Gazeta prestigjoze Figaro : Letra e 12 dhjetorit 1912 për Shqipërinë nga princi patriot Albert Gjika


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Tetor 2016

 

Gazeta prestigjoze franceze « Figaro » ka botuar në faqen e parë të saj, me 16 dhjetor të 1912, letrën e princit patriot me origjinë shqiptare, Albert Gjika. Shqipëria sapo kishte shpallur pavarësinë dhe marrëdhëniet me fqinjët ishin të tensionuara. I shqetësuar nga rreziku i përçarjeve të territoreve shqiptare nga sllavo – rusët, princi Gjika i drejtohet gazetës për të mbrojtur interesat tona kombëtare.

 

Letra e tij :

 

« I nderuar Zoti Calmette,

 

I ndodhur në Trieste, para se të nisem për Shqipëri, u hodha si një i uritur mbi gazetën e parë Figaro që më ra në dorë. Ju i njihni mendimet  e mia ndaj Francës tuaj të bukur, të cilës i detyrohem për shkollimin dhe trajnimin tim, dhe ky fakt shpjegon dëshirën time për të lexuar dhe gjithmonë lexuar gjuhën frënge.

 

Por, në numrin e gazetës tuaj të hënës së 9 dhjetorit, me titullin « Çfarë mendojnë në Rusi për çështjen e luftës », Zoti René Marchand publikon një intervistë të shkëlqesisë së tij, Gjeneralit Parensoff.

 

Kjo intervistë, e cila tregon qartë qellimet sllave, nuk mund të na përshtatet neve shqiptarëve, krenarë për origjinën dhe historinë tonë. Gjenerali Parensoff flet për Shqipërinë, të cilën ai nuk e njeh, me terma fare pak të sjellshme dhe shprehet kundra autonomisë së saj.

 

Sipas tij, « Shqipëria nuk ekziston ». Por atëherë, pse ai pranon se shqiptarët janë pasardhësit e Pellazgëve ? Pasardhësit e Pellazgëve janë të përhapur në Spanjë, Itali, madje në Britani dhe Irlandë, por një grup prej 3 milion shpirtrash gjenden në vilajetet e Shkodrës, Janinës, Manastirit dhe Shkupit. Kjo është provë se shqiptarët ekzistojnë dhe janë të vetëdijshëm për kombësinë e tyre…

 

Katolikët e Shqipërisë Veriore, të njohur ndryshe si Malësorët, kurrë nuk kanë kërkuar aneksimin e tyre nga Mali i Zi. Që prej tërheqjes së Malësorëve nga lufta dhe me kthimin në vatrat e tyre, sa fitore kanë korrur malazezët ? Arsyeja se këta malësorë të vrazhdë janë tërhequr është se ata e kanë kuptuar më në fund – dhe në kohë – rrezikun e premtimeve sllave gjithmonë të rreme.

 

Krijimi i mbretërisë së Shqipërisë siguron paqen në Ballkan. Akordimi i daljes në Adriatik për Serbinë shkakton përçarjen e një vendi dhe një populli, dhe i bie të ndërrohet një tiran me një tjetër.

 

Pra vendet ballkanike janë të ndara në bazë të parimit të kombësisë, dhe në qoftë se gjenerali Parensoff do e njihte më mirë historinë e vendit të tij, ai do të dinte se Katerina e Madhe (Catherine La Grande) kishte studiuar krijimin e një mbretërie shqiptare, ku djali i saj, Duka i madh, Konstandini, do të ishte sovrani.

 

Po, por ja që shqiptarët nuk duan të dëgjojnë të flitet për një princ sllav, dhe menjëherë thuhet se Shqipëria nuk ekziston…

 

…Unë nuk jam sllavofob. I dua të gjithë popujt që mbështesin kauza të cilat janë të drejta. Para luftës, kam publikuar disa artikuj që profetizojnë suksesin e aleatëve ballkanikë dhe shkatërrimin e Turqisë.

 

Por gjithçka e ka një kufi dhe zelli për shkatërrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve i ka kaluar të gjitha përmasat.

 

Dhe ekziston prova se ka një Shqipëri, sepse ka një qëveri të përkohshme, e kryesuar nga Ismail Qemali, një nga diplomatët më të talentuar, i rrethuar nga patriotë të flaktë dhe të sinqertë. Prova se ka një Shqipëri tashmë të pavarur,  e dëshmon edhe flamuri kombëtar, i cili valvitet kudo dhe ne do të dimë ta mbrojmë atë kundra çdo armiku.

 

Trieste, 12 dhjetor 1912

Një ushtar i thjeshtë shqiptar

Princi Albert Gjika »

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë burimin  e  informacionit si në vijim : Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : http://www.darsiani.com/opinion/gazeta-prestigjoze-figaro-letra-e-12-dhjetorit-1912-per-shqiperine-nga-princi-patriot-albert-gjika/

 

 

Publikuar në :

 

Tirana Observer :

http://www.tiranaobserver.al/gazeta-prestigjioze-figaro-letra-e-12-dhjetorit-1912-per-shqiperine-nga-princi-patriot-albert-gjika/

 

VOAL :

https://www.voal.ch/gazeta-prestigjoze-figaro-letra-e-12-dhjetorit-1912-per-shqiperine-nga-princi-patriot-albert-gjika-nga-aurenc-bebja-france-8-tetor-2016/

 

Opinion.al :

http://opinion.al/figaro-letra-e-12-dhjetorit-1912-per-shqiperine-nga-princi-patriot-albert-gjika/

 

Bota.al :

http://www.bota.al/2016/10/gazeta-prestigjoze-figaro-letra-e-12-dhjetorit-1912-per-shqiperine-nga-princi-patriot-albert-gjika/

 

Gazeta Ora :

http://gazetaora.com/2016/10/08/gazeta-prestigjioze-figaro-letra-e-12-dhjetorit-1912-per-shqiperine-nga-princi-patriot-albert-gjika/

 

Pashtriku :

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5743

 

Njëkomb.com :

http://www.njekomb.com/?p=836

 

Dielli :

http://gazetadielli.com/leter-gazetes-figaro-nga-princi-albert-gjika-me-12-dhjetor-1912/

 

2lonline :

http://2lonline.com/category/lajmet/article-page.php?id=22269