BASHKIA KLOS APO BASHKIA KRYEMAT



Klosi - Fotograf Aurenc Bebja
Klosi - Fotograf Aurenc Bebja

Aqif Ymeri, Klos

 

Kryemati është një trevë gjithëpërfshirëse, me rrënjë të hershme, ku pasqyrohen vlerat e të gjithë trevës, ndërsa Klosi është pjesë e Kryemates. Kjo është krejt bindëse që Bashkia Klos të emërtohet “Bashkia Kryemat”.

Pas zgjedhjeve të 21 qershorit të vitit që shkoi, në Republikën e Shqipërisë janë krijuar njësitë e reja të qeverisjes vendore. Por, natyrshëm lind pyetja: “Po emërtimi i këtyre njësive, a i përgjigjet natyrshëm hapësirës teritoriale të shtrirjes dhe funksionimit të tyre?”. Nëse ndarja teritoriale është gjykuar nga ekspertët që e projektuan atë, po për emërtimin e tyre, nga dolën idetë ?

 

Pa dashur të jap opinionin tim për ndarjen e bërë tashmë fakt të kryer, për emërtimin mendoj se sa s’është vonë, duhen tërhequr mendimet e studiuesve tanë. Emërtimi i secilës bashki, doemos duhet të jetë përfaqësim i natyrshëm për gjithë trevën ku ajo shtrihet.

 

Në veçanti, për Bashkinë Klos, mendoj se ka qenë zgjedhje e duhur formimi i një njësie më vete, por emërtimi “Bashkia Klos”, nuk është aspak përfaqësor për teritorin që përfshin njësitë përbërëse Gurrë, Suç-Kurdari, zona e Klosit dhe Guri i Bardhë-Xibër.

 

Së pari le t’i referohemi etimologjisë së fjalës “Klos” dhe të mendojmë se ç’pjesë të teritorit përfaqëson.

 

Emërtimin “Klos” e hasim edhe në vise të tjera të Shqipërisë, si në Mirditë, Mallakastër etj. Kloset, në të kaluarën, kryenin funksionin e vëzhgimit dhe të kontrollit të lëvizjeve të karvaneve, të kalimtarëve dhe të mallrave nga një krahinë në tjetrën dhe zakonisht ishin të vendosura në gryka të thepisura ndërmalore e pikërisht në shtegun e vetëm të kalimit dhe, si të tilla në atë kohë,  kishin afërsisht tagrin e pikave doganore të kohës së sotme. Klosi i Kryemates, i vendosur në pikën më strategjike të Udhës së Arbërit, pa dyshim ka luajtur rol të rëndësishëm në ato kohëra, si një portë e madhe nacionale midis lindjes dhe perëndimit. Etimologjikisht, mendoj se emri “Klos” është i lidhur me fjalën “Klisurë”. Në fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe të Gustav Meyer, gjejmë “Klisyrë” (Klisura), që në shqip do të thotë “grykë mali”. Gryka të tilla kanë qenë “Qafa e Buallit” dhe “Qafa e Murrizës”. Përveç  funksionit të kontrollit, në këto vende kishte edhe roje për sigurinë e karvaneve. Psh, përtej Urës së Vashës, në pjesën ku fshati Fshat ndan me Planin e Bardhë, gryka sipër quhet “Qafë Derven” dhe aty ka qenë edhe “karakolli”, siç ka qenë edhe në “Qafë Murrizë”, pra roja për sigurinë e karvaneve. Është kjo arsyeja që edhe fshati që niste nga “Qafa e Buallit” dhe përfundonte në “Pazarin e Urës”, u quajt Klos. Dikush mund të thotë se nën Qafën e Buallit është Plani i Bardhë, por ju kujtoj se Plani i Bardhë ka qenë lagje e Klosit. Pra emërtimi “Klos” përligj këtë pjesë të hapësirës së Kryemates.

 

Me dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.4910, datë 07.12.1971, u krijua qyteti Klos dhe fshati Klos, nga ajo kohë u quajt “Kloskatund”.

 

Në kohën kur kjo krahinë ka qenë më e zgjeruar, quhej Krahina e Stragjut. Emërtimi “Stragj” ishte i lidhur me tregun e Pazarit të Urës. Psh në librin “Shqipëria më 1923” të Teki Selenicës, Mati paraqitet me 40 264 banorë dhe me këto krahina: 1.Krahina e Qendrës (qendra Burrel, Midha, Batrra e Vogël, Batrra e Madhe, Frankthi, Muzhaka, Gurra e Vogël, Gurra e Madhe, Karica, Germani). 2. Krahina e Stragjut (Klos, Bejnë, Pleshë,Guri i Bardhë, Xibër, Dars, Shkallë, Fshat, Ketë, Unjate, Bel, Fullqet, Patin, Lis, Shëlli, Kurdari, Mallunxë, Burgajet, Vinjollë, Prell, Zmaç, Msuç, Rremull, Macukull, Shqefën, Dukagjin, Derjan, Bruç, Kulla e Pashës, Barbullej, Laç). 3.Krahina e Lurës (F.Lurë, Gjura, Krena, Burim, Lura e Vjetër, Arrmallë) 4.Krahina e Grykës (Murrë, Kaçni, Lukan, Selishtë). 5.Krahina e Kthellës (Bëshkash, Prosek, Përlat,Zais, Likani, Kurbnesh, Kthell e Epër, Baz, Shebe, Lufaj, Malaj, Rrëshen, Bozhiq, Gjoçaj,Lami i Madh).

 

Në këtë ndarje, krahina e Stragjut, përveç fshatrave të zonës së Klosit kishte edhe fshatrat  e zonës Xibër-Guri i Bardhë dhe të tjerë si Lis, Shëlli, Kurdari, Mallunxë, Burgajet, Vinjollë, Prell, Zmaç, Suç, Rremull, Macukull, Shqefën, Dukagjin, Dërjan, Bruç, Kulla e Pashës, Barbullej, Laç etj.. Pra në këtë kohë që kishte shtrirjen më të madhe, krahina quhej “Krahina e Stragjut” dhe jo e “Klosit”. Emërtimi “Krahina e Stragjut”, ishte më i natyrshëm, sepse “Stragju” (Pazari i Urës), ishte qendër tregtare jo vetëm më e madhja në Mat, por e njohur në të gjitha trevat shqiptare e më gjërë. Pra nuk e kishte emrin “Krahina e Klosit”. Në fletoren zyrtare të 14 korrikut 1928, aneksi B, tregohet nënprefektura e Matit me krahinat : 1.Strajcë klasi i 2 2.Lurë klasi i 2 3.Grykë klasi i 2 4.Këthell klasi i I . Natyrisht, përveç këtyre ishte edhe krahina e qendrës, pra ajo me qendër në Burrel. Edhe këtu, përsëri citohet Strajcë dhe jo Klos. Nga viti 1928, deri në vitin 1935, përveç Komunës së Klosit, e cila administronte fshatrat Fshat, Guri i Bardhë, Ketë, Klos (Klosi e kishte pjesë të tij Planin e Bardhë), Shkallë e Xibër, funksiononte edhe Komuna e Patinit, e cila administronte fshatrat Bejnë, Kurdari, Patin e Pleshë (Ceruja e Bërshini bënin pjesë në Patin). Në atë kohë Komuna e Gurrës së Madhe përfshinte fshatrat Batrra e Madhe, Bel, Dars, Frankth, Fullqet, Gurrë e Madhe, Gurrë e Vogël dhe Unjate.

 

Në vitin 1996 Komuna Klos që përfshinte qytetin Klos dhe fshatrat Kloskatund, Bejnë, Cerujë, Patin, Bërshi, Pleshë, Shëngjun, Plan i Bardhë, Fshat, Dars, Fullqet, Bel e Unjate u emërtua Bashkia Klos.

 

Pra ndarja administrative nga koha në kohë ka ndryshuar bashkë me emërtimet dhe për  emërtimet në një farë mënyre është bërë përpjekje të jenë të natyrshme.

 

Vijmë te nocioni “Kryemat”. Nocioni Kryemat është i hershëm dhe ka funksionuar gjithnjë, pavarësisht nga ndarjet administrative të kohëve të ndryshme, ku më sipër ne cituam disa prej tyre.

 

Sipas kuptimeve territoriale dhe pak a shumë edhe sipas dallimeve etnografike, Mati ka patur 5 ndarje më kryesore, por kjo nuk do të thotë se ata kanë qenë të prera me kufij të përcaktuar. Zonat dhe minizonat bashkëvepronin me njëra tjetrën, për më tepër edhe administrimi kohë pas kohe ka ndryshuar, siç citova edhe më lart. Kështu shpesh janë cituar zonat:

 

Prelli, Përtej Ujët, Kryematja, Gurra e Batrra dhe Rranxa. Zona e Kryemates përfshinte të gjithë fshatrat e pellgut të Klosit dhe ato të hapësirës Guri i Bardhë-Xibër. Megjithatë, përveç këtyre, Stragju, në gjirin e tij përfshinte një ditë në javë të gjithë fshatrat e zonës së Gurrës, Suç-Kurdarisë, madje edhe të Martaneshit të cilët gjeografikisht i përkisnin Kryemates, ndonëse ishin zonë etnografike më vete që për nga veshja, gjuha dhe besimi fetar ndryshonin tërësisht nga ato të zonës Klos-Xibër Guri i Bardhë-Gurrë-Suç Kurdari. Bashkësia e fshatrave nga Guri i Bardhë deri në Suç kanë shumë zakone të përbashkëta dhe të gjithë i përkasin të njëjtit besim fetar që nga mësjeta. Natyrisht që çdo fshat apo grup fshatrash kanë veçoritë e veta. Psh Guri i Bardhë, ndonëse ka qenë dhe është i Kryemates, është ishull etnografik më vete. Gjithsesi, të gjithë fshatrat që aktualisht sot i përkasin Bashkisë Klos, kanë njohur si qendër ku grumbulloheshin çdo javë, Stragjun, pra qendrën e Kryemates, jo qendrën e Klosit. Klosi vetë është pjesë e Kryemates.

 

Nga fundi i shekullit të XVIII, në Dibër e në Mat, Perandoria Osmane stimuloi një farë qeverisjeje feudale vendase, duke ngritur në rangje të larta disa familje (oxhaqe), të cilat sundonin mbi familjet e tjera të fshatrave, duke krijuar disa bashkësi, që në Mat u quajtën “Semt”. Secili semt mori emrin e oxhakut me të cilin qe lidhur. Në Mat funksionuan katër semte: Semti i Zogollit, Semti i Çelës, Semti i Allamanit dhe Semti i Buzhiqit.

 

Semti i Zogollit shtrihej në fshatrat Prell, Dukagjin, Burgajet, Derjan, Lis, Macukull, Shëlli, Vinjall, Barbullej, Urakë, Laç, Shqefën, lagja Kolaj Burrel, mali i Katër Grykave, tre bajraqet e Ohrit (Rranxë, Kthellë, Selitë), bajraku i Lurës. Ky semt kishte gjithsej 1800 shtëpi.

 

Semti i Çelës me qendër në Patin, përfshinte fshatrat Patin, Gurë i Bardhë, Ketë, Xibër, Gurrë e Madhe, Gurrë e Vogël, Frankth, Batërr, Shulbatërr, Rripë, Dom e Suç. Gjithsej bëhej 1200 shtëpi, pra për nga madhësia ishte i dyti (pas atij të Zogollit).

 

Semti i Allamanit e kishte qendrën në Kurdari dhe përfshinte fshatrat Kurdari, Mallunxë, Fullqet e Xhere. Thuhet se ky semt ka patur rreth 600 shtëpi.

 

Semti i Buzhiqit me qendër në Klos përfshinte fshatrat Klos, Bejnë, Plani i Bardhë e Fshat. Semti i Buzhiqit kishte 600 shtëpi.

 

Semtet përfshinin disa flamurë, dmth disa grupe fshatrash që thirreshin  bajrakë e që mbanin flamur. Kështu organizoheshin për luftë në rast rreziku të jashtëm, kur të katër oxhaqet krijonin një njësi  ushtarake të përbashkuar. Flamuri (bajraku) u jepej komandantëve të taborreve, një luftëtari më trim që do ta mbante në ballë të luftës, ndonëse më vonë te shqiptarët kjo u shfaq si krenari dhe duhej trashëguar brez pas brezi si fis apo familje. Bajraktari njihej si familje me reputacion, që printe në luftë. Pranë flamurtarit rrinte vëllai, xhaxhai, apo një fis i tij, që në rast se vritej ta merrte menjëherë ai flamurin, duke qëndruar gati që të mos i humbiste familjes të qënit bajraktar. Në kuadrin e organizimeve për rezistencë ndaj pushtuesve të huaj qenë krijuar të ashtuquajturat “lidhje krahinore” apo “komisione të vetëmbrojtjes”. Deri nga vitet ’70 të shekullit XIX, besëlidhjet shqiptare nuk e tejkalonin rrezen ndërkrahinore. Zakonisht në to merrnin pjesë vetëm krahinat që kërcënoheshin drejtpërdrejt nga rreziku i huaj. Në kuadrin e këtyre organizimeve burrat e familjeve që përfshinte e gjithë zona që sot i përket Bashkisë Klos, bashkëorganizoheshin në pritat për të mos lejuar serbët të kalonin nga Qafa e Buallit për Mat. Ky bashkëorganizim e bëri shumë solide Kryematen dhe serbët kurrë nuk mundën ti kapërcejnë këto prita për të depërtuar në Mat. Në fshatrat nga Gurrat, Suç-Kurdaria e deri në Guri i Bardhë- Xibër, këto emërtime qenë të përbashkëta, si “fuqia popullore”, “nebetçinjtë” etj. Edhe sot janë të dukshme istikamet (vargjet grumbuj gurësh) nga mali Thanë mbi Klos deri në Mashnat e Rrecit  mbi Urën e Vashës nga perëndimi i saj. Edhe vetë emri “Plan i Bardhë” mbeti në sajë të planeve të bardha të mirëorganizuara e të suksesshme të mbarë popullsisë së këtyre fshatrave që i përmbledh sot kjo bashki. Kjo bën që solidideti i kësaj treve të përmblidhet me emërtimin “Kryemat”, ku e gjejnë veten edhe klosjanët, edhe kurdarasit, suçjanët, gurrasit, gurabardhësit e xibrakët. Pra Kryemati është një trevë gjithëpërfshirëse me rrënjë të hershme ku pasqyrohen vlerat e të gjithë trevës, ndërsa Klosi është pjesë e Kryemates. Kjo është krejt bindëse që Bashkia Klos të emërtohet “Bashkia KryeMat”. Nga pikëpamja gjeografike: rrjedha e sipërme nga burimi deri poshtë Suçit i përket Kryemates, nga Suçi deri në liqenet e Ulzës e Shkopetit është rrjedha e mesme që i përket zonës së Matit dhe në rrjedhën e poshtme vazhdohet me Bregun e Matës.

 

Së fundi, e gjithë treva e Matit është një trevë solide. Hapësira e madhe teritoriale që nis nga mali i Mucekut, në kufi me Shëngjergjin e Tiranës dhe përfundon në Kurbin, bën të nevojshme dy njësi teritoriale Mat dhe Kryemat. Emërtimi Mat dhe Kryemat edhe në konceptim dëshmon qartë se janë dy pjesë të një etnie të formësuar në shekuj. Kjo e bën edhe më të domosdoshme ndryshimin e emërtimit të Bashkisë Klos, duke e quajtur atë “Bashkia Kryemat”.

 

 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania