Svetlana Alexievitch: shkruaj historinë e shpirtrave



Nga : Michel Eltchaninoff

 

Përkthyer nga : Anila Xhekaliu

 

Në 2013, Svetlana Alexietvitch kurorëzohet me Çmimin Médicis-Essai për « Fundi i njeriut të kuq ». Në këtë rast, bëhet me të kjo intervistë nga Philosophie magazine, në 2014.

 

 

Svetlana Alexievitch: shkruaj historinë e shpirtrave

 

E nominuar rregullisht për çmimin Nobel të letërsisë, çmimi Medicis-Essai 2013, ajo u ka dhënë zë atyre që, qysh nga lufta e dytë botërore gjer tek Putini duke kaluar nga Çernobili, kanë qenë të vrraguar në mishin e tyre nga pushteti sovietik. E kemi takuar në shtëpinë e saj, në Bjellorusi, në kohën kur nostalgjia për regjimet autoritare nuk është përcjellë kurrë më së miri.

 

 

Është në Europë një vend i çuditshëm ku koha ka ngrirë

 

Në Minsk, kryeqyteti i Bjellorusisë, shëtitoret pothuaj të shkreta janë zbukuruar me reklamat zyrtare për plehrat kimikë apo mineralin kombetar. Në supermarketin « Oqeani », gjejmë të gjitha konservat e peshkut të kohës së monizmit. Dhe në “Dyqani i përgjithshëm shtetëror”, shishet e shampanjës shumë të sheqerosur që shoqëronte çdo banket në BRSS që i vijnë anës konjakut Armen dhe vodkës ruse – prodhime që e bëjnë më të fortë nostalgjinë që nuk e gjejnë më në raftet moskovite. Mbi sheshin e madh stalinian kushtuar Luftë së Dytë Botërore, disa shkronja gjigande bërtasin: “Trimëria e popullit është e përjetshme.” Pak më larg, afër Parlamentit të mbuluar nga bora, një kamion burgu u kujton kundërshtarëve hipotetikë që shteti është gjithmonë i gatshëm për t`i arrestuar. Duke u larguar nga qendra, arrij në një lagje më pak mbytëse, që zotëron një degë lumi. Duhet një çast i volitshëm për të gjetur hyrjen e mirë në vijën faranoike të ndërtesave ku do t`i bëj vizitë shkrimtares së njohur bjelloruse. Svetlana Alexievitch, që për pak nuk e mori çmimin Nobel në letërsi dhe që është kurorëzuar me Médicis-Essai 2013 për Fundi i njeriut të kuq, jeton aty për dekada, madje dhe pse i është dashur, nën trysninë e pushtetit, të mërgojë shumë herë. Më pret në një mëndafsh të ndezur dekorues të drurit të punuar. Edhe pse thotë se ndihet e mbrojtur, ajo më zbulon se nuk u zihet besë fqinjëve të burgosur, që hapin postën e saj dhe se komunikimet e saj përgjohen.

 

Në shtatë data

 

  • 1948 Lindja në Ukraine. Familja bartet shumë shpejt në Bjellorusi.
  • 1972 Studimet për gazetari në Universitetin e Minsk
  • 1983 Publikim në revistën Tetori i « Lufta nuk ka fytyrë gruaje », që bën jehonë të madhe në të gjithë BRSS.
  • 1990 Shfaqja e “Tabutët prej zinku” , e shoqëruar me një proçes gjygjësor.
  • 2000 Ikja, nën trysninë e pushtetit, nga Bjellorusia në shumë vende europiane.
  • 2013 Çmimi Médicis-Essai për « Fundi i njeriut të kuq »
  • 2014 Publikim, 14 mars 2014, në Le Monde, i një artikulli kritik mbi aneksimin e Krimesë nga Putini dhe histerinë nacionaliste që zotëron në Rusi. (« Putini dhe instiktet e ulëta. »)
  • 2015 Çmimi Nobel në letërsi.

 

Kam ardhur deri këtu për të tentuar të shpoj misterin që ngulmon të përshkruajë Svetlana Alexievitch në romanet e saj që të lënë pa mend « romane zërash », simfoni që përziejnë dëshmitë më të tmerrshme dhe më intimet mbi tragjeditë e shekullit sovietik : dënime staliniane, Lufta e Dytë botërore, lufta e Afganistanit, katastrofa e Çernobilit, konfliktet e përgjakshme postsovietike… Si shpjegohet që, pavarësisht vuajtjeve të padëgjuara, një nostalgji e tillë për komunizmin zotëron ende ? Si vihen tjegullat, në historinë reale, e mira dhe e keqja ? Ndërsa Ukraina fqinje është në luftë, do t`i kthehemi gjatë, rreth një çaji dhe bonbonesh bjelloruse, tek kjo e shkuar që mbetet horizonti ynë.

 

 

Cilat janë mbresat e tua më të forta nga fëmijëria ?

 

Ne jetonim në fshatin ku babai im ishte drejtor shkolle dhe nëna mësuese filloreje dhe përgjegjëse biblioteke. Ata e kalonin kohën në punë dhe unë nuk i shihja për të mos thënë fare. Ajo që më ka shpalosur një botë të tërë është gjyshja ime. Çdo vere, ne shkonim për ta parë në Ukrainë. Bjellorusia është vend moçalesh. Bën gri. Atmosfera është më tepër e zymtë. Ndërsa në Ukrainë, ka lule gjithkund. Varfëria mbretëron, por shtëpitë janë shumë të bukura dhe natyra kundërmon. Sobat janë ngrohur me kashtë dhe shpërhapin një aromë të jashtëzakonshme. E gatuajnë bukën vetë… Megjithatë, në zemër të kësaj natyre të harbuar, kryqëzohesh me invalidë lufte, sakatë pa këmbë duke u zvargur mbi dërrasa me rrota të vogla të sajuara. Tregjeve, kërkojnë lëmoshë. Në trena, mblidhen për të kënduar këngët e frontit. Është një tabllo e çuditshme. Dhe në këtë sfond, fshatarët flisnin, më së miri. Gjyshja më tregonte si gjyshi e kishte rrëmbyer për t`u martuar me të. Por ajo më përshkruante gjithashtu Holodomorin, këtë zinë e bukës të urdhëruar nga Stalini në 1933 që ka shfarosur miliona njerëz. Gjyshja e kishte jetuar dhe më tregonte gjëra të tmerrshme. Po kalonim para një shtëpie fqinje. Një grua e moshuar krejt e thjeshtë po dilte që aty. Atëherë gjyshja ia fillonte, në mënyrë instiktive, të pëshpëriste. E pyesnim pse : sepse ajo kishte ngrënë fëmijët e vet gjatë zizë së bukës, i shkonte në fund pohimit.

 

 

Në Bjellorusi, toka që ka vuajtur jashtëzakonisht shumë gjatë Luftës së Dytë botërore, flitej për të gjithashtu ?

 

Oh po ! por më tepër në fshat se në qytet, ku ishim më të kujdesshëm. Kur kishte ndonjë pagëzim apo dasëm, më të vjetrit ia nisnin të tregonin luftën. Meqë kishin ngelur pak njerëz, nuk flitej aspak për frontin. Gratë kujtonin sidomos luftën e partizanëve kundër nazistëve. Megjithatë kjo luftë ishte përtej masës gjakatare. Partizanët sovietikë ishin njerëz të uritur dhe të drobitur që fshiheshin pyjeve. Papritur zbarkonin në një fshat dhe merrnin lopën e fundit fshatarit. Ishin rrëfime shumë të rënda e shumë të forta. Nuk i kam harruar kurrë. Imagjinoni : të rriturit janë mbledhur në tavolinë. Ne, fëmijët, vrapojnë rrotull tyre. Ngandonjëherë, na gjuajnë dhe na thonë të dalim jashtë. Por përpiqesha gjithmonë të dëgjoja… Si kjo gruaja fshihej në moçalishte, me fëmijët e saj, për t`u shpëtuar nazistëve. Nuk mund t`i ushqente të gjithë. Rrezikonin ta diktonin. I është dashur të mbysë dy prej tyre.

 

 

Çfarë ju mbetet nga këto kujtime ?

 

Njëfarë mosbesimi përballë fjalë së shtypur. Çfarë tregonin tinëz këta njerëz ishte shumë e frikshme se ato që lexonim në libra e artikuj, të gjithë të mbushur me fitoren e « tanëve » mbi « të tjerët ». Lufta në letërsi ishte shumë e bukur. Gjithçka aty kishte një kuptim : duhet përzënë armikun. Por ajo që fshatarët risillnin në kujtesë ishte krejtësisht e zhveshur nga kuptimi. Ata përshkruanin mizorinë njerëzore, për shembull, mënyrën në të cilën një grup partizanësh zbret në fshat dhe vret krejt familjen e një polici [pjesë e një ushtrie plotësuese të SS], përfshi fëmijët dhe gjyshërit duke u djegur fermën. Për më tepër, asokohe kishte tema tabu : shtypi sovietik dhe librat nuk e tregonin kurrë mënyrën si ishin sjellë gjermanët me çifutët. Megjithatë krejt një pjesë e kulturës bjelloruse, kultura çifute, ka qenë fshirë gjatë luftës, dhe kjo është humbje shumë e madhe. Fshataret, ato, tregonin. Në fshatra, mund të kishte dy rrobaqepës, një këpucar, artizanë dhe tregtarë çifutë të të gjitha llojeve. Brenda një nate ishin mbledhur të gjithë dhe nuk i kishin parë më. Kishte rrëfime të tmerrshme për ta.

 

 

Këto rrëfime ju kanë penguar për të besuar te komunizmi ?

 

Jo në të vërtetë. Nuk kam lindur disidente. Si të gjithë shkollarët sovietikë, lexoja letërsi të autorizuar, që përfshinte sa më s`thuhet tregime lufte me një tonalitet shumë më fitimtar dhe heroik. Isha nën një trysni dyfishe ideologjike nga shkolla dhe nga prindërit. Nuk ishte e sheshit të mos besoje te komunizmi në këto kushte. U përkisja pa problem Rinive komuniste. Por u bëja gjithashtu pyetje të pahijshme mësuesve të mi. Për të më ndëshkuar, më kanë ndaluar madje të përfitoj një çmim që e kisha marrë dhe që do më kishte bërë të vizitoja të gjitha « vendet e Leninit » në Europë. Nuk isha një kundërshtare, por mendoja ndryshe. Kur jam futur në universitet, në fakultetin e gazetarisë, kam treguar kujdes më shumë për filozofinë. Jam përpjekur të lexoj Marksin, por nuk më ka pëlqyer dhe e kam lënë. Parapëlqeja Gramsci, që paraqiste variantin italian të socializmit. Dhe falë studentëve të « vendeve vëllezër », kam mundur të lexoj veprat e Freud dhe Nietzsche. Vetëm më vonë, kur kam filluar të udhëtoj në vende të huaja, që kam filluar të marr me vete libra, dhe kryesisht letërsi për kampet staliniste. Por në vitet 70 nuk dija ende asgjë për të gjitha këto. Isha një provinciale dhe nuk shkoja asnjëherë në Moskë!

 

 

Si ka lindur libri juaj i parë , « Lufta nuk ka fytyrë gruaje » ?

 

Në fund të studimeve të mia, zgjodha të shkoj të punoj në një gazetë rurale. U jam futur diskutimeve me njerëzit e vjetër. Në të njejtën kohë, kam lexuar veprat e shkrimtarit bjellorus Ales Adamovitch. Ai dhe miqtë e tij ndërmerrnin fushata në kërkim të të mbijetuarve të fshatrave të djegur nga nazistët gjatë luftës dhe i regjistronin. Duke dëgjuar këto zëra me dhjetëra, kam ndjerë menjëherë se ç`formë letrare duhej, të përshtasja. Kam filluar, unë gjithashtu, të mbledh dëshmi, shtatë vjet rrjesht. Kam zgjedhur temën e rrëfimeve femërore të luftës, ngaqë ishin zëra grash, si ai i gjyshes time, që më mbeteshin në kujtesë.

 

 

Ju ju vjen shumë keq që kemi mbetur të burgosur të imazheve maskuline të luftës…

 

Çka më ka goditur më shumë, është se këto gra kishin mëshirë për gjermanët. Në shkollë na mësonin të mos kemi mëshirë për armiqtë. Por lufta për këto gra, nuk ishte përfshirë në ligjet e shkruara nga burrat. Gratë më flisnin po aq për pemët e dëmtuara, dhe zogjtë e vrarë gjatë një batareje pushkësh sa për viktimat njerëzore. Në letërsinë e luftës, gruaja ekziston për të zbukuruar bëmat e burrave. Duke udhëtuar përmes vendit dhe duke dëgjuar gratë e vjetra, kam zbuluar krejt tjetër gjë. Kisha një parapëlqim për gratë e thjeshta. Njerëzit e edukuar përdorin një repertor shumë të kufizuar termash, konceptimesh të botës, të nxjerra nga librat dhe gazetat. Tek njerëzit e thjeshtë, dija dhe urtia lindin përkundrazi nga vuajtja, nga përpjekjet vetjake, apo talenti. Më vonë, kam vërejtur të njejtën gjë pas katastrofës së Çernobilit. Dijetarët, intelektualët, funksionarët ishin krejtësisht të humbur dhe nuk dinin çfarë të mendonin. Ndërsa, tek njerëzit e zakonshëm, të pakultivuar, kam vënë re një qetësi të madhe dhe urti të madhe.

 

 

Si është pritur libri ?

 

Varianti i parë u shfaq në revistën moskovite Tetori, në 1983. Disa pjesë u censuruan. Por autocensura, e imja dhe ajo bashkëbiseduesve, ishte më keq se censura. Vepra pati një jehonë të madhe. U shitën dy milionë kopje. Libri ka takuar kohën e saj, në prag të « transparencës » kaluese nga Gorbatçovi, që do t`i jepte fund BRSS. Kërkonim të vërtetën mbi një periudhë dhe fillonim të dyshonim se njeriu nuk ishte aq i thjeshtë sa na e thoshte propaganda. Parimi im është të kërkoj për të kuptuar jetën njerëzore. Denoncimi i gënjeshtrës së sistemit sovietik dhe putinizmit mbetet i dorës së dytë. Gjërat nuk më interesojnë kur ato vendosen në planin ideologjik, që mbetet për mua sipërfaqësor. Por përfundimi është se këta libra shkatërrojnë megjithatë mitet, sovietike apo postsovietike.

 

 

Si keni mundur ta publikoni « Tabutët prej zinku », një libër ende më i pamëshirshëm se lufta e Afganistanit [1979-1989] ?

 

Nuk kisha dëshirë të shkruaja një libër të dytë për luftën. Kjo temë më kishte lodhur. Por kam shkuar për të parë prindërit e mi në fshat. Sapo kishin sjellë një ushtar që andej. Ishte çmendur. Mënyra e tij e të folurit, e të bërtiturit,më ka ngacmuar shumë. Atëherë, kam vendosur pavarësisht për të shkruar një libër. Fillova të mbledh dëshmitë. Ndryshimi, është se kam mundur të shkoj në Afganistan. Nuk ka qenë e lehtë për ta marrë autorizimin. Përfundova duke kaluar tri javë atje në fund të viteve 1980. Lufta më është zbuluar ende më e frikshme se rrëfimet. Gjithçka më dukej e ngatërruar : heroizmi i këtyre djemve – por në emër të çfarë ? -, gjithë këto vdekje të tmerrshme, dehje errësirash… Nuk po flas për torturat mbi rekrutët e rinj… Megjithatë, këta djem ishin larg të qenit kafshëror. Shumë prej tyre ishin fëmijë mësuesish apo mjekësh fshati, fëmijë të intelegjencës fshatare që prindërit u ishin nginjur me slogane sovietike. Kam njohur familjen time tek ta. Njerëzit që vinin nga zonat e fshatit ishin naivë. Mendonin se do merrnin pjesë në një luftë të bukur në emër të idealeve të larta. Por i kanë gënjyer dhe tradhtuar qysh në fillim. Dhe i kanë bërë vrasës. E merrni me mend shthurjen e tyre pas gjithë këtyre ! Në atë kohë që kam humbur përfundimisht besimin tek socializmi. Ky përshkrim, shumë i largët nga figura e Idealizuar e ushtarit sovietik, më ka kushtuar një proçes gjygjësor në kohën e publikimit të librit. Por ishim në fillim të viteve 1990, ishte e pamundur tashmë për ta ndaluar.

 

 

E kishit tashmë idenë, për të shkruar, nga libri në libër, një afresk të gjerë të shekullit sovietik ?

 

Jo menjëherë. Vetëm kur ka ndodhur katastrofa e Çernobilit, në 1986, që ka prekur Bjellorusinë më shumë se Ukrainën, që kam patur një ide. Në rastin e kësaj katastrofe bërthamore, kam patur ndjesinë që vetë ngrehina sovietike ishte duke u plasaritur dhe se duhej shkuar në fund historia e kësaj utopie. “Lutja “ është pa dyshim libri im më i rëndësishëm. Më ka kërkuar përpjekje të papara. Ishte më i ndërlikuar, ngaqë e kam patur të vështirë ta ngërthej temën madje : si ta quanim atë që kishte ndodhur atje ? Atëherë kam ndjekur metodën time, kam mbledhur dëshmitë gjatë viteve të mëparshme. Mandej kam parë të vizatohen rrjeshta force. Një filozofi e bashkësisë ka dalë në sipërfaqe, dhe kam kuptuar çfarë doja të thoja. Me Çernobilin jemi futur në një botë të pathëne. Kemi kuptuar se progresi teknik paraqet, një rrugë vetëvrasjeje. Flitej për një luftë të tipit të ri, në të cilën njeriu nuk lufton vetëm veten e tij, por jetën e gjallë në përgjithësi : bimët dhe kafshët, tokën dhe qiellin. Në zonën rrezatuese mblidhnim harabelët e ngordhur me lopatë. Nuk i digjnim më gjethet e thara, të rrezatuara, por i groposnim. Nga ana tjetër, nuk e dinim madje nga se duhej patur frikë. Dhe vdekja ishte e dallueshme, e heshtur. Natyra nuk i ngjante asgjëje të njohur. Ditën e aksidentit, kam parë një re të madhe të zezë. Në ditët në vazhdim, hurdhat kanë marrë ngjyra të papërfytyrueshme. Bëheshin të zeza, të verdha, jeshile, fluoreshente. Në zonën e rrezatuar bredhat dhe pishat janë kthyer në të kuq, mandej në të kuqërremtë. Në qiell kishte një lloj drite, një rrezatim. Kryesisht, askush nuk ishte përgatitur për këtë. Ishim rritur me idenë sipas te cilës atomi paqësor sovietik ishte i padëmshëm. Kështu, për të luftuar, përdornim metodat që dinim: dërgonim ushtarë të armatosur me pushkë. Kjo ishte absurde!

 

 

Vepra juaj e fundit, Fundi i njeriut të kuq”, është fundi i ciklit. Ngjall nostalgjinë shumë të fuqishme për Bashkimin Sovietik, 25 vite pas zhdukjes. Minsk, me stilin e saj shumë sovietik, është një shembull i mirë…

 

Vepra anon nga ringjallja sovietike që kalojnë aktualisht Rusia e Putinit dhe shumë vende të tjera ish sovietike. Bjellorusia është rast lehtësisht i ndryshëm: nuk jemi kthyer tek komunizmi ngaqë nuk kemi dalë kurrë prej tij! Shumë shpejt pas rënies së BRSS, presidentja Lukashenko ka ndalur kohën. Dhe, kur e panë se, në vendet e tjera ish sovietike, reformat sillnin pasiguri dhe nuk jepnin asnjë rezultat të menjëhershëm, njerëzit mbetën në sovietizëm me dëshirë. Bjellorusët kanë frikë nga ndryshimet. Fundja, rënia e BRSS ka qenë për pjesën më të madhe të njerëzve një tragjedi. Babai im, për shembull, e humbi fare kur ndodhi. Besonte sinqerisht te komunizmi. Mendonte se vetëm duhej pastruar pak kjo ngrehinë, por jo për ta rrëzuar. Dhe nuk flitej për një njeri të korruptuar, por për një qenie të drejtë dhe të sinqertë. Dëshmitë në fund të” Fundi i njeriut të kuq” janë të shumta në këtë drejtim. Shumicës i vjen keq për kultin e sakrificës që karakterizonte shoqërinë. Paraja ishte e përbuzur. Altruizmi ishte vlerë. Më e keqja, është se jo vetëm të vjetrit donin të ktheheshin prapa, por gjithashtu fëmijët e tyre. Mes të rinjve të sotëm, ka shumë komunistë. Nuk besoj se mund të çlirohen kaq lehtë nga komunizmi.

 

 

Disidenti i vjetër polak Adam Mishnik, kur e pyesnin se çfarë kishte më të keqe në komunizëm, përgjigjej: “ajo që ndodh më pas”…

 

Kjo është një fjali shumë e vetëdijshme. Pas komunizmit mbeti vetëm njeriu krejtësisht i humbur, që nuk di si të jetojë. Liderët që kanë udhëhequr Rusinë pas fundit të BRSS kanë plaçkitur vendin dhe e kanë bërë popullin të çmendur nga tërbimi. Si pasojë, termat « liberal » dhe « demokrat » janë bërë fjalë të trasha. Njerëzit atëherë vendosën të rifillojnë përvojën. Historia është tragjike, këtu : çdo tridhjetë a dyzet vite, ndodh diçka e tmerrshme. Por njerëzit janë mësuar të jetojnë kështu. Nuk kanë jetuar kurrë ndryshe. Nuk kanë qenë kurrë të lirë. E dinë që në çdo çast, mund t`ua rimarrësh gjithçka. Burimet e kësaj ndjenje janë më të thella se komunizmi, përveç kësaj. Shkon madje së paku te Ivani i Tmershëm. Në këtë territor aziatik, kultura e krishterë e sakrificës ka qenë plotësuar me kultin komunist të vdekjes. Sa i përket Bjellorusisë, çfarë ka ndodhur aty është vërtetë e pabesueshme. Në dhjetor të 2010, disa njerëz kanë dalë të manifestojnë për të protestuar kundër rikandidimit të njëmijtë të Lukashenkos. Policia ka futur gjashtëqind e tridhjetë e nëntë njerëz në burg. Eh mirë, pjesa më e madhe e shoqërisë bënte sikur nuk kishte ngjarë asgjë. Njerëzit janë më shumë të interesuar për mënyrat si për të gjetur një punë, për të fituar para, dhe janë gati të mbyllin sytë për krejt pjesën e mbetur. Ekziston në fakt një kontratë e vetëkuptueshme me tiranin: ke një punë, mund të udhëtosh në hapësirën Shengen, si këmbim, rri urtë. Kështu, pas komunizmit, njerëzit nuk ishin më të aftë për t`u përgjigjur për veten. Njerëzit kurajozë janë shumë të pakët këtu. Nuk mund pra të flasësh në të vërtetë as për terrorin, por për një frikë të vazhdueshme. Sa i përket Lukashenkos, ajo është e qetë për momentin, ngaqë mendon ta ketë nën kontroll gjendjen në vend. Por nëse kurrë nuk e ndjen se po humb kontrollin, atëherë asgjë nuk do ta ndalë për të qenë në pushtet. Do të mbyllë vendin dhe do ta kthejë si Korenë e Veriut. Nëse njëqind mijë njerëz do të mblidhen, s`do ta ketë për pesë të derdhë gjak.

 

 

Çfarë të vërtete doni të arrini me mënyrën tuaj të shkrimit, kaq të veçantë ?

 

Nuk kërkoj të prodhoj një dokument por të skulpturoj imazhin e një epoke. Ndaj vë shtatë apo dhjetë vite për hartuar çdo libër. Regjistroj me qindra njerëz. Kthehem për ta takuar të njejtin njeri shumë herë. Duhet si fillim, në fakt, ta çliroj nga rëndomtësia që ai ka brenda tij. Në fillim, kemi të gjithë tendencën për të përsëritur çfarë kemi lexuar në gazeta apo libra. Por pak nga pak, vemi drejt thellësisë së vetëvetes dhe shqiptojmë fjali të nxjerra nga përvoja jonë e gjallë dhe e veçantë. Përfundimisht, nga pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë faqe, shpesh nuk ruaj më shumë se një gjysëm faqeje, pesë apo më shumë. Sigurisht, pastroj pak çfarë më thonë, heq përsëritjet. Por nuk stilizoj dhe përpiqem të ruaj gjuhën që përdorin njerëzit. Dhe kam përshtypjen se ata flasin mirë, këtë që përgjoj çastin kur ata janë në gjendje të tronditur, kur kujtojnë vdekjen apo dashurinë. Atëherë mendimi i tyre nxitet, janë plotësisht të mobilizuar. Dhe rezultati është shpesh i mrekullueshëm. Të mos harrojmë se arti i fjalës është traditë ruse. Italianët kanë të parën pikturën, gjermanët muzikën e madhe. Rusët, ata, kanë zhvilluar një kulturë logocentrike, që lartëson fjalën. Nuk jam pra gazetare. Nuk mbetem në nivelin e informacionit, por zbuloj jetën e njerëzve, çfarë ata kanë kuptuar nga ekzistenca. Nuk bëj aspak fare punën e historianes, ngaqë gjithçka fillon për mua në vendin madje ku mbaron puna e historianit: çfarë ndodh në kokën e njerëzve pas betejës së Stalingradit apo pas shpërthimit të Çernobilit? Nuk shkruaj historinë e fakteve por atë të shpirtrave.

 

 

Në fund, çfarë pyetjesh ju mundojnë ?

 

Ato që torturonin tashmë Dostojevskin. Përse ne jemi të gatshëm për ta sakrifikuar lirinë tonë ? Si dëshira për të bërë mirë mund të dalë mbi të keqen më apsolute ? Si ta shpjegojmë zgjyrën e shpirtit njerëzor ? Kur isha e re, kam lexuar ditarët intimë të aktorëve të mëdhenj të revolucionit rus. Kisha dëshirë të dija kush ishin këta njerëz, për shembull Dzerjinski, shefi i ardhshëm i policisë politike. Eh mirë, ishte një njeri shumë me dritë, që ëndërronte për rilindjen e qenies njerëzore. Cili është misteri që këta njerëz idealistë janë shndërruar në liderë gjakpirës ? Kjo ishte ajo që doja të kuptoja. Ndaj dhe kam vendosur këtë fjali të Fiodor Stepun si mbishkrim të « Fundi i njeriut të kuq » : « Nuk duhet të harrojmë se ata që janë përgjegjës për triumfin e të keqes në botë, nuk janë ekzekutuesit e saj të verbër, por shpirtra largpamës që përdorin të mirën. » Është traumatizmi im fëmijëror, dhe kjo mbetet pyetja ime më e madhe.

 

Intervistë e dhënë Philosophie magazine në 2014, aktualizuar më 8 tetor 2015

 

Përktheu :Anila Xhekaliu

 

https://www.facebook.com/notes/anila-xhekaliu/svetlana-alexievitch-shkruaj-historin%C3%AB-e-shpirtrave/953212191387668?pnref=lhc&__mref=message