shqiptarëve që nga antikiteti e në fillimet e mesjetës, i lokalizojmë në gjithë hapsirën e sotme kompakte shqipfolëse, por në këtë trajtesë po përpiqemi të rendisim, kryesisht, disa citime të Georg Stadtmüeller-it në veprën e tij HISTORIJA SHQIPTARE e përkthyer nga prof. Karl Gurakuqi dhe e paraqitur në nr.13 të botimeve të HYLLIT TË DRITËS. Boshti i këtij materiali është vështrimi mbi Matin si « hapsira më jetësore e shqiptarëve të hershëm pa përzierje e pa trazime ».

 

Interes të veçantë për studiuesit gjermanë dhe veçanërisht për Stadtmüellerin paraqet Krahina e Matit. Për këtë në f.14 të këtij materiali lexojmë :

 

« Krahina e Matit. Kjo krahinë malsore, e cila asht e rrethueme prej malesh shum të nalta, mund të kundrohet si një vend i shkëputun, pse i ka të gjitha kushtet natyrore për të ngelë në njenë anë. Dhe me të drejtë kjo ka qenë qysh në kohët e vjetra e deri sot qendra popullore e vërtetë e Shqipnis, qi i ka kundërshtuem ndikimit të huej. Prandej këto kujtime të përgjithëshme na japin apriori dishmin se hapsin jetsore shqiptare e hershme ka qenë krahina e Matit. Asht e dijtun se nuk mund të mbështetemi vetëm në vleftën e dishmivet të nxjerruna apriori; por asht nevoja të paraqiten dishmit nji nga nji, të cilat të na vërtetojnë me fakte se kultura romake nuk e ka përfshirë krahinën e Matit. Këto dishmi mund të provohen në mbështetje të zbulimevet toksore arkeologjike dhe të tepricavet t’emnavet latinë. Sigurisht ma përpara kanë qenë ma shum emna latinë vendesh në Shqipninë e sotme veriore, të cilët ma vonë natyrisht u zhdukën me anën e pushtimit sllav. Janë ruejtë vetëm disa të pakët, por edhe këta kanë marrë trajta tjera nga shqiptimi sllav dhe shqip ».

 

f.14 lexojmë : « ...Zbulimet toksore arkeologjike na çojnë edhe ma përtej. Prej përshkrimevet udhëtimesh e prej zbulimevet arheologjike mund të përcaktojmë rrjetin rruguer romak të kohës së vjetër së vonë ». Natyrisht kjo krahinë përshkohej nga Rruga e Arbërit, e cila është arter rrugor pararomak, disa degëzime të saja e artere lidhës me trevat fqinje, por Roma qe e detyruar ta linte të lirë këtë trevë « të pa bindur », ndaj ndikimi i huaj ishte i papëfillshëm, me emërtime sporadike kryesisht në periferi, si psh « Mansio » ishte stacioni rrugor në Gur të Bardhë, nga i cili mori edhe emërtimin lagja « Mansaj » në këtë fshat etj.

 

Kështu në f.15 të materialit që po trajtojmë lexojmë qartë : « ...Vetëm krahina e Matit duket se ka shpëtuem nga ky romanizim. Së paku deri sot nuk kanë dalë gjurmët arheologjike nga koha romane, ndonëse edhe kjo krahinë malsore asht gjurmuem sikurse të gjitha viset tjera kulture romake dhe greke ». Duke shqyrtuar dokumentet e kohës mbi viset kulturore romake të kohës bizantine të parë kuptohet se krahina e Matit duhet të kundrohet “si hapësira jetësore e shqiptarëve të hershëm pa përzierje e pa trazime”.

 

Kështu në f.15 -16 lexojmë : « ...Po të shqyrtojmë kartën e këtyne viseve kulturore në kohën romake të vonë e në kohën byzantine të parë, do të shohim se ata sajojshin nji rreth për qark krahinës së Matit. Këso dore na del kjarisht në shesh, se kjo krahinë duhet të kundrohet si hapsina jetsore e Shqiptarvet të hershëm pa përzimje e pa trazime ».

 

Po aty vazhdon në f.16 : « Ky përfundim provohet ma në fund prej dy faktesh :

 

1.Romakët e panë t’arsyeshëm ndërtimin e nji kështjelli të fortë në hymjen e krahinës së Matit në prakun malsuer t’Ungrejt me qëllim qi t’mprohej fusha e frytshme e gjinit të Shkodrës nga sulmimet prej krahinës së Matit. Ky vend malsuer para duhet qi mos të ketë qenë plotsisht i shtruem në kohën romake.

2.Gjindet nji kartë e krahinavet romake të Ballkanit në nji dorëshkrim të vjetër  të Ptolemaios-it (kod.Urbinas) shek XI), e cila na jep edhe nji dishmi tjetër në kët drejtim. Vija e kufinit ndërmjet krahinës romake së vonë Praepalis (në përgjithësi Mali i Zi i soçëm dhe krahina e Alpeve veriore Shqiptare) dhe Epirus nova zgjatet në kartën e Ptolemaios-it prej Lezhës, bri viseve malsore të Drinit, për të gjatë veri-lindjes deri në viset e Serbisë së vjetër. Kjo gja na tregon pra, se krahina e Matit gjindej jashtë kufinit të krahinës Paevalis, prej kah çelet me të vërtetë nji rrugë komunikacioni me këtë krahinë malcore (mbi prakun malsuer t’Ungrejt). Kështu pra Mati gjindej jashtë krahinës romake, i mnjanuem si nji vend politik i kërkuj, sikurse pat qindruem ma vonë në kohën e sundimit ottoman ».

 

Duke trajtuar dyndjen e sllavëve nga përtej Danubit, në brendësi të Ballkanit, në kohën e parë shqiptare (sipas klasifikimit të periudhave prej tij) përsëri në f.16 lexojmë : « Koha e parë Shqiptare (pra pushtimi sllav rreth 600 vjet mb.Kr.)…erdhën prej andej Danubit dhe pushtuen viset e lira në mbrendsin e Ballkanit në grumbuj të mdhaj bujqit sllavë nën udhëheqjen politike dhe ushtarake të nji populli kalorës ravgues, Avarvet. Kultura romake u prish krejtësisht në viset e mbrendëshme. Mujti me qëndrue vetëm nëpër ishujt dhe rrypinat bregore nën mprojtjen e flotës mbretnore byzantine. Për Shqiptarët ky pushtim sllav asht i randsishëm, pse ndërpreu romanizimin qi po përparonte, dhe bani qi të qindronte kombsija shqiptare në shkallën e romanizimit të pjesëshëm, në të cilën kishte mrritë aso kohë ».

 

Më tej në f.18 vazhdon : « …Nji pjesë e madhe e këtyne Romakve u shkri gjatë shekujvet në sllavizëm. Mbi ketë ngjarje nuk kemi dritë të mjaftë, pse historishkruesit byzantinë, të cilët na kanë lanë lajme të sigurta mbi krejt botën, nuk na kanë dhanë aspak ndriçim mbi mbrendsin e Ballkanit. Këjo kohë historike e errët e mbrendsis së Ballkanit zgjatet prej fillimit të shekullit VII deri në shekullin X. Vetëm ripushtimi i këtyne viseve nga ana e fuqis byzantine në luftat e gjysmës së dytë të shekullit X dhe shgatrrimi përfundimtar i mbretnis bullgare në vjetin 1018 na jep prap dritë mbi viset e mbrendsis së Ballkanit ».

 

Studiuesit gjermanë pohojnë se Krahina e Matit, edhe pas pushtimit sllav të vendit, mbeti e panënshtruar, nuk njohu pushtim ; ajo gjendej midis shteteve të mëdha Bizantit, Bullgarisë dhe princnisë serbe të Dioklitjes.

 

Kështu në f.19 – 20 lexojmë : « …prej të gjitha këtyne fakteve gjuhësore mund të nxjerrim përfundimin e gjithëmbarshëm, se Shqiptarët e parë kanë pas banuem në viset malsore n’afërsit e Dibrës. Ky përfundim vërtetohet pastaj edhe prej përhapjes s’emnavet sllavë vendesh. Shqipnija jugore dhe Shqipnija e poshtme kanë nji sasi të madhe emnash sllavë vendesh. Edhe krahina e Alpevet veriore Shqiptare, ashtu edhe ajo e Drinit kanë disa emna të tillë. Përkundrazi krahina e Matit ka mbetë mjaft e pastër. Në mbështetje të këtyne emnave vendesh, mund të përfundohet, se sllavët u futën përpjetë Drinit dhe pushtuen viset malsore t’asaj ane. Edhe në krahinën e Matit erdhën disa grumbuj të pakët sllavë përpjetë lumit dhe zunë vend në luginën e tij. Edhe gjendja toksore, politike dhe kishtare na e vërtetojnë ket perfundim. Krahina e Matit gjindej në shekuj mbas pushtimit sllav në mes të shteteve të mëdha, Byzantit, Bullgaris dhe princnis serbe të Dioklitjes. Por nuk kemi vërtetime në se qe inkvaduem në ndonjenin prej këtyne shteteve. Gjithkështu qindron puna në pikëpamje të jurisdikconit kishtar. Për të gjitha krahinat rreth e përqark kemi lajme për selit epishkopore në mesokohën e parë, kurse për krahinën e Matit nuk kemi asnjë njoftim. Këso dore pra të gjitha gjurmimet e deritanishme na e bijnë krahinën e Matit si hapsinën jetsore të Shqiptarvet të parë. Gjithashtu edhe natyra e mnjanueme e kësaj krahine malsore na e përforcon kët përfundim ».

 

Mbasi popullsia brenda trevës së Matit, mbeti në çdo kohë e pastër shqiptare, « pa përzierje e pa trazime », e panënshtruar, si shtet më vete e rrethuar nga shtete të tjerë (në këtë periudhë Bizanti, Bullgaria dhe princnia serbe) të huajt arrinin deri atje sa ndonjëherë pohonin se në atë kohë « Shqipëri mbeti vetëm Mati » dhe se pas shkatërrimit të mbretërisë lindore romake, shqiptarët filluan të zgjerohen në fillim nga Mati drejt krahinave fqinje Krujës e Tiranës dhe më tej në Shqipërinë e mesme e jugore etj... Në të vërtetë  në të gjitha trojet e sotme kompakte shqipfolëse, edhe atëherë kishte shqiptarë, por kishte vazhduar me egërsi procesi i romanizimit, sllavizimit, greqizimit etj, sipas periudhave dhe e pastër « pa përzierje e pa trazime » kishte mbetur vetëm Mati. Kështu që shqiptarët po kërkonin të rikthenin të plota e të pastra kudo trojet e tyre të trashëguara që nga koha Pellazgjiko – Ilire dhe të rimarrësh, apo « pastrosh » trojet atërore nuk do të thotë as pushtim, as zgjerim.

 

Kështu në f.21, përsëri lexojmë : « …Kur pastaj u shkatrrue mbretnija lindore romake nën shtytjen e Kryqtaris IV (1204) dhe kështu u shkaktue nji kaos shtetesh së vogla, atëherë erdhi prap nji orë e përshtatshme për kombsinë shqiptare. Tani fillon përhapja e saj e madhe, ma së pari me pushtimet luftarake. Në fillim kjo përhapje u shtri në viset kodrinore, qi gjinden pranë krahinës së Matit, dmth në Tiranë e Krujë, pastaj në Shqipninë e mesme jugore ; kjo ngjau në shekullin e VIII. Luftëtarët barinj shqiptarë u futën në këto vise si pushtues dhe nënshtruen, tue u bam pronarë tokësh, banorët sllavë të ngulun aty. Në këtë gjendje shoqnore dhe politike u zhvillue nji kulturë e çuditshme feudale. Feudalizimi i Ballkanit, qi asht nji karakteristikë e posaçme e shekullit VIII, pushtoi edhe Shqipnin. Ky feudalizim hyni pastaj në nji trajtë ma të shtremnueme e ma t’egër në mbrendsin malsore, në daç si styl i jashtëm jete, në daç si përmbajtje e mbrenëshme ». Por të mos harrojmë se, po ky shkrues, më parë ka treguar se si sllavët,  rreth vitit 600, erdhën prej andej Danubit dhe u dyndën në brendësi të Ballkanit...

 

Mjaft bukur Stadtmüelleri trajton historinë e Skënderbeut.

 

Kështu në f.22 lexojmë : « Por edhe njiherë  Shqiptarët u bashkuen dhe banë nji qindresë të madhe kundra Turqvet. Shqiptari i veriut, Gjergj Kastrioti (Skanderbegu) mori përsipër udhëheqjen e kësaj lufte për liri. Si njoftës i mirë i mënyrës turke të luftimit-kishte pasë kaluem vjetët e parë të rinis si peng pranë Turqvet-mujti, i mprojtun nga natyra e fortë e vendit malsuer të Shqipnis veriore, me i kundërshtuem për 25 vjet me radhë fuqis shum herë ma të madhe turke (1443-1468). Turqit nuk mundën kurr me e pushtuem vendin e tij të forcuem, fortesën ndër shkrepa, Krujën. Asht e dijtun se Skandërbeu kishte pasë  sigurue mprojtjen politike të mbretnis së Napolit dhe përpiqej të siguronte edhe mprojtjen e fuqis detare, Venedikut. Kjo kohë e luftavet të Skandërbeut kundra Turqvet qe periudha kreshnike e vërtetë e historis shqiptare. Në këtë kohë doli për herën e parë nji histori shqipe : Marin Barleti, nji shqiptar nga Shkodra, shkroi historin e Shqiptarvet, tue zanë fill nga luftat e Skandërbeut. Si nji humanist i vërtetë e lidhi këtë histori në nji mënyrë të vjetrueme me historinë epirote dhe macedonase të vjetërsis ».

 

Pas vdekjes së Skënderbeut, duke trajtuar ripushtimin e vendit nga turqit dhe procesin e islamizimit të popullsisë në f.23-24 lexojmë :  « Për të kuptuem  historin kombëtare shqiptare në mbretnin osmane, duhen pas parasysh ma parë vijat themelore të së drejtës islame të pakicavet. Kjo e drejtë islame e pakicavet nuk rredh nga pikpamja e kombsivet, sikurse kuptohet sot, por nga pikpamja e besimevet ».

 

Përsëri, po aty, f.24 vazhdon : « Popullsija e mbretnis ndahet në dy klasa të mdhaja, qi kanë të drejta krejt të ndryshme njena nga tjetra : - 1. Klasa e zotnijvet: muslimanët, të cilët vetëm këta kanë të drejta politike dhe mund të mbajnë armë.2. Nënklasa: jo-muslimët, qi paguejnë taksa. Bujaria e vjetër ballkanike menjiherë mbas  pushtimit turk u ba islame, d.m.th.  « u turqizue ». Turqit përdorën çdo makinacion për të islamizuar popullsinë, në f.25 citohet : « Përpara çdo gjaje, me anën e islamizimit kërkohej lirimi nga taksat dhe sigurimi i mprojtjes policore t’auktoritetevet turke ».

 

Edhe grekërit nuk lanë mënyrë e intrigë pa përdorur për greqizimin e shqiptarëve. Në f.25 tregohet : « Ma vonë, në shekullin XIX, Shqiptarët e Greqis pak nga pak u greqizuen, ma së pari me anën e kishës orthodhokse dhe të shkollës. Greqizimi hyri deri në krahinat shqiptare t’Epirit veriuer, dhe gjithkund, mund të thomi se gjuha greke u përdor nga intelektualët dhe në shpresat kulturore. Gjuha greke u ba gjuhë marrëdhaneje së përgjithëshme dhe kulture deri te lugina e Shkumbinit. Në këtë mënyrë greqizimi gjuhësuer, kulturuer dhe kishtar u ba për Shqiptarët, sikurse edhe për Bullgarët e Rumunët, nji problemë  e randë ».

 

Çështja shqiptare në vazhdimësi, në ditët tona, është e trajtuar gjërësisht dhe e njohur. Argumentimi i hershëm i studiuesve gjermanë për pozitën gjeografike të shqiptarëve, si mollë sherri për qarqet shoviniste fqinje është edhe realitet i sotëm.

 

 

 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania

 

Shkrim botuar edhe në Revistën prestigjoze matjane "Emathia" (N°1 - 2016)