Olimpiada e parё shqiptare e matematikёs organizuar në Mat (1970)


Olimpiada e parё e matematikёs, Burrel, 24 prill 1970  Grupi i nxënёsve fitues, nё qendёr Albert Frashёri
Olimpiada e parё e matematikёs, Burrel, 24 prill 1970 Grupi i nxënёsve fitues, nё qendёr Albert Frashёri

Nga Prof. Dr. Albert Frashёri

 

Pas vitit 1967, me eliminimin e dhunshёm tё fesё nga bota shqiptare, shkolla u ideologjizua nё pёrmasa absurde. Regjimi e intensifikoi fushatёn kundёr  ndikimeve tё huaja nё pёrmbajtjen dhe jetёn e shkollёs. Pikёrisht nё kёtё drejtim flitej pёr tё ashtuquajturёn shkollё elitare, qe nuk kujdeste interesat e nxënёsve, por i kushtohej veçanёrisht elitёs sё shoqërisё. Ky rrezik, sipas propagandёs, vinte nga bota perёndimore. Ideja e vetme udhёrrёfyese e sistemit arsimor ishte krijimi i njeriut tё klonuar sipas kanuneve tё ideologjisё partiake. Kjo sillte uniformizimin total tё jetёs nё tё gjitha pamjet e saj: rrafshimi i identiteteve njerёzore dhe minimizimi i origjinalitetit tё qytetarit, pra varfёrim kulturor e dobёsim i aftёsive krijuese tё njeriut.

 

E vetmja veprimtari qё mund tё bёhej pa frikё ishte t’i mbahej iso partisё nё çdo hap e paudhёsi tё saj.

 

Nё gusht ’67 unё u emërova nё Mat ku punova deri nё gusht 1972 si mёsues i matematikёs nё gjimnazin “Pjetёr Budi” tё Burrelit. Pra fati mё krijoi mundёsinё, tё punoj nё krahinёn e shquar tё patriotizmit dhe diturisё matjane, pikёrisht aty ku me parabolёn e Gjergj Kastriotit e me humanizmnin e Budit zen fill thelbi i shqiptarizmёs. Nё Mat gjeta nxënёs fjalёpak e tё talentuar. Mendova tё organizoj olimpiadёn e matematikёs me shkollat e mesme e tetёvjeçare. U aktivizuan katёr shkolla tetёvjeçare tё krahinёs matjane dhe gjimnazi “Pjetёr Budi”. Nuk kishim asnjë eksperiencё tё tillё nё vendin tonё dhe vetёm pak literaturё tё specializuar. Mёsuesit Lutfi Bajrami i qytetit tё Burrelit dhe Qazim Karaj i shkollёs nё Gur tё Bardhё u kujdesёn pёr seksionin e shkollёs tetёvjeçare, ndёrsa unё organizova punёn me nxënёsit e gjimnazit nё dy seksione. Kёshtu arritёm nё pragun e prillit tё viti 1970.

 

 

Serioziteti dhe pasioni i nxanёsve pjesёmarrёs ishte i veçantё. Nё pragun e garave tё olimpiadёs u gjetёm para njё vёshtirёsie tё paparashikuar. Zv/drejtori i gjimnazit, njeri i qetё dhe shumё i matur, na shpjegoi rrezikun që kjo veprimtari me nxënёsit e talentuar mund tё interpretohej si tipar i njё shkolle elitare e tё binte ndesh me idetё e partisё. Adem Kuka, drejtor i shtëpisë sё mёsuesit tё krahinёs, mundi tё bindё drejtuesit e arsimit pёr tё vazhduar me garat e olimpiadёs. Nё seksionin e shkollёs tetёvjeçare morёn pjesё nxanёsit e qytetit Burrel, Ulёz dhe Gur i Bardhё, mes tё cilёve Hasan Lasku, Sabri Hoxha, etj. Nga nxënёsit e gjimnazit “P. Budi” kujtoj mjaft talente si Aqif Ymeri, Fatmir Kola, Xhevahire Abazi, Hasan Cani, Frederik Kondo, Jarosllav Alla, Granit Dervishi, Ibrahim Sala, Petrit Ramohito, Nevruz Leti, Rexhep Elezi, etj. Ky ishte edhe grupi i fituesve të garave që u zhvilluan tё martёn 21 prill 1970 pёr tё gjitha seksionet. Tё premten, 24 prill u zhvillua ceremonia e dhёnies sё çmimeve, gjatё tё cilёs nxënёsit paraqitёn disa punime tё tyre mbi varёsinё funksionale dhe teorinё e numrave natyrore.

 

Kjo e vitit 1970 ishte e para olimpiadё e matematikёs nё vendin tonё, pёr shkollat tetёçjeçare e tё mesme. Disa nga nxënёsit fitues nuk patёn mundёsinё e njё tё drejte studimi pёr shkak tё politikave diskriminuese tё regjimit kundёr familjeve shqiptare. Ata nxënёs e pёrballuan me dinjitet atё vёshtirёsi dhe nё njё farё kuptimi e ndёrtuan jetёn sipas botёkuptimit tё tyre e nё sajë tё aftёsive individuale.

 

Vitin pasardhёs, organizimi i olimpiadёs, u bё i pamundur. Vitet ’70 shёnuan periudhёn ma tё errёt tё politikave tё regjimit kundёr kulturёs nё pёrgjithёsi e shkollёs si vatёr kryesore e saj. Olimpiada dhe kujdesi per talentet shiheshin si shfaqje tё huaja nё jetёn e shkollёs e tё papajtueshme me njё rend shoqёror qё nuk e njihte meritёn si faktor tё zhvillimit individual e kolektiv tё shoqërisё.

 

Nё dimrin e vitit 1971, ende mёsues nё Mat, dhashё njё provim pasuniversitar mbi teorinё e numrave me profesorin Agim Karçanaj. I fola pёr aventurёn e olimpiadёs matjane tё pranverёs ’70. Donte tё dinte mё shumё dhe mё pyeti nёse nxënёsit ishin tё interesuar. U habit kur i tregova pёr angazhimin e plotё dhe entuziazmin e tyre. Gjatё viteve ’70 profesor Karçanaj nuk mundi tё realizojё  olimpiadat e matematikёs nё vend, thjesht pёr shkak tё kufizimeve dhe çensurimit tё natyrёs ideologjike. Nё prag tё viteve ’80 ne Ministrinё e arsimit ishte inspektor i arsimit tё mesёm Kushtrim Pipa, njeri shumё i pavarur dhe me karakter tё fortё. Pёr fat tё mirё ai vinte nga njё familje e afёrt me partinё, pra mundi tё krijojё rrethanat e nevojёshme pёr pranimin e idesё sё zhvillimit tё olimpiadave tё matematikёs pёr shkollat e mesme.

Olimpiada IX Kombёtare e matematikёs, Sarandё, maj 1988.  Komisioni drejtues, i treti nga e majta prof. Agim Karçanaj.
Olimpiada IX Kombёtare e matematikёs, Sarandё, maj 1988. Komisioni drejtues, i treti nga e majta prof. Agim Karçanaj.

Akulli u thye dhe nё vitin 1980 u zhvillua e para olimpiadё kombёtare e matematikёs. Unё mora pjesё nё tё gjitha olimpiadat kombёtare pёrfshirё vitin 1990, pas tё cilit u largova nga Shqipёria. Profesor A. Karçanaj ishte udhёheqesi shkencor i olimpiadave tё matematikёs tё shkollave tё mesme, nё krye tё njё grupi specialistёsh, kryesisht tё katedrёs sё matematikёs, mes tё cilёve dua tё kujtoj Kushtrim Pipa, Mishel Fundo, Maksim Gumeni, Albert Frashёri, Andrea Kotro, Burbuqe Pepo. Mendoj qё rolit tё madh tё profesor Karçanajit meriton t’i kushtohet njё çmim special i olimpiadave kombёtare tё matematikёs nё Shqipёri. Vetёm pas 1980 pati njё vёrshim tё punёs sё diferencuar me nxënёsit nё lёndët shkencore nё mbarё vendin.

 

Olimpiada e parё kombёtare e matematikёs pёr shkollat tetёvjeçare u zhvillua nё Durrёs duke filluar nga e hёna, 11 maj 1987. Drejtori i arsimit tetёvjeçar tё ministrisё, Budion Spiro, kёrkoi nga specialistёt Albert Frashёri, Neritan Babamusta e Agim Vardari tё pёrcaktonin pёrmbajtjen dhe tё drejtonin  zhvillimin e saj. Nё vitin 1990 A. Frashёri dhe N. Babamusta botuan librin “Edhe pak matematikё pёr ju” pёr tё ndihmuar thellimin e pёrgatitjes matematike tё nxënёsve, nё kuadrin e olimpiadave lokale dhe kombёtare. Kudo nё shkollat e vendit organizohej njё punё intensive e thelluar me talentet. Rritja e nivelit tё pёrgatitjes nё lёndёt shkencore pёr nxënёsit e talentuar ka ndikuar edhe nivelin e pёrgjithshёm tё shkollёs nё disa komponente tё saj.  

 

Nuk mund tё mos theksoj qё nxënёsit matjanё nё olimpiadat kombёtare dhe botёrore nё matematikё e nё shkenca kanё patur rezultate tё shkёlqyera. Ndёr ta dua tё kujtoj nxanёsit Andi Reçi dhe Ingrid Llaveshi me çmime tё para, tё dyta dhe medalje speciale.

 

Duke sjellё ndёr mend agimin e olimpiadave tё matematikёs dhe gjёndjen e shkollёs sot, nuk mund tё mos reflektoj e tё shpreh disa mendime.

 

Nё kohёn tonё opinioni shoqёror nё njё masё tё konsiderueshme formohet dhe kontrollohet nga mediat dhe nga ndikimi shpesh herё mediokёr i figurave tё sajuara, sikundёr  janё tё ashtuquajturat vipa, pёrfshirё jetёn e tyre seksuale. Nё kёtё kuptim nё tё gjitha shoqёritё e sotme klasa politike dhe fuqitё e errёta tё shoqёrisё pёrgjithёsisht nuk janё tё interesuara pёr formimin e mirёfilltё shkencor e kulturor tё qytetarit. E kanё theksuar kohё mё parё korifejt e mendimit tё pavarur Albert Einstein e Bertrand Russell.

 

Shoqёria nё udhёn e demokratizimit ka nevojё  pёr qytetarё me individualitet tё formuar qartё e jo klone tё stampuara sipas njё modeli tё imponuar. Pёrmasa kulturore dhe origjinaliteti  sigurohen nё pёrputhje me cilёsitё individuale, prirjet dhe talentet e tij. Njeriu i klonuar, i uniformizuar do tё ishte ai i regjimeve totalitare me nje ideologji tё imponuar pёrmes  dhunёs, pra aspak e pajtueshme me idenё e nje rendi demokratik.

 

Formimi i qytetarёve tё lirё e tё padoktrinuar, ndёr tё tjera, ka nevojё qё nё shkollё edukimi tё ndjekё proçesin e zbulimit tё sё Bukurёs, qё nё thelb  konkretizohet me kёrkimin e tё Vёrtetёs; tё asaj qё mё shumё tёrheq kureshtjen e njeriut nё jetё dhe nё proçesin mёsimor. Kjo nuk ka pёr tё gjithё tё njёjtin kuptim, formё a pёrmbajtje. Janё sporti, arti, shkencat, letёrsia rrugёt qё konkretizojnё atё ideal. Secili e gjen tё Bukurёn nё pёrputhje me natyrёn e tij; dikush me pikturёn, njё tjetёr me sportin, shkencёn, muzikёn, etj. Ky proces i jep dinjitetin e duhur tё riut, qytetarit tё ardhshёm dhe e bën tё pavarur mendimin e tij. Shoqёria, pёrmes shkollёs, duhet ta angazhojё qytetarin pikёrisht nё ato drejtime qё natyrshёm pajtohen me aftёsitё, aspiratat dhe prirjet tij. Pёrndryshe jeta e njeriut do tё ishte njё tjetёrsim, njё pёrdhunim i natyrёs sё mirёfilltё tё tij.

 

Nuk mendoj qё kjo ide tё mund tё gjejё me lehtёsi zbatime nё shkollё e nё jetё. Por me siguri ajo ashtё mё interesante e mё e dobishme se sa rutina e pёrditёshme dhe duhet pranuar si njё ideal i shoqёrisё nё konceptimin e shkollёs.  Njёkohёsisht kjo ide e funksionit tё shkollёs lidhet edhe me problemin e lirisё sё individit.  Sepse liria nё kohёn tonё nuk do parё thjesht nё aspektin fizik tё saj, por nё njё kuptim ma tё lartё: njeriu duhet realizuar nё ekuilibёr e harmoni me prirjet qё burojnё nga natyra e tij.

 

E Bukura nuk mund tё realizohet, tё kuptohet e t’i pёrkasё jetёs sё Njeriut, nёse ai e jeton isen e vet jashtё dёshirave dhe talenteve tё tij. Njeriu i formuar nё harmoni me natyrёn e tij do tё ishte ideali pёr njё tё ardhme mё njerёzore tё species sonё.

 

Shqipёria, vendi i kombit më tё lashtё dhe i njё shteti tё pavarur vetёm prej njё shekulli, sot synon demokratizimin e vet dhe inserimin nё Europё. Kjo nuk mund tё bёhet duke imituar tё tjerёt, por vetёm nё harmoni me Universin filozofik e kulturor tё tij, pёr tё cilin shkolla pёrbën njё nga pamjet ma interesante dhe instrumentin kryesor tё tij.

 

Kanё kaluar 45 vite nga olimpiada e parё e matematikёs e vitit 1970 nё Matin e Kastriotёve. Ishte pikёrisht ky kujtim i largёt qё mё solli nё kёtё pёrsiatje mbi shkollёn kombёtare dhe kohёn tonё.

 

Prof. Dr. Albert Frashёri

Blogu : ©Dars (Klos), Mat – Albania

 

Botuar nё:  Gazeta55, Tiranё 10.12.2015, faqe 22 dhe Revista tremujore “Emathia”, 2015, n.4