Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Janar 2020
“L’Echo de Paris” ka botuar, të enjten e 6 prillit 1916, në faqen n°4, intervistën me Esat Pashë Toptanin, para se të nisej për të vizituar frontin e luftës franko-gjerman, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Esat Pasha u nis për në front
Esat Pasha, kreu i qeverisë shqiptare që i rezistoi sulmit austriak në rajonin e Durrësit, dhe që aktualisht ndodhet në Francë, po niset sot në mëngjes për një vizitë në front. Ai shoqërohet nga z. de Fontenay, ministër i Francës në Shqipëri, dhe nga z. Krajewski, delegat i Francës në komisionin e kontrollit për Shqipërinë. Ai na priti dje dhe na tha :
“Unë jam armiku i Austrisë. Unë mbroj kundër saj, ashtu si ushtarët tuaj kundër Gjermanisë, pavarësinë kombëtare. Austria vazhdimisht ka kërkuar të aneksojë popujt fqinj, duke mbjellë ndarje midis tyre, me qëllim instrumentimin dhe rekrutimin e trupave të saj në mesin e tyre. Ajo praktikoi këtë system në Bosnje dhe Hercegovinë dhe dëshiron ta praktikojë po ashtu në mesin e shqiptarëve.
E kam vënë re menjëherë pas luftës së parë ballkanike, kur ajo dëshironte të impononte si sovran një gjerman, Princin e Urach-it, të martuar me një arshidukeshë. Agjentët austriakë me kontaktuan me të gjitha mënyrat dhe më kërkuan të mbështesja kandidaturën e tij. E kam luftuar pasi e di se si të luftoj dikë.
Na imponuan Princ Vidin, një gjerman tjetër që nuk merrte vesh pretendimet e popullit që do të udhëhiqte. Austria e kishte zgjedhur atë si të tillë që të mbretëronte nën emrin e tij.
— A do ta instalojë ajo sërish në Durrës ?
— Dyshoj shumë. Ajo nuk ka më nevojë për këtë “kukull”.
— Kë mori si guvernator ?
— Një kushëri timin të largët, i cili ishte menaxheri (shërbëtori) im në fshat.
— Ajo do të preferonte të ishit ju ?
— Nuk më kanë munguar ofertat.
— Si merret vesh ajo me bullgarët ? Sepse edhe ata kanë pretendime në Shqipëri.
Esat Pasha buzëqesh në mënyrë djallzore :
— Këto janë pretendime të parealizueshme. Austria i ka lënë bullgarët të vijnë deri në Elbasan dhe Peqin, me shpresën për t’i stërvitur kundër trupave italiane në Vlorë. Por bullgarët nuk do të marshojnë kundra Vlorës.
— Ata mblodhën në Sofje një kongres të shqiptarëve...
— Këta shqiptarë nuk kanë as toka, as shtëpi, as dyqan në Shqipëri. Çfarë dëshironi që ata të përfaqësojnë ?
Esat Pasha e tha këtë me një lloj krenarie. Na duket sikur shohim në sytë e tij imazhin e pasurive të mëdha që ai zotëron në diell, atje. Sidoqoftë, insistojmë :
— Pra, këto ambicie bullgare ?...
— Të paarritshme, po ju them. Më së shumti ka në Sofje një njeri që mendon të marrë Shqipërinë, ashtu si Vilhemi II do të dëshironte të merrte shumë gjëra.
— Do të shihni, në front, se Vilhelmi II nuk ka gjasa të arrijë qëllimet e tij ?
— Oh! u përgjigj qetësisht Esat Pasha, nuk kisha nevojë të shkoja në front për të dyshuar për të!
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/l-echo-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-para-se-te-nisej-per-vizite-ne-frontin-e-luftes-franko-gjermane-jam-armiku-i-austrise-mbroj-kunder-saj-si-ushtaret-tuaj-kunder-gjermanise-pavaresine-kombetare/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://www.syri.net/arte-media/312077/esat-pasha-niset-per-ne-front-jam-armiku-i-austrise/
https://opinion.al/intervista-e-esat-pashes-ne-france-jam-armiku-i-austrise-mbroj-pavarsine/
https://kohajone.com/intervista-e-esat-pashes-ne-france-jam-armiku-i-austrise-mbroj-pavarsine/