-----
…
-----
Kur unë kam lindur,
Artistët e shanin keqas perëndimin,
Në asht të qiellit kumbimi i zërit të tyre,
Dhe germat prej plumbi ishin asokohe.
Qesh,
Sot po ata shajne kohën e tyre dhe betohen për të kundërtën.
Dhe nekrologjia, perëndim i grisur varet horizontit
Muzgu re përflakur nga diej të shuar dhe të ringjallur.
Hepon në to një rreze të dobët…..
-----------
RETRO
-----------
vjen çasti kur kujtesa i ngjan heshtjes
vizatohet gjithkund e pashqisa
ndijimet një kupolë e qielltë
trupakullt zhvendosen të padukshme
marrin trajtat e hijeve
të stërgjata të shkurtra
struken në këmbët e objekteve të mëdha
frikur më në fund se do t`i rrëmbejnë me forcë
do t`u ngjisin një numër të gjatë në krah
dhe në një dosje të vjetër do t`i kyçin në rafte të mëdha
mes mërmërimave të fjalëve padive të helmëta
degdisur mbase në heshtjen e përtejme të dryneve të ndryshkur.
Kujtesa ngjan me rrugën që ka marrë njëqind emra të rinj
për të mos iu gjetur ai i pari i pagëzimit.
Vjen çasti kur gjithçka bëhet fir
E s`ka mbetur tjetër veç një këlthitje e fortë
kujtese të shkurtër
harrimin ta presë në mes.
--------------------------
KOHEZINXHIRTË
--------------------------
Përshkënditë mureve të gurta
dritë-errësirë.
Prometeu
lidhur në shkëmb
dhimbjet e tij ende pa shterur
ende pa e zgjuar
kthimin tek vetja.
Në gur flatrimi i shpendit kaukaz.
Zemrën e mitit
mbartin krahët
që veç tek vetja gjejnë thesarin.
Gosti të fildishta
lumturi të pakuptimta
muzg në të ikur
kohëzinxhirtë.
© Anila Xhekaliu
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania