Ndryshe nga dje



------------------

Jetoj për ty...

------------------

 

Çdo ditë,

çdo minutë,

çdo sekondë,

jetoj vetëm për ty ...

 

A e di?!

 

Çdo buzëqeshje,

që e shtrydh prej shpirtit,

është vetëm për ty ...

Kuptomë!

 

Mos e shpërdoro,

të lutem!

Besomë!

 

Jo se mua do t’më pakësohet buzëqeshja!

Dua të pasurohesh në veten tënde.

Kur të të mungoj, ta kesh pasuri ...

Kaq mund të të lë trashëgim!

 

Mos harro!

Vlerësoje atë që ke!

Kënaqu me atë që ke!

Bëj aq sa mundesh,

pa u lënduar,

për atë që synon!

 

 

-------------

HESHTJE

-------------

 

Prej ditësh,

në vorbullën e heshtjes jam përfshirë.

Dhe rrallë,

si padashje,

kam hedhur ndonjë shashkë ...

(Sa për të thënë që jam gjallë !)

Kur s’motivohesh, për diçka me peshë, a të mirë, heshtja është monedhë e artë!

 

 

------

* * *

------

 

Mbi një re të bardhë

shaluar kam mendimet.

 

Koka e zbrazët,

mbi supe më varet.

 

Shpirti fundosur harrimesh ...

Harrimi tretet,

tretet,

tretet ...

 

 

-------------

KOHA ...

-------------

 

Ka kohë që KOHA ikën ...

Ikën sikur vjen!

Një gjurm’ a fjalë të mirë

s’më lë ...

 

Ka kohë që ti mungon ...

Mungon sikur nuk je.

Shpirti, si arë e vonë,

nga bryma thahet shpejt.

 

KOHA, kohë s’ka ...

Kohën gjeje vetë!

Gjurmë e fjalë bëhu,

që koha të mos tretë ...

 

 

-----------------------------------

ZEMRËN SHTRËNGOJ ...

-----------------------------------

Rrëshqitje ...

Rrëmujë ...

Rrokullimë ...

 

Dorën zgjatur,

diçka për të kapur ...

A diku,

për t’u mbajtur!

 

Ngushtësi, boshësi,

humbur në ajri ...

 

Një fjalë,

një shpresë e pres...

 

Të mundur nga koha,

askush s’ka nge!

Më kot ëndërroj ...

Ndaj zemrën shtrëngoj!

 

 

------

* * *

------

 

Një vetëtimë,

më flakëriu para syve.

Ëndërrat, gjumi larg m’i çoi,

këtu Dante më ndjek si hije ...

 

Jo, jo parajsa është atje!

Në zemër më sëmboi ...

 

(Ravena, Itali)

 

 

-----------------------

LOJË DASHURIE

-----------------------

 

Pse bën kështu?!

Pse bën ashtu?!

Grindemi, zihemi, shahemi, ndahemi ...

Të gjitha natës ia falim.

 

Largësitë treten,

në vorbullën e dashurisë.

Nga fillimi ia nisin të ëmblat fjalë,

dehemi,

puthemi,

shkrihemi,

si dy pika uji,

në një të pandarë ...

 

Herë jam unë,

herë je ti.

Peshoret, masat, zhduken në eter.

 

Kush i shpiku,

për të barazgjetur dashurinë!?

Ajo veç një peshore e masë ka!

Dashuri:

pa përmasa,

pa kushte,

pa kriter ...

 

 

-------------------------------

BEKIM KJO NATË....

-------------------------------

 

Gjithmonë e kam dashur prillin,

se ndan pranverën nga dimri…

 

E ndezëm oxhakun,

akoma ftohtë,

mërdhimë ...

Ia shtruam ëmbël,

gju më gju,

si dy të pangimë...

 

Të dehur nga puthjet

në rrokullimë mbetëm,

gjersa yjet u lodhën,

u tretën.

 

Dhe kur dita e çeli njërin sy,

ashtu na pa,

pa ajër në mes,

ne të dy ...

 

Bekim! Bekim kjo natë prilli,

që ndau pranverën nga dimri ...

 

 

 

© Adivije Hoxha 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania